"Serbia sot na dëshmoi se si e sheh krijimin e Asociacionit”, takimi trepalësh për dinarin sërish pa rezultat - NACIONALE

"Serbia sot na dëshmoi se si e sheh krijimin e Asociacionit”, takimi trepalësh për dinarin sërish pa rezultat

2 vjet më parë

nga Flakon Demaku

Edhe pas takimit të sotëm trepalësh, arritja e një ujdie rreth kompleksiteteve që sjell zbatueshmëria e vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës [lexo; Qeverisë së Kosovës] për të ndaluar dinarin në operacionet me para të gatshme duket vite dritë larg, me zëvendëskryeministrin, njëherësh kryenegociatorin e Kosovës në dialogun me Serbinë, Besnik Bisimi, që theksoi pas takimit shqetësimin e tendencave të Serbisë për “licensimin e institucioneve paralele të Serbisë në Kosovë”, derisa nëvizoi mungesën e interesimit të Serbisë në gjetjen e zgjidhjeve për individët e prekur nga vendimi i BQK-së.

Zëvendëskryeministri i parë për Integrime Evropiane, Zhvillim dhe Dialog të Kosovës, Besnik Bislimi, ka shprehur “brengën” e tij pas takimit për qëndrimin e Serbisë, që, sipas tij, ka dëshmuar se ata e shohin Asociacionin si një “mekanizëm që ndihmon komunat me shumicë serbe të koordinojnë ushtrimin e disa veprimeve të tyre”.

“Sot për herë të parë ne kemi parë haptazi të dokumentuar nga Serbia se si ata e shohin procesin e krijimit të asociacionit, përderisa për bashkësinë ndërkombëtare dhe Kosovën, asociacioni është nënkuptuar si një mekanizëm që ndihmon komunat me shumicë serbe të koordinojnë ushtrimin e disa veprimeve të tyre, Serbia sot tregoi se e sheh si mekanizëm për legjitimimin e prezencës së strukturave ilegale të Serbisë në Kosovë. Poashtu vazhdoi loja e vjetër me tendenca që të sigurohen metoda përmes të cilave do të merrnin garancione për licensimin e institucioneve ilegale siç është “Postanska Banka” në Kosovë", tha ai.

Sipas Bislimit brenga e Serbisë rreth çështjes së dinarit mbetet “licenimi i institucione paralele të Serbisë në Kosovë”.

“Unë mendoj që është një përpjekje e mirë e z. Lajçak që të gjejë një zgjidhje. Edhe z. Lajçak njësoj si pala kosovare brengën kryesore e ka se si individët të cilët janë prekur nga vendimi i BQK-së apo rregullorja e BQK-së, të mund të vazhdojnë të marrin mbështetjen financiare përderisa Serbia edhe sot gjithë brengën e saj e ka patur se si duhet të licensohen institucione paralele të Serbisë në Kosovë", tha kryenegociatori Bislimi.

Në lidhje me propozimet e emisarit të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, Bislimi deklaroi se ndonëse “shkon në drejtimin e duhur”, merr kohë që palët “ti analizojnë elementet brenda tij, qoftë implikimet ligjore apo të ngjashme.”

Nga ana tjetër, kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq, tha se shfyrtezuan takimin për të prezantuar ide për zgjidhjen e çështjes se dinarit në kontekst të zhvillimeve që sipas tij, “kërcënuan mbijetesën e popullit serb në Kosovë”.

"Kemi kaluar më shumë se shtatë orë në ndërtesën e Shërbimit të Politikës së Jashtme të BE-së. Bisedimet ishin të vështira dhe të tensionuara. Ne patëm bisedime të drejtpërdrejta me palën prishtinase, gjë që është mirë. Ne patëm mundësinë të prezantojmë gjithçka rreth ideve të BE-së se si për të zgjidhur çështjen e dinarit, duke pasur parasysh se Albin Kurti kërcënoi mbijetesën e popullit serb në Kosovë me vendimin e tij të njëanshëm për shfuqizimin e dinarit”, tha Petkoviq para gazetarëve.

Ndonësë Bislimi bëri të ditur se propozimet e palës sërbe nuk morën përkrahjen e Lajçakut, Petkoviq pretendoi se emisari i BE-së për dialogun u “vlerësuan si konstruktive”.

“Komentet e reja që i dërguam Miroslav Lajçakut janë bërë me mirëbesim dhe janë vlerësuar si konstruktive dhe ofrojnë zgjidhje”, shtoi ai.

Kujtojmë se një vendim i Bankës Qendrore të Kosovës për të ndaluar dinarin në operacionet me para të gatshme, përveç një reagimi të ashpër ndërkombëtar në vazhdën e thirrjeve për një tranzicion më të ngadalshëm në kontekstin e nevojës për të shmangur pasojat potencialisht problematike në vendbanimet me shumicë serbe, tash e disa javë është shndërruar në qendër të diskutimeve mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.

Lajme të ngjashme