Mjekët raportojnë për pesë të vrarë nga sulmet ajrore izraelite në Gazë - NACIONALE

Mjekët raportojnë për pesë të vrarë nga sulmet ajrore izraelite në Gazë

1 orë më parë

nga NACIONALE

Sulmet ajrore izraelite në Gazë lanë të vrarë të paktën pesë palestinezë të hënën, thanë zyrtarët shëndetësorë.

Mjekët thanë se dy persona u vranë dhe disa të tjerë u plagosën, kur nga një sulm u godit një turmë njerëzish afër parkut publik komunal në qytetin Gaza, zonë e mbushur me familje të zhvendosura, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Më vonë të hënën, një sulm tjetër ajror izraelit goditi një automjet në lagjen Tel Al-Hawa, në pjesën perëndimore të qytetit Gaza, duke lënë të vrarë të paktën tre njerëz, shtuan mjekët.

Ushtria izraelite tha se në shënjestër të dy sulmeve ishin militantët e Hamasit, pa dhënë informata të mëtejme.

Në spitalin “Al Shifa”, qendra më e madhe mjekësore e enklavës, të afërmit dhe miqtë ua dhanë lamtumirën e fundit dy prej pesë burrave të vrarë të hënën para se t’i dërgonin në varre.

“Nuk ka armëpushim. Në Gazë nuk është as një ditë e mirë që nga 7 tetori (i vitit 2023)” – tha Amjad Abu Abdo, i afërm i njërit prej të vrarëve në sulmin e parë të hënën.

“Betohem se nuk flemë prej zhurmës së dronëve. Flemë të frikësuar se mund të goditemi” – shtoi ai.

Më shumë se 1.300 palestinezë janë vrarë në Gazë që nga hyrja në fuqi e një armëpushimi në tetorin e vitit të kaluar, sipas zyrtarëve shëndetësorë të enklavës. Ushtria izraelite thotë se katër ushtarë të saj janë vrarë gjatë kësaj periudhe.

Lajme të ngjashme