Profil: Dukagjin Gorani ose analisti që flet si të jetë gjysmëhyjni e godet me ironi - NACIONALE

Profil: Dukagjin Gorani ose analisti që flet si të jetë gjysmëhyjni e godet me ironi

1 vit më parë

nga NACIONALE

Trrrp, trrrp, trrrp. Kjo është zhurma e makinës së shkrimit që dikur, me shumë gjasë, e ka shfrytëzuar edhe Dukagjin Gorani, ish-gazetar i shndërruar në analist. Nejse, edhe ish-politikan. Në fakt, makina e shkrimit, që tash ka dalë gati krejtësisht jashtë përdorimit, shënon edhe një tipar të z.Gorani - të kaluarën e tij.

Gorani, si pak kush, krenohet për vitet që i ka, për mbamendjen e tij historike. Pra ai bën një ndërlidhje mes vjetërsisë së tij biologjike dhe vërtetësisë së fjalëve që dalin nga goja e tij.

"Unë këtu kam qenë" është fjalia e Goranit, me anë të së cilës synon t’i frikësojë rioshët në universin e analizës politike. Sidoqoftë, të qenët i pranishëm nuk e nënkupton domosdo edhe rrokjen e realitetit. Në fakt, distanca emocionale e kohore është parakusht për hapërimin drejt së vërtetës.

Sa për ilustrim: imagjinoni një situatë ku takohet makina e shkrimit me internetin. Si do të dukej ai diskutim? Pak a shumë, si fjalia e Goranit: Unë kam qenë këtu para teje. Natyrisht, e vërtetë, por e vërtetë krejtësisht e padobishme. Çka tjetër pos një nostalgji e pakuptimtë, e mbështjellë me inatin që i ka ikur koha?

Ai i zgjedh fjalët, shpesh flet ngadalë dhe me kujdes, i ripërsërit të njëjtat fjalë, duke gjetur sinonime nga shqipja tek anglishtja, dhe anasjelltas. Pauzat mes fjalive lënë të nënkuptojnë se e ka të vështirë artikulimin e mendimit. Ndoshta është nga kujdesi i tepruar ose ndoshta dëshiron ta mbajë vëmendjen e shikuesve.

Kur kthehet në të kaluarën, shpesh flet si të ishte ndonjë kronist osman, duke vulosur një opinion të vetin si të ishte fakt i kryer. Toni i tij jep një mesazh të qartë: kush je ti të hedhësh dyshime mbi fjalën time?

Megjithatë, le t'i kthehemi pikërisht të kaluarës së tij.

Qysh u bë analist?

Gorani është gazetar veteran. Ishte për një kohë kryeredaktor i “Kohës Ditore”, madje edhe gjatë periudhës së luftës së viteve 1998 dhe 1999. Pas luftës, e mori nën udhëheqje “Express”-in, përsëri si kryeredaktor. Për një kohë u angazhua edhe në shoqëri civile.

E kur përfundoi me karrierën në shoqëri civile, Gorani u zhyt në një botë tjetër: atë të politikës, më saktësisht të këshillëdhënies. Ai u bë këshilltar i Hashim Thaçit, pasi ish-lideri i Partisë Demokratike të Kosovës i fitoi zgjedhjet e përgjithshme. Qëndroi për disa vjet, për t'u bërë më pas analist politik.

Për disa vjet ishte analist në “Click” të RTV 21, ku gati vazhdimisht e kritikonte ish-shefin e tij, Thaçin, dhe e lavdëronte Albin Kurtin, që atë kohë ishte një yll në ngritje në politikë. Nga “Click”-u shkoi në Lëvizjen Vetëvendosje për t'u bërë deputet. Iku nga LV-ja së bashku me shumë aktivistë e deputetë të tjerë për ta themeluar PSD-në. Në mënyrë të tmerrshme, Gorani humbi në zgjedhjet parlamentare të vitit 2019.

Fat në fatkeqësi. Një dritare, ajo e politikës, iu mbyll Goranit, për t'iu hapur një deriçkë tjetër, ajo e analistit. U rikthye përsëri në habitatin e tij të natyrshëm, duke u bërë analist i rregullt në “Pressing” të T7-shit, por jo me shkëlqimin e dikurshëm që e kishte në “Click”, paksa si makina e shkrimit në kohë të internetit - dhe me qëndrime krejtësisht të kundërta nga ajo kohë. Gorani tash është një anti-albinist i regjur.

Orientimi Politik: Fryma

Dukagjini është përcjellës i frymës, i rrymës dominuese politike, pavarësisht ideologjisë. Ai dikur ishte këshilltar i një kryeministri të djathtë, për t'u bërë pastaj anëtar i një lëvizjeje të majtë, me të cilën u zgjodh deputet. Doli nga aty e shkoi në PSD, po ashtu e majtë, për të hyrë në koalicion me AAK-në, një parti e djathtë.

Gorani më pak flet për ideologji, më shumë për dialogun me Serbinë. Është një nuhatës i mirë i momentumit politik, duke u rreshtuar, së paku dy herë, në krahun e fituesve.

Specifika: Analiza të gjaaaaaata... dhe ironi

Dukagjin Gorani duhet të vlerësohet për dy gjëra: për gjatësinë e analizave dhe për ironinë që e përdor herë pas here në panelet e diskutimit. Në këtë gjatësi ka edhe interpretime interesante, që e kapërcejnë gjuhën e zakonshme të analistëve, që është shpeshherë e nivelit të çajtoreve. Pra Gorani, në raste, posaçërisht kur flet për kohën e Jugosllavisë, është jo vetëm lehtësisht i dëgjueshëm, por edhe kirurgjikisht i saktë.

Ironia e tij, që jo rrallëherë ndiqet nga pyetjet retorike, është absolutisht më e mira në televizionet e Kosovës - dhe ndoshta arma më e fortë e tij, që i zë të papërgatitur bashkëbiseduesit dhe i vë në pozita të vështira. Kjo armë mund të interpretohet edhe si arrogancë. Megjithatë, duhet pranuar se ajo është armë e përdorur mirë.

Kush i shkon nerva?

Pak a shumë të gjithë. Sidoqoftë, janë dy njerëz që në mënyrë specifike i shkojnë nerva në “Pressing”: Sadri Ramabaja dhe Shkëlzen Gashi, njëri aktivist i LV-së e tjetri ish-këshilltar i Kurtit. Madje këtë gjë ai nuk e fsheh. Herë me gjeste, herë me pasthirrma si "oh", herë me ironi e herë me pyetje retorike. Pra pak satirë e pak indiferencë ndaj asaj çfarë thonë Ramabaja e Gashi.

"Zoti na lashtë shnosh" ishte përgjigjja epike e Goranit për deklaratën e Ramabajës rreth "vdekjes" së Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Ironia e Goranit, që duket të jetë e natyrshme, e ka kompleksuar aq shumë Gashin, sa ai në emisionet e fundit ka filluar një tentim dëshpërues për t’ia kthyer Goranit me të njëjtën monedhë. Deri tash, pa sukses.

Specialiteti: Qëndrimi prej Zeusi

Gorani është pothuajse tërësisht i heshtur gjatë kohës sa tjetri flet, aq sa e krijon përshtypjen se nuk po e dëgjon folësin. Ai ka një qëndrim prej gjysmë hyjnie, duke tentuar që edhe me gjestet e tij të krijojë një aurë autoriteti. Në botën e Goranit ka vend vetëm për të vërtetën e tij, lartësia e së cilës është e paarritshme nga të tjerët.

Nota: 7/10

Megjithatë, Gorani meriton një notë më të lartë se shumica e analistëve. Përveç gjuhës së pasur, që nganjëherë bëhet e mërzitshme për shkak të tautologjisë së panevojshme, Gorani ka edhe mbamendje historike. Edhe lexime të mjaftueshme teorike (së paku kështu krijohet përshtypja nga diskutimet e tij). Ironia dhe pyetjet retorike, nga të cilat karakterizohet Gorani, e bëjnë meritor për notën 7. Ai do të mund të vlerësohej edhe më shumë, sikurse të mos kishte inat politik, fatalitet në mendim (p.sh.: ndërkombëtarët vendosin për ne) dhe qëndrim jo rrallë arrogant. Dhe, sigurisht, Gorani duhet të kuptojë që ekzistenca e tij biologjike nuk është parakusht i saktësisë së fjalëve, sepse mosha është thjesht numër.

*Komentet e shprehura nuk përbëjnë detyrimisht qëndrim të redaksisë së gazetës Nacionale. Duke klikuar KËTU mund t'i lexoni të gjitha profilet e deritashme dhe ato të ardhshmet.

Lajme të ngjashme