AP: Netanyahu udhëtoi fshehtas në Emiratet e Bashkuara, i shtroi një kërkesë udhëheqësit - NACIONALE

AP: Netanyahu udhëtoi fshehtas në Emiratet e Bashkuara, i shtroi një kërkesë udhëheqësit

2 ditë më parë

nga NACIONALE

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, udhëtoi në mënyrë sekrete në Emiratet e Bashkuara Araba në fundjavë për të kërkuar nga udhëheqësi i këtij shteti që t’i mohojë raportimet se ai e kishte paralajmëruar Netanyahun për një rrezik në ardhje nga Hamasi para se grupi militant palestinez ta kryente sulmin e 7 tetorit të vitit 2023 në jug të Izraelit.

Takimi mes Netanyahut dhe Sheikh Mohamed bin Zayed Al Nahyan u zhvillua të dielën, konfirmuan të hënën dy persona që ishin të njoftuar rreth udhëtimit të kryeministrit izraelit, raporton agjencia e lajmeve “Associated Press”.

Sipas këtyre dy personave, takimi mes dy udhëheqësve zgjati një orë. I pari për këtë ngjarje raportoi televizioni izraelit, “Channel 12”.

Njëri nga personat tha se diskutimet ishin të përqendruara në një raport të publikuar nga gazeta izraelite “Haaretz” më herët këtë muaj, ku thuhej se udhëheqësi i Emirateve të Bashkuara e kishte paralajmëruar Netanyahun për një sulm që mund të vinte nga Hamasi para se të ndodhte ai i 7 tetorit të vitit 2023.

Netanyahu kërkoi nga udhëheqësi i Emirateve të Bashkuara që ta mohonte raportin, sipas një personi që thuhet se ka të dhëna të dorës së parë për takimin. Zyra e Netanyahut më parë e kishte hedhur poshtë raportin e gazetës “Haaretz”.

Ministria e Jashtme e Emirateve të Bashkuara refuzoi që t’i komentonte raportimet për takimin, por theksoi se mban “linja të hapura dhe të drejtpërdrejta të komunikimit” me Izraelin dhe i ndan “të gjitha të dhënat relevante të inteligjencës” me këtë shtet.

Nuk pati koment të menjëhershëm nga zyra e Netanyahut.

Lajme të ngjashme