Rinisja e sulmeve mes ShBA-së e Iranit e risjell shtrenjtimin e naftës - NACIONALE

Rinisja e sulmeve mes ShBA-së e Iranit e risjell shtrenjtimin e naftës

1 orë më parë

nga NACIONALE

Çmimet e naftës u ngritën për më shumë se 2 për qind të hënën, pasi rinisja e veprimeve ushtarake mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit i riktheu shqetësimet e tregjeve për pengesa ndaj furnizimit global me energji.

Çmimi i një fuçie nafte të papërpunuar në bursën “Brent” u rrit për 2,37 dollarë ose 2,69 për qind, ndërsa çmimi në bursën “West Texas Intermediate” u rritë për 2 dollarë ose 2,4 për qind, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Forcat amerikane goditën dy raketahedhës në Ishullin Larak të Iranit në Ngushticën e Hormuzit të dielën, sulmet e para të njohura amerikane ndaj vendit aziatik që nga fundi i korrikut.

Si kundërpërgjigje, Irani sulmoi dy baza ajrore amerikane në Jordani, raportuan të hënën mediat iraniane, duke e cituar Rojën Revolucionare të Iranit.

Ndërmjetësit po mundohen që të arrijnë te një marrëveshje për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, nëpër të cilën kalonte një e pesta e dërgesave globale të naftës para fillimit të luftës në fund të shkurtit, por përparimi ka ngecur.

Sekretari i Thesarit i ShBA-së, Scott Bessent, tha të hënën në një intervistë me mediumin CNBC se qëllimi i sanksioneve amerikane ndaj Iranit është që “të krijohen kushtet që ata të dëshirojnë të vijnë në tavolinë” për bisedime.

Lajme të ngjashme