Absurdi statistikor i Kurtit: 11% papunësi, 548 mijë joaktivë – në opozitë thoshte “nuk bën të flitet me shifra të papunësisë” - NACIONALE

Absurdi statistikor i Kurtit: 11% papunësi, 548 mijë joaktivë – në opozitë thoshte “nuk bën të flitet me shifra të papunësisë”

1 orë më parë

nga Flakon Demaku

Në Kosovë, papunësia prej 11 për qind bashkëjeton me 548 mijë e 701 persona ekonomikisht joaktivë në moshë pune. Kjo nuk përbën kundërthënie statistikore, por është pikërisht produkt i metodologjisë së treguesit që kryeministri në detyrë, Albin Kurti, e ka trumbetuar vazhdimisht si sukses: norma përllogaritet vetëm brenda fuqisë punëtore, pra ndërmjet atyre që punojnë ose kërkojnë aktivisht punësim; kush nuk kërkon punë, përjashtohet nga përllogaritja.

Kurti e njihte mirë këtë kurth.

Në vitin 2017, si kandidat për kryeministër, thoshte se në Kosovë “nuk bën të flitet me shifra të papunësisë, por me shifra të punësimit”. Ai fliste se studentët, amviset dhe personat që nuk kërkonin punë klasifikoheshin si joaktivë.

“Zyrtarisht në Kosovë të papunë janë 32.9%. Por në Kosovë nuk bën të flitet me shifra të papunësisë, por me shifra të punësimit. Vetëm 1 në 4 persona është i punësuar, vetëm 1 në 3 të rinj janë të punësuar dhe vetëm një në 8 gra është e punësuar. Pra duhet të flitet për punësim dhe jo papunësi. Studentët, amvisët ata që aktivisht nuk kërkojnë punë i kanë shpallur ekonomisht jo aktivë”, deklaronte Kurti.

Në pushtet, të njëjtin tregues e ktheu në refren.

Në një sërë paraqitjesh, Kurti ka përsëritur të njëjtën formulë sa herë është rrokur tema e tregut të punës: “papunësia e përgjithshme ka rënë nga 25 për qind në 10,7 për qind”. Papunësia në 11 për qindë u shndërrua në propagandën e tij të preferuar elektorale.

Të njëjtën shifër e valëviti edhe në tubimet e fundvitit 2025 dhe gjatë fushatës për zgjedhjet e 7 qershorit 2026, duke e shndërruar në trofeun qendror të bilancit të vet ekonomik.

Norma e papunësisë prej 11 për qind, ndonëse statistikisht e saktë sipas raporteve të ASK-së, projekton panoramë tepër të cunguar dhe kamuflon në masë të madhe brishtësinë reale të tregut të punës.

Madje, vetë Strategjia e Punësimit 2024–2028 e Qeverisë e zhvlerëson leximin triumfalist të kësaj shifre, duke paralajmëruar se “shkalla e papunësisë nuk është një tregues i mirë i tregut të punës në Kosovë”, pikërisht për shkak të pjesëmarrjes së ulët në fuqinë punëtore.

Fotografia e Anketës së Fuqisë Punëtore për tremujorin e dytë 2025 e bën kristal të qartë boshllëkun.

Nga 1 milion e 74 mijë e 704 banorë të moshës 15–64 vjeç, vetëm 526 mijë e 3 ishin në fuqinë punëtore. Të papunë ishin 57 mijë e 889, prej nga del norma 11 për qind. Por të punësuar ishin vetëm 468 mijë e 114, ose 43,6 për qind e popullsisë në moshë pune. Joaktivët ishin 22 mijë e 698 më shumë se e gjithë fuqia punëtore.

Gratë mbajnë barrën kryesore të kësaj zbrazëtie. 369 mijë e 551 ishin joaktive. Shkalla e joaktivitetit arrinte 68,8 për qind, ndërsa punësimi vetëm 26,8 për qind.

Edhe te të rinjtë, norma e papunësisë prej 20,5 për qind tregon vetëm një pjesë. Vetëm 33,6 për qind e grupmoshës 15–24 vjeç ishte aktive, ndërsa 89 mijë e 298 të rinj, ose 34,5 për qind, nuk ishin as në punë, as në shkollim apo trajnim.

Presioni po bëhet edhe demografik. Ndërmjet regjistrimeve 2011 dhe 2024, grupmosha 15–24 vjeç u tkurr 23,6 për qind; popullsia 65–79 vjeç u rrit 49,5 për qind dhe ajo mbi 80 vjeç 69,4 për qind.

Lajme të ngjashme