Profil: Halil Matoshi – analisti i nxehtë si vullkan, që fjalën “o zotni” nuk e lëshon nga goja - NACIONALE

Profil: Halil Matoshi – analisti i nxehtë si vullkan, që fjalën “o zotni” nuk e lëshon nga goja

1 vit më parë

nga NACIONALE

Halil Matoshi gjithnjë debaton me energji, elan e pasion. Krahas gjesteve, zëri i ngritur gjatë diskutimit ta jep ndjenjën se ai është i gatshëm edhe të konfrontohet fizikisht për të vërtetën e tij. Vullkan Halili, siç do të mund ta quanim në mënyrë metaforike z.Matoshin në shenjë respekti për vullnetin për debat të zjarrtë, është gjithmonë gati që ta nxjerrë edhe një herë shpatën diskursive në panel.

Termi "o zotni", që Matoshi e lëshon me piskamë si paralajmërim se do të thotë diçka të madhe, është sinjal për kundërshtarin që të mbahet fort. Përmes referimit si “zotëri”, që si term shënon një titull borgjez nderimi, Matoshi e tregon edhe pikëpamjen e tij idoelogjike prej liberali e ndoshta bohemi. "Zotëria" i Matoshit është sikurse stuhia para një uragani. Porsa "zotëria" hyn në vallen gjuhësore të Matoshit, parandihet se ai është gati të derdhet... sikurse llava e vullkanit.

Matoshi ka një të kaluar të gjatë, herë si gazetar, herë si politikan e herë si këshilltar. E kjo, për të mirë a për të keq (më shumë për të mirë), krijon një avantazh kundrejt analistëve të tjerë, sepse në një botë analistësh, ku veçoria kryesore nuk është leximi, por biseda nëpër kafene, e kaluara e Matoshit, megjithatë, është përparësi.

Sidoqoftë, ai ka edhe një anë tjetër, që e dallon në mënyrë thelbësore atë nga analistët kosovarë. Matoshi është edhe poet. Pra analist me shpirt artisti, ani pse gjuha e tij tashmë është reduktuar tmerrësisht shumë - sigurisht, si pasojë e natyrës së televizionit kosovar, që nuk dëshiron analizë, por koment.

E Matoshi ka shumë komente, por, për dallim nga Blerim Gashi e Krenar Shala, që kanë një mendim uniform pavarësisht nga rrethanat e ndryshueshme, mendja e Halilit është më dinamike. Në fakt, Matoshi dallohet për mungesë konsistence në qëndrime, duke i ndryshuar mendimet shpesh, shuuuumë shpesh. Megjithatë, ai ka mendim, diku thellë në mendjen e tij, ndonëse gjuha e tij vështirë e rrallë e artikulon.

Qysh u bë analist?

Halil Matoshi është gazetar moti. Sidoqoftë, në shpirt ai gjithnjë ka qenë analist. Edhe atëherë kur nuk ka qenë analist me pagesë, Matoshi ka qenë analist. Zotëri Matoshi është më i lashti ndër analistët. Pas një karriere politike të pasuksesshme me Partinë Parlamentare në fillim të viteve të 90-a, Matoshi iu rikthye zejes së gazetarisë, profesion trampolinë drejt botës së analistëve. E pasi kaloi nëpër disa gazeta, Matoshi u stacionua në “Click” të RTV 21-shit, që ishte e para ndërmarrje me analistë të përhershëm.

Nga aty, ai shkoi në Qeverinë e Kosovës për t'u bërë këshilltar i Ramush Haradinajt, ish-kryeministër i vendit. Kur e përfundoi aventurën në këshillëdhënie, z.Matoshi u kthye në profesionin që i shkon për shtati: dhënien e mendimeve. Tash është i "stacionuar" në Kanal10 (siç do thoshte Kushtrim Sadiku, moderatori elegant i “Politiko”-s, ku Matoshi është analist).

Specifika: Shumë mendime...

Matoshi nuk vuan nga mungesa e mendimeve, përkundrazi. Ai vuan pikërisht nga stërngarkesa në mendime. Mënyra se si flet, ose thënë pak më ashpërsisht, shpejtësia me të cilën ai i ndryshon mendimet, ta krijon përshtypjen se z. Matoshi, para se të flasë, ka disa mendime në kokë. E kur njëri nga ta i del nga goja, qoftë edhe në mënyrë të pavetëdijshme, e vë në një pozicion të padëshiruar Matoshin. Ai pendohet që nuk zgjodhi ta thoshte mendimin tjetër. Andaj vendos që ta ndryshojë mendimin e parë me të dytin. Një gjimnastikë e tillë mendore, ku me shpejtësi duhet të zgjedhësh mes disa mendimeve, duket se Matoshit i ngjan vazhdimisht e pafundësisht.

Ndoshta ky është mallkimi i njerëzve që kanë më shumë mendim sesa kohë për të folur (le të jetë ky një ngushëllim për z. Matoshin). Sikur autor i këtij shkrimi të ishte Matoshi, ai tashmë s'do të pajtohej me paragrafin e mësipërm.

Kush i shkon nerva?

Matoshi ka një lloj padurimi, nëse jo neverie, ndaj çdokujt që është i afërt me Albin Kurtin e Lëvizjen Vetëvendosje. Natyrisht, ai vështirë se dëgjon këdo që ka qëndrime më nacionaliste, duke mos ngurruar që të ndërhyjë për ta ndërprerë debatin. Në Kanal10, më së shumti nerva i shkojnë Shala e Gashi, dy përkrahës të pushtetit aktual.

Kosova ideale, sipas Matoshit:

Një Kosovë ku nuk ekzistojnë dallimet etnike. Pra një Kosovë ku Milaimi nga Mareci, Milloradi nga Mitrovica dhe Memeti nga Mamusha pinë e hajnë bashkë si kosovarë.

Kosova despotike, sipas Matoshit:

Një Kosovë e bashkuar me Shqipërinë, që, si ngjarje, do t'ua jepte gozhdën e fundit projektit të Kosovës së pavarur dhe idesë së kombit kosovar, e cila përkrahet nga Matoshi.

Shprehja e preferuar: “Mos bo hajgare!”

Matoshi e përdor për dy arsye këtë shprehje: e para, për ta delegjitimuar analizën e tjetrit dhe, së dyti, për të treguar që ai do të flasë diçka serioze. Sidoqoftë, edhe fjala “propagandë” është mjaft e përdorur nga z. Matoshi në debatet televizive. Kjo fjalë zakonisht vjen pas shprehjes "mos bo hajgare", si një vulosje se analiza paraprake nuk meriton të diskutohet.

Orientimi politik: Liberal (diskursiv)

Matoshi është liberal, së paku në mënyrë deklarative. Ai është humanist, anti-nacionalist e kozmopolit, edhe pse u anëtarësua në një parti të "krahut të luftës" (AAK). Një botëkuptim i tillë është i rrallë në gjeneratën e tij, duke e bërë Matoshin simpatik edhe për gjeneratat e reja. Lirisht mund të themi se nëse Plani i Ahtisarit do të ishte njeri, ai do t'i ngjante Halil Matoshit.

Nota: 7.5/10

Pa fije dyshimi, Halil Matoshi e meriton notën 7.5. Sikur të kishte pak më shumë konsistencë në mendime, gazetari veteran do të mund të notohej edhe më lart se kaq. Megjithatë, Matoshi duhet të vlerësohet për të kaluarën dhe leximet që ka, të cilat janë asetet kryesore të tij. Sidoqoftë, prirja për t'u përshtatur në një botë të shout mediatik, duke u përplasur ashpër gjatë debatit, gjë që s'i shkon shpirtit të tij liberal, lë një shije të hidhur. Nganjëherë është edhe qesharake. Imagjinoni sikur homo sapiensi të ishte rikthyer në shekullin XXI dhe, gjysmë i zhveshur e me harkun e tij pranë, të ulej në “Starbucks” për një kafe late. Si do të ishit ndier?

*Kjo është e hera e parë që një analist merr një notë me gjysmë (7.5). Kjo notë është një kompromis ndërmjet dy kokave bërthamore të Nacionales, të cilat, pas një debati me tone të ashpra, që për pak nuk eskaloi në ofendime, u pajtuan për këtë notë kompromisi.

**Vërejtje: Komentet e shprehura në këtë artikull nuk shprehin domosdoshmërisht qëndrime të gazetës Nacionale.

Lajme të ngjashme