Irani “s’e ka në plan të bisedojë me ShBA-në” pavarësisht pretendimeve të Trumpit - NACIONALE

Irani “s’e ka në plan të bisedojë me ShBA-në” pavarësisht pretendimeve të Trumpit

2 ditë më parë

nga NACIONALE

Mediat shtetërore në Iran kanë raportuar se delegacioni iranian në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara nuk ka bisedime të planifikuara me Shtetet e Bashkuara, pasi presidenti amerikan, Donald Trump, tha se pret më shumë negociata.

“Delegacioni i Iranit në Nju-Jork nuk ka plane për bisedime me Shtetet e Bashkuara”, raportoi agjencia zyrtare iraniane e lajmeve, IRNA, duke cituar një burim të paidentifikuar, transmeton gazeta “The Guardian”.

Trumpi i tha mediumit amerikan “Axios” të dielën se pret që bisedimet të rinisin së shpejti, një ditë pasi refuzoi një propozim të Teheranit për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit brenda shtatë ditësh.

“Pikëpamjet dhe pozicionet e Iranit i janë përçuar qartazi dhe në mënyrë të hapur palës amerikane... përmes një ndërmjetësi nga Katari”, raportoi agjencia IRNA, duke shtuar se delegacioni iranian do të kthehet në Teheran të martën.

Irani thotë se ka paraqitur shtatë kushte për përfundimin e luftës dhe rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, rrugë detare jetike nëpër të cilën para luftës kalonte rreth 20 për qind e dërgesave globale të naftës dhe gazit.

Mediumi “Axios” tha se bisedimet e tërthorta, të ndërmjetësuara nga Katari, mund të nisin të hënën, më pak se një javë pas diskutimeve të ngjashme mes emisarëve amerikanë, Steve Witkoff e Jared Kushner, dhe ministrit të Jashtëm të Iranit, Abbas Araghchi.

Irani kërkon armëpushim 7-ditor në mbarë Lindjen e Mesme, përfshirë Libanin, ku aleati i tij, Hezbollahu, bombardohet rregullisht nga Izraeli.

Teherani gjithashtu po e kërkon zhbllokimin e aseteve që i ka jashtë vendit, heqjen e sanksioneve ndaj sektorit të naftës dhe përfundimin e bllokadës detare amerikane ndaj porteve iraniane. Këto kërkesa u refuzuan të shtunën nga presidenti amerikan.

Lajme të ngjashme