“Ishte çështje minutash”, “çdo provokimi serb do t’i përgjigjem”: Thaçi rrëfen si u shmang konflikti me Serbinë pas marrjes së pikave kufitare dhe ndaljes së trenit serb - NACIONALE

“Ishte çështje minutash”, “çdo provokimi serb do t’i përgjigjem”: Thaçi rrëfen si u shmang konflikti me Serbinë pas marrjes së pikave kufitare dhe ndaljes së trenit serb

4 orë më parë

nga NACIONALE

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka treguar si është shmangur konflikti me Serbinë dy herë sa ka qenë kryeministër i Kosovës.

Në intervistën e tij nga Haga për emisionin “Debat Plus”, ai ka bërë me dije se Kosova dhe Serbia dy herë kanë qenë në prag të konfliktit.

Ai ka vlerësuar se hera e parë ishte në vitin 2011, kur Kosova mori nën kontroll pikat kufitare 1 dhe 31 dhe u vendos flamuri i Republikës së Kosovës në kufirin me Serbinë.

Hera e dytë, sipas Thaçit, ishte në janar të vitit 2017, gjatë incidentit me trenin serb që po udhëtonte drejt Kosovës.

Në rrëfimin e tij, Thaçi ka treguar se në të dy rastet konflikti u evitua në momentet e fundit nga ndërkombëtarët.

Thaçi ka theksuar se në të dy rastet Policia e Kosovës ishte bërë gati për t’u përballur me agresionin serb.

“Pas marrjes në kontroll nga policia e Kosovës të pikave kufitare 1 dhe 31 në veri... strukturat paralele serbe dhe Serbia u befasuan, reagimi ishte frustrues. Po ndodhte diçka që Serbia nuk e kishte menduar se do të përjetonte. Ky veprim ka qenë në pajtueshmëri me ndërkombëtarët, jo me UNMIK-un. Pas bllokadës së rrugëve, policët dhe doganierët kosovarë i dërguam me helikopterë të NATO-s. Pikat kufitare u sulmuan dhe u dogjën fillimisht, por arritëm t’i funksionalizojmë. Në kufi ngritëm flamurin e shtetit të Kosovës. Nga ajo ditë, të gjithë ndërkombëtarët, por në veçanti Beogradi, e kuptuan se gjërat nuk do ishin kurrë më ashtu siç kishin qenë. Shteti po funksiononte edhe në veri të Kosovës”, ka thënë Thaçi, duke treguar se aksioni iu kishte penguar disa ndërkombëtarëve.

“Disa ndërkombëtarë ishin shqetësuar me thyerjen e status-quos. Kishin kaluar tri ditë nga ngjarja, një delegacion diplomatik i një shteti mik të Kosovës kërkoi takim vetëm për vetëm me mua: “Po vijmë nga Beogradi, kemi pasur një bisedë jo të lehtë me Presidentin Tadiq; është i revoltuar dhe i vendosur që nëse nuk i largoni policët e doganierët dhe flamurin shtetëror kosovar nga pika 1 dhe 31, ai do t’i largojë me forcë”. U përgjigja: “Unë kam bërë punën time... çdo provokimi serb do t’i përgjigjem”. Pas kësaj, diplomatët u kthyen në Beograd, ndërsa Tadiqi u hesht dhe ndali kërcënimet”, është shprehur Thaçi.

Në intervistën e tij, ish-presidenti Thaçi ka treguar se konflikti në mes të dy vendeve ishte më 14 janar 2017, ku Kosova ndali trenin ruso-serb.

Ai ka treguar se shpërthimi i konfliktit në këtë rast ishte çështje minutash.

“Ishim në prag të shpërthimit të konfliktit, mesdita po kalonte, treni po i afrohej kufirit të Kosovës, trupat kosovare po pozicionoheshin përgjatë kufirit ku pritej të vinte treni. Ishte punë minutash, jo orësh. Ishin alarmuar Uashingtoni dhe Brukseli. Nuk ishte lëvizje lokomotivash në kuptimin teknik, por ishte agresion serbo-rus mbi Kosovën. Informacionet e mekanizmave tanë të sigurisë dëshmonin se nuk ishte as çështje ekskursioni dhe ikonografie, por kishte edhe trupa paramilitare të kamufluar si civilë”, ka thënë ai.

Sipas tij, një konflikt i tillë u shmang nga ish-zëvendëspresidenti i SHBA-së, Joe Biden.

“U lidha në telefon me zv.presidentin e SHBA-së, z. Biden; i shpreha shqetësimin dhe vendosmërinë tonë, që provokimi i nisur nga Beogradi nuk do të kalojë; Bideni kërkoi nga unë të tregohem i matur, por duke mos mohuar të drejtën për vendimet tona autonome. Më tha se do të fliste me Vuçiqin, do të kërkonte edhe nga ai të sillej përgjegjshëm. Edhe KFOR-i ishte mobilizuar. Nga amerikanët u lehtësua bisedë telefonike direkte mes meje dhe Vuçiqit; ai i cili do të gabonte, do ta barte edhe përgjegjësinë për shpërthimin e konfliktit. Vuçiqi pranoi të ndalë trenin, unë tërhoqa trupat nga pozicionet. Kështu u evitua KONFLIKTI I RI. Fitoi racionaliteti përballë aventurës”, ka treguar Thaçi.

Gjatë kësaj interviste, ish-presidenti ka theksuar se Serbia i ishte “turrur” Kosovës edhe një herë tjetër pas luftës.

Sipas Thaçit, kjo kishte ndodhur në muajin mars 2004, kur kishin shpërthyer trazirat ndëretnike pas mbytjes së fëmijëve shqiptarë në lumin Ibër në Mitrovicë.

Ai ka treguar se aso kohe ndodhej për vizitë zyrtare në SHBA, por me aeroplanin e parë nga Uashingtoni, përmes Vjenës, ishte kthyer në Prishtinë.

“Me të mbërritur, shkova në lagjen Veternik, ishte mbrëmje, hyra në mesin e demonstruesve shqiptarë; situata paksa kishte filluar të qetësohet. Ju bashkëngjita mesazheve për qetësi dhe kthimin e njerëzve në shtëpitë e tyre.

Dëmi i rëndë për Kosovën ishte bërë. KFOR-i pothuajse ishte dorëzuar përballë protestuesve... UNMIK-u ishte defunksionalizuar; atë që Beogradi mundohej të na e atribuonte për shumë vite, tani po vetëidentifikoheshim. Asgjë më e keqe nuk mund t’i ndodhte Kosovës.

Kryeministri Bajram Rexhepi tregoi përgjegjësi burrështetasi”, ka thënë ai, duke dhënë detaje tjera.

“Në mbrëmje, në selinë e UNMIK-ut, liderët vendorë u takuam me shefin e UNMIK-ut, komandantin e KFOR-it dhe disa prej ambasadorëve perëndimorë. Shfaqej shqetësim nga të gjithë, por edhe zotim për të ecur përpara. Ato momente, dikush nga partnerët perëndimorë tha: “Informacionet tona po tregojnë se Ushtria serbe është mobilizuar dhe ka filluar të lëvizë në drejtim të Kosovës”.

Sipas rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit, KFOR-i ishte autoriteti i vetëm për sigurinë në territorin e Kosovës. Zyrtarët ndërkombëtarë vazhdonin kontaktet me autoritetet e Beogradit, informohemi se aeroplanët MIG po fluturonin jo larg hapësirës ajrore të Kosovës. Nga presioni ndërkombëtar serbët ishin ndalur diku në brendësi të territorit të Serbisë.

Në fakt, arsyeja kryesore e stopimit të Beogradit ishte përgjigjja e qartë ndërkombëtare: “Nëse i afroheni Kosovës, do të jeni në konflikt me NATO-n” – kaq mjaftoi që Beogradi të kthehet mbrapsht”, është shprehur Thaçi.

Lajme të ngjashme