Profil: Baton Haxhiu, analisti që u "ringjall" nga vdekja e që ende e përkrah Hashim Thaçin - NACIONALE

Profil: Baton Haxhiu, analisti që u "ringjall" nga vdekja e që ende e përkrah Hashim Thaçin

1 vit më parë

nga NACIONALE

Mund të tingëllojë tronditëse, por Baton Haxhiu dhe Jezu Krishti kanë një të përbashkët. Si pakkush në historinë e njerëzimit, gazetari Haxhiu, sikurse edhe Krishti 2000 vjet më parë, është "ringjallur" nga vdekja. Që nga atëherë, ai është shndërruar në një nga veteranët e gazetarisë, që s’përton të debatojë ashpër, të përdorë gjuhë nganjëherë politikisht jokorrekte dhe të luftojë për të vërtetën e tij.

Në fund-marsin e vitit 1999, Haxhiu ishte shpallur unanimisht "i vdekur". Shtypi lokal, por edhe ai ndërkombëtar, shkruan për "vdekjen" e papritur të z. Haxhiut, që atëbotë e drejtonte gazetën "Koha Ditore". Megjithatë, fatbardhësisht, ai i kishte shpëtuar vdekjes. Lajmi se Haxhiu gjoja ishte rrëmbyer e ishte vrarë nga sigurimi shtetëror serb, i përçuar ndërkombëtarisht, doli i rremë.

E 23 vjet pas "ringjalljes", Haxhiu vazhdon të jetë në medie. Herë si drejtor gjeneral i ndonjë televizioni, herë si analist, herë si gazetar, por kryesorja gjithnjë i pranishëm në opinionin publik. Sikurse vullkanik Halil Matoshi, Haxhiu është ndër të rrallët që, përveç deklarimit në televizion, shkruan edhe artikuj. Opinionet e tij, nganjëherë, bëhen edhe lajme. Nuk ka dyshim që Haxhiu është analisti me më së shumti nofka e mbi të rëndojnë akuzat më të rënda.

Qysh u bë analist?

Dorën në zemër, z. Haxhiu nuk është tamam analist. Së paku jo në kontekstin kosovar, sepse ai s’është se del vazhdimisht e gati për çdo natë në television për të treguar se çfarë mendon. Ai shfaqet më rrallë në televizion dhe vetëm për çështje specifike si p.sh. dialogu me Serbinë. Por, sa herë që ai del, Haxhiu nxjerr informacione “sekrete”, që shpesh bien ndesh me pushtetin aktual, duke e kthyer atë në shënjestër.

Specifika: Informacionet

Për dallim nga shkrimet, që kanë stilistikë interesante e rrjedhshmëri, Haxhiu e ka të vështirë të artikulohet në televizion. Nuk janë të rralla momentet, kur e sheh Haxhiun tek “rropatet” që ta thotë atë që e mendon rreth një teme të caktuar. Por Haxhiu është njeriu me më së shumti lidhje me pushtetin në Shqipëri e Kosovë, pasi ka qenë i afërt me Hashim Thaçin e dikur e këshillonte Edi Ramën. Të gjitha këto i kanë dhënë Haxhiut qasje në informacione, të cilat shumica absolute e analistëve të tjerë as nuk mund t’i ëndërrojnë. Për shkak të këtyre lidhjeve, Haxhiu disi lëngon pastaj në lidhje me objektivitetin në analizë.

Kush i shkon nerva?

SADRI RAMABAJA. Madje, gjatë një debati në T7, autori i këtij shkrimi u frikësua se përplasja verbale mes Haxhiut e Ramabajës do të eskalonte edhe në përplasje fizike. Përveç Ramabajës, Haxhiu ka një padurim edhe ndaj atyre që e përkrahin partinë në pushtet, Lëvizjen Vetëvendosje.

Kosova ideale: Ajo e Thaçit

Për Haxhiun, Kosova ideale dikur ka ekzistuar. Ajo udhëhiqej nga Hashim Thaçi, ish-kryeministër e ish-president i vendit. Por nuk dihet nëse Haxhiu mendon për mundësinë e rikthimit të Kosovës ideale edhe një herë. Ndoshta, në botëkuptimin batonian, idealja Kosovë ka ikur për të mos u kthyer kurrë më.

Kosova distopike: Kjo e VV-së

Haxhiu, për shumë arsye, s’ka asnjë marrëdhënie me pushtetin aktual. "I ringjalluri" Baton është kritikues i ashpër i Albin Kurtit e i Vjosa Osmanit, dyshe që aktualisht e udhëheq Kosovën. Në fakt, Kurti dikur e kishte akuzuar rëndë Haxhiun, duke e cilësuar si bashkëpunëtor të Stanishiqit, ish-shef i shërbimit sekret serb, një akuzë që fillimisht ishte plasuar nga Veton Surroi, dikur koleg i Haxhiut në gazetën "Koha Ditore". Gjatë kritikës së tij, Haxhiu, së paku për një moment, ka rrëshqitur edhe në seksizëm, duke ia përmendur kilogramët e tepërt zonjës Osmani.

Fjala e preferuar: Realisht

"Realisht" është fjala që Haxhiu e përdor më së shumti gjatë diskutimeve në televizione. Aq shumë e përdor, sa të krijohet përshtypja që nëse do të kishte gojë, fjala "realisht" do të ankohej për keqpërdorim nga ana e Haxhiut.

Orientimi politik: Laraman

Z. Haxhiu përgjithësisht është liberal, por nganjëherë bie edhe në llogore nacionaliste, duke e përkrahur bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. E në disa raste, ai ka përkrahur edhe ide të anatemuara në Kosovë, si p.sh. korrigjimi i kufijve, që dukej se po e mbështeste vetëm pse atë e mbështeste Thaçi. Është një botëkuptim eklektik, ku bashkohen edhe progresivja, por edhe nacionalizmi ballkanik, duke krijuar një qasje laramane karshi situatave jetësore.

Nota: 6/10

Haxhiu është meritor për notën 6. Si gazetar veteran e analist, Haxhiu ka pikëpamje të etabluara. Megjithatë, inati ndaj VV-së, afërsia me pushtetin, e kaluara e miqësia me Ramën nuk e lënë që të jetë objektiv e i arsyeshëm në disa raste. Haxhiu vazhdon të mbetet thaçist i vendosur. Për shkak të këtyre rrethanave, Haxhiu nuk mund të notohet më shumë se kaq.

Lajme të ngjashme