Profil: Blerim Gashi, qytetari i panjohur nga Prizreni që u bë analist "falë" Arben Ahmetit - NACIONALE

Profil: Blerim Gashi, qytetari i panjohur nga Prizreni që u bë analist "falë" Arben Ahmetit

1 vit më parë

nga NACIONALE

Prej të gjithë analistëve, Blerim Gashi ka koeficientin më të madh për t’u bërë ish-analist. Për shkak të afërsisë me Lëvizjen Vetëvendosje, së paku në deklarime e qëndrime, ai vlerësohet se mund të jetë kandidat i VV-së për deputet në zgjedhjet e ardhshme. Madje një koleg i tij i universit të analistëve politikë, Fatmir Sheholli, tashmë i referohet Gashit si deputet i VV-së.

Ti nuk je komentator. Ti je kandidat i VV-së për deputet. Kjo është e vërtetë absolute”- i tha në katër sy (nejse…në katër kamera) Fatmir Sheholli z.Gashit, i cili nuk është se e mohoi mundësinë e kandidimit për deputet në listën e LV-së.

Në fakt, Gashi është një analist që i shkon të jetë deputet i VV-së. Në botën e deputetëve, z.Gashi ka një “vëlla siamez”, që i ngjan shumë për nga mënyra se si flet e çfarë thotë. Dimal Basha është Blerim Gashi - versioni deputet. Ose anasjelltas, varësisht nga pikëvështrimi.

Të shkruash për z.Gashin, siç i referohet vazhdimisht moderatori simpatik, Kushtrim Sadiku, është e vështirë. Jo për shkak të thëllësisë së mendimit, por pikërisht për mungesën e mendimit.

Ai është i çakorduar gjatë debatit, i paartikuluar mirë, vështirë i dëgjueshëm e shpesh patetik. Sidoqoftë, mbi të gjitha, ai është njeri i spektaklit. Me shumë gjasë, arsyet pse ai vazhdon të jetë në “Politiko” të Kanal10-shit, janë afërsia me LV-në dhe papërtesa për të bërë shou, e cila sjell shikueshmëri e klikime. Megjithatë, duhet pranuar se ai nuk është aq shoumen sa Valon Syla i “Pressing”-ut.

Qysh u bë analist?

Është jashtëzakonisht enigmatike, nëse jo mister i pazgjidhshëm, se si z.Gashi përfundoi si analist. Para se të bëhej analist, ai ishte një figurë tërësisht e panjohur në nivel nacional. Megjithatë, Gashi duket t’i ketë rënë në radar Arben Ahmetit, drejtor i Kanal10-shit, që e kanë të përbashkët prejardhjen gjeografike, të dy janë nga rajoni i Prizrenit.

Në një ditë të mirë me diell (ndoshta edhe me shi… nuk e dimë me shumë siguri), “prizrenaliu” i madh (pra z.Ahmeti) e ftoi “prizrenaliun” e panjohur (z.Gashin) të bëhej analist. Ndoshta të gjithë kanë qenë të befasuar me ardhjen e re, përfshirë vetë moderatorin Sadiku, panelistët, gazetarët, politikanët e, me shumë gjasë, edhe vetë populli. Sidoqoftë, Gashi nga Prizreni me sukses mbijetoi në skenën mediale si analist, duke qenë vazhdimisht pro Qeverisë Kurti.

Specifika: E folmja me zhargon

Gashi ka një intonacion të çuditshëm, që, përkundër gjatësisë së analizës, rrallë i ndryshon. Megjithatë, ajo çfarë e dallon nga të tjerët, është përdorimi i bastardizimeve gjuhësore, pra e folmja me zhargon. Gashi përdor shumë terma të së folmes së Prizrenit, që mund të cilësohet si “nëndialekt” i mbushur me sllavizma e turqizma.

Edep, sifat, baksuz, arnaut, kurumgji, yrnek, nijet, masllahat” janë veç disa nga termat e Gashit, që e ngjallin kurreshtjen për kuptimet që kanë te shikuesit që janë në moshë të re. Duhet pranuar, kjo e folme e bën simpatik Gashin, mu sikurse speciet e rrezikura që ngjallin simpati për fatin e tyre të parashkruar.

Gashi njihet edhe për një risi në diskursin mediatik. “Pe degazhon debatin!”, është fjalia që së fundmi analisti nga Prizreni ka filluar ta përdorë. Natyrisht, debati për thithjen e cucllës së Francës apo të Arabisë Saudite me hoxhë Mustafë Bajramin mbetet nga momentet më kulmore në karrierën e tij.

Kush i shkon nerva?

Gashi duket se ka një padurim për Halil Matoshin. Analisti nga Prizreni më së shumti përplaset me gazetarin veteran, pavarësisht temës që e kanë në debat. Sidoqoftë, Gashi, herë pas here, debaton ashpër edhe me Milaim Zekën. Megjithatë, ai gati kurrë nuk ka asnjë keqkuptim me z. Krenar Shalën, një tjetër analist i afërt me qendrime me LV-në.

Kosova ideale sipas Gashit:

Sipas Gashit, në Kosovën ideale, kryeministër është Albin Kurti. Andaj, lirisht mund të theksojmë se Gashi është duke jetuar tashmë në Kosovën ideale.

Kosova despotike, sipas Gashit:

Një Kosovë që qeveriset nga PDK-ja, LDK-ja, AAK-ja e NISMA, apo ajo që përkrahësit e LV-së e quajnë “ish-regjim”. Një Kosovë e tillë despotike ka vetëm një përgjigje nga Gashi: estagfirullah!

Fjala e preferuar: Çyli

Ndonëse e la Prizrenin për t’u bërë analist, z. Gashi vazhdon të jetë “prizrenali” i regjur. Aq sa fjala e tij e preferuar ende është “çyli”, një term derogativ për “katunarët” e që përdoret nga qytetarët e lashtë (sa Greqia antike) të Prizrenit për ta bërë shquarjen nga “ardhacakët”. Epo, mund ta largosh Blerimin nga Prizreni, por jo edhe Prizrenin nga Blerimi.

Orientimi politik: Karashmak

Është vështirë e kuptueshme se ku qëndron z. Gashi në kompasin ideologjik, sepse deri më sot nuk është se ka folur për çështje ideologjike, të tilla si “taksa e sheshtë apo progresive”, rishpërndarja e pasurisë, shteti i mirëqenies sociale etj., etj. Ai është jashtëzakonisht i papenetrueshëm në lidhje me orientimin e tij ideologjik, ndonëse atë politik e ka të qartë, është pro Lëvizjes Vetëvendosje e Albin Kurtit. Por, megjithatë, nuk mund t’i themi se është i majtë, as i djathtë. Me shumë gjasë, ai është i një ekletik, duke qenë edhe i majtë, edhe i dajthtë. Në zhargonin e Prizrenit, orientimi i z. Gashit është karashmak.

Nota: 3/10

Gashi është pa dyshim i denjë për notën 3. Ndonëse shpesh është i paartikuluar mirë, Gashi duhet të vlerësohet për një arsye: ai është ndër të rrallët analistë që nuk e fsheh pëlqimin e tij politik. Po ashtu, ngritja e Gashit si analist duhet të kuptohet si një sinjal i mirë për Kosovën. Pavarësisht prejardhjes rajonale, të gjithë e kanë mundësinë që të korrin sukses. Sepse Kosova është e të gjithëve.

*Vërejtje: Komentet e shprehura në këtë artikull nuk shprehin domosdoshmërisht qëndrime të gazetës Nacionale.

Lajme të ngjashme