“Kujt ia kishin dhënë informacionet?”: Kroacia ngre aktakuzë për spiunazh ndaj pilotit kroat që shërbeu në KFOR dhe partneres së tij serbe - NACIONALE

“Kujt ia kishin dhënë informacionet?”: Kroacia ngre aktakuzë për spiunazh ndaj pilotit kroat që shërbeu në KFOR dhe partneres së tij serbe

38 minuta më parë

nga NACIONALE

Prokuroria e Shtetit në Qarkun e Splitit ka ngritur aktakuzë ndaj dy personave të akuzuar për spiunazh, përkatësisht ndaj një piloti kroat, që kishte shërbyer në misionin e KFOR-it, dhe partneres së tij serbe.

Sipas aktakuzës, shtetasi kroat, J.I. teksa po shërbente në Forcat e Armatosura të Kroacisë, nga shkurti deri në dhjetor të vitit 2022 vazhdimisht i kishte përcjellë informacione të klasifikuara – në të cilat kishte pasur qasje gjatë punës së tij si pilot – partneres së tij, A.M., shtetase e Serbisë, raporton Index.hr.

Sipas aktakuzës, ai e dinte se partnerja e tij i mblidhte këto informacione për një shtet të huaj, një entitet të huaj ligjor dhe për një person që punonte me ta. Shtetasja serbe akuzohet se më pas këto informacione të siguruara i ka përcjellë në disa adresa të huaja.

Prokuroria në Split i ka propozuar Gjykatës që të vazhdojë masën e paraburgimit për dy të akuzuarit, duke argumentuar se ka rrezik që ata të arratisen. Që të dy gjenden në paraburgim që nga gushti i vitit të kaluar, pasi u arrestuan në Kroaci.

Pas zbulimit të këtij rasti, që fillimisht u bë publik nga media kroate Index, autoritetet në Kosovë shprehën gatishmëri për bashkëpunim për këtë rast me homologët e tyre kroat.

Në fund të gushtit të vitit 2025, Policia e Kosovës kishte bastisur shtëpinë e serbes A.M., në Mitrovicë të Veriut. Në atë kohë, nga Policia e Kosovës i thanë Radios Evropa e Lirë se në shtëpinë e saj ishte gjetur një sprej, disa gëzhoja dhe fishekë.

Lajme të ngjashme