Hamza: Ka nisur numërimi mbrapsht drejt 16 shtatorit, Kosova nuk harron
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka thënë se ka nisur numërimi mbrapsht drejt 16 shtatorit, datës kur pritet të shpallet verdikti përfundimtar ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.
Gjatë një aktiviteti të platformës “Liria ka Emër” në Prishtinë, Hamza tha se afrimi i kësaj date nuk duhet ta zbehë kujtesën për luftën dhe sakrificën e UÇK-së.
“Sa më shumë afrohet dita, aq më zëshëm duhet të themi atë që kemi për të thënë”, deklaroi Hamza.
Ai tha se ekranet e vendosura në Prishtinë dhe qytete të tjera të Kosovës simbolizojnë pritjen për vendimin e Gjykatës Speciale dhe përcjellin mesazhin se “Kosova nuk harron”.
Hamza kritikoi procesin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, duke thënë se ata prej gjashtë vitesh po përballen me procesin gjyqësor në Hagë.
“Dhe nuk harron ata që sot, që gjashtë vjet po përballen me këtë proces të padrejtë”, tha ai.
Në fund, kreu i PDK-së iu drejtua katër ish-krerëve të UÇK-së me mesazhin: “Ata nuk janë vetëm.”