Akordi Kurti–Abdixhiku për Bekim Sejdiun nis me mosbesim të thellë nga opozita dhe kundërshti brenda LDK-së
Akordi ndërmjet kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe atij të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, për të propozuar profesorin universitar dhe ish-gjyqtarin e Gjykatës Kushtetuese, Bekim Sejdiu, për President të Republikës së Kosovës, është pritur me valë skepticizmi nga opozita, duke përfshirë edhe figura nga vetë radhët e LDK-së.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, e mbrojti figurën e Sejdiut duke vënë në pah bagazhin e tij në drejtësi, diplomaci dhe botën akademike, duke kujtuar përvojën e tij si ambasador në Turqi, konsull i përgjithshëm në Nju Jork dhe anëtar i Gjykatës Kushtetuese (2015–2021). Nga ana e tij, Sejdiu deklaroi se e ka pranuar këtë përgjegjësi për t’i shërbyer shtetit.
Megjithatë, emri i akorduar mes partive do të ballafaqohet menjëherë me filtrin e arkitekturës kushtetuese.
Rregullat për zgjedhjen e kreut të shtetit kërkojnë konsensus të gjerë: Kushtetuta kërkon dy të tretat e të gjithë 120 deputetëve, pra 80 vota në dy rundet e para; vetëm në rundin e tretë mjaftojnë 61 vota, me kushtin e panegociueshëm që në procesin e votimit të marrin pjesë të paktën 80 deputetë.
Goditja e parë dhe më domethënëse ndaj këtij kompromisi erdhi nga vetë brendësia e LDK-së. Ish-kryeministri dhe deputeti Avdullah Hoti deklaroi publikisht dhe prerazi refuzimin e tij për të mbështetur këtë kandidaturë.
Në reagimin e tij, Hoti thase vendimi i tij buron nga parimi institucional dhe jo nga animoziteti personal, duke vlerësuar se Sejdiu nuk përfaqëson një figurë unifikuese dhe as nuk reflekton vlerat dhe interesat e elektoratit të LDK-së:
“Nuk e përkrah këtë kandidaturë për President të Republikës së Kosovës, jo për arsye personale, por për një parim politik dhe institucional. Presidenti i Republikës duhet të jetë figurë unifikuese, e cila ndërton konsensus përtej interesave partiake dhe përfaqëson interesin e përgjithshëm të qytetarëve. Në vlerësimin tim, kjo kandidaturë nuk e përmbush këtë kriter,” deklaroi ndër të tjera Hoti, duke shtuar se mënyra e imponuar e kësaj zgjidhjeje po dëmton identitetin politik të LDK-së.
Në një prononcim për KosovaPress, kryetari i Partisë Demokratike, Bedria Hamza tha se VV-ja dhe LDK-ja, matematikisht, i kanë numrat, por mbetet të shihet nëse të gjithë deputetët e tyre do të jenë të pranishëm dhe do ta mbështesin kandidaturën.
“Ata kanë negociuar që disa muaj. Kanë arritur marrëveshje, nuk e di a do t’i kenë numrat, matematikisht i kanë, por me qenë të gjithë prezentë dhe të votojnë është çështje e këtyre dy subjekteve”, tha Hamza.
Ai u shpreh se PDK-ja nuk ka votë për kandidaturën, pasi propozimi nuk vjen nga kjo parti. Megjithatë, Hamza tha se Sejdiu është figurë e njohur për PDK-në.
“E njohim z. Sejdiu, e njohim edhe angazhimin e tij në të kaluarën, kështu që nuk është figurë e panjohur për neve”, deklaroi ai.
Duke folur për mundësinë që ndonjë deputet i PDK-së të votojë për Sejdiun, Hamza tha se nuk pret devijime nga qëndrimi i partisë.
Refuzim kategorik ka shfaqur edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Sekretari i Përgjithshëm i kësaj partie, Avni Arifi, në një deklaratë për Klan Kosova, bëri të qartë se subjekti i tij refuzon të bëhet pjesë e marrëveshjeve dypalëshe:
“Ne nuk jemi pjesë e projektit Kurti-Abdixhiku. U takon atyre të sqarojnë. Qëndrimi ynë është ai që kemi pasur para tre muajsh. Për ne asgjë nuk ka ndryshuar,” theksoi Arifi.
Ndërsa deputeti Burim Ramadani, e cilësoi marrëveshjen si "lojë me shtetin" për ndarje postesh, duke vënë në dyshim seriozitetin e saj:
“Pse s’po e thirrin sot seancën e Kuvendit? Mos të ishte lojë me shtetin kjo marrëveshja dypartiake, Kuvendi do të konstituohej menjëherë sot. Tash marrëveshjen për ndarje të posteve e kanë.”