Profil: Visar Ymeri – analisti që i "shkon nerva" më së shumti Albin Kurtit - NACIONALE

Profil: Visar Ymeri – analisti që i "shkon nerva" më së shumti Albin Kurtit

1 vit më parë

nga NACIONALE

Vetëvendosja është quajtur “sekt” nga shumë kundërshtarë të saj për shkak të mënyrës se si operon. Sidoqoftë, askush nuk ilustron më mirë një gjë të tillë sesa Visar Ymeri. Visar Ymeri si analist në "Debat Plus" si kontrast i Visar Ymerit si kryetar dhe aktivist i partisë së Kurtit. Më poshtë do ta merrni vesh pse.

Analisti që shfaqet në emisionin "Debat Plus", është ndoshta plusi i vetëm i këtij debati. Pa të, "Debat Plus"-i i Ermal Pandurit do të ishte realisht “Debat Minus”. Pra më pak se debat.

Ymeri është aq i kthjellët në analizat e tij, sa nuk ta jep përshtypjen se bën pjesë në të njëjtën hallakamë mendimesh gjysmake të debateve tona politike.

Megjithatë, matanë kësaj hallakame, kontrasti është edhe më i madh me Visar Ymerin e Vetëvendosjes. Visari i VV-së ishte përforcues i qëndrimeve të ngushta partiake, hermetikisht i mbyllur ndaj çdo qëndrimi ndryshe dhe përhapës i gjuhës së urrejtjes dhe jotolerancës.

Ymeri i sotëm është e kundërta gati e plotë e Ymerit të Vetëvendosjes: ai i çmonton qëndrimet e ngushta partiake, është i hapur ndaj secilit mendim ndryshe, është skajshmërisht tolerant, ka sens humori, është dashamirës me kundërshtarë dhe ka gjuhë trupore krejt të ndryshme.

Nëse Ymeri i VV-së ta jepte përshtypjen me çehren nevrike se ishim në kohë lufte - në një rrezik tepër të lartë që po e kanoste Kosovën në çdo moment – Ymeri i RTV Dukagjinit ta jep përshtypjen se jeton në një vend të lirë e të pavarur që s’do të marrë fund në asnjë moment.

Kosova nuk është çliruar pas daljes së Ymerit nga Vetëvendosja! Kosova është çliruar më 1999. Visar Ymeri është çliruar pas daljes së Visar Ymerit nga Vetëvendosja!

Dhe është pikërisht për shkak të këtij kontrasti, arsyeja pse besojmë që ai i shkon më së shumti nerva Albin Kurtit. Ymeri është çliruar nga "vargonjtë e qëndrimeve të ngurta" me të cilat ishte lidhur shtrëngueshëm dikur. Është i lirë – dhe përbën rrezik që edhe aktivistët e tjerë ta mendojnë lirinë nga mendimi uniform.

Qysh u bë analist?

Visar Ymeri është i vetmi që duket se, pas daljes nga Vetëvendosja, i ka pritur sulmet e pareshtura të militantëve me gjuhë dehumanizuese ndaj tij. Nëse këto sulme i mbushën me mllef disa të tjerë – ndoshta me të drejtë - kjo nuk ndodhi me Ymerin. Kritika e tij nuk ka trohë mllefi dhe kjo, pak a shumë, e bëri edhe analist të zotin.

Specifika: Dëgjues i mirë

Visar Ymeri është i vetmi analist ndoshta në të gjitha debatet televizive që nuk provon t'i asimilojë premisat e një qëndrimi të analistëve tjerë. I vetmi që nuk provon të fitojë një debat. Dhe i vetmi që mu për atë arsye, i dëgjon mirë e me kujdes të gjithë parafolësit.

Kjo kulturë komunikimi bazohet në idenë se funksioni themelor i debatit nuk duhet të jetë zbavitja e audiencës përmes garës se cili e poshtëron më shumë ose më mirë tjetrin – e ku pashmangshmërisht përfshihen vlerat patriarkale, seksiste, raciste, homofobe etj. të audiencës. Debati ka për funksion të sqarojë diçka, çfarëdo.

Dhe Ymeri duket i interesuar edhe të sqarojë, por edhe të sqarohet.

Kush i shkon nerva?

Ymeri ndihet i çliruar! Nuk i shkon nerva askush, madje as Ermal Panduri me sondazhet e tij që i shpërndahen në grupin e simpatizantëve të Vetëvendosjes, “#MeKryeministrin”. Një maturi për lakmi!

Kosova ideale sipas Ymerit

Nuk do shumë mend. Një Kosovë ku punëtorët nuk trajtohen si skllevër. Me mundësi të barabarta ekonomike. Pa shkelje të të drejtave të pakicave. Me një sferë publike më tolerante. Pa seksizëm. Dhe, ndoshta, me Albin Kurtin si analist në debate televizive përballë tij?

Kosova distopike sipas Ymerit

Një Kosovë që i nënshtrohet plotësisht një njeriu.

Fjala e preferuar: “Shiko...”

Ymeri di të mos pajtohet me mendimet e analistëve të tjerë dhe këto mospajtime nisin zakonisht me “shiko...”.

Shikoni se si i foli Ymeri Yll Hoxhës për problemin e targave mbrëmë: “(Shiko) Pajtohem që vendimi për targat është parimor. Por a ia vlen ta rrezikojmë marrëveshjen eventuale me Serbinë për një vendim për targat? I rëndësishëm është edhe investimi në paqe. Paqja rajonale është gjëja më e rëndësishme aktualisht – për shkak të luftës në Ukrainë.”

Po të ishte ende në Vetëvendosje, ndoshta Yll Hoxha do të kishte një kundërpërgjigje.

Orientimi politik: I majtë

Visar Ymeri është tamam i majtë dhe e artikulon e kontekstualizon këtë ideologji aktivisht nëpër debate. Për më tepër, ai e ka kritikuar vazhdimisht Vetëvendosjen për zbatim ose vendosje politikash të djathta përkundër deklarimit të saj si parti e majtë.

Nota: 9/10

Të gjithë e dimë se është e preferueshme që analistët të mbajnë anë në mënyrën sa më të qartë të mundshme nëpër debate televizive: Pro-VV vs. Anti-VV! Kjo preferencë shtrohet nga vetë televizionet, që duan audiencë më të lartë. E audienca e do spektaklin, që prodhohet nga përplasje të kuptueshme.

Ymeri është ndër të paktët që nuk i është nënshtruar kësaj logjike dhe nuk e ka përmbushur këtë detyrë, përkundër krejt telasheve që mund t’i dalin me televizionin ku shfaqet. Dhe një gjë të tillë e ka bërë gati në mënyrën më të mirë të mundshme.

*Komentet e shprehura nuk e pasqyrojnë domosdo qëndrim redaktorial të gazetës Nacionale. Po ashtu, autori nuk pretendon ta profilizojë gjithë angazhimin publik të z. Ymeri, por vetëm të ofrojë përshtypje mbi praninë e tij si analist në debate televizive. Profilet do të publikohen tash e tutje çdo të dytën ditë.

Lajme të ngjashme