Ukraina përdor dron për të dërguar ushqim e ilaçe në Oleshky-n e pushtuar nga Rusia - NACIONALE

Ukraina përdor dron për të dërguar ushqim e ilaçe në Oleshky-n e pushtuar nga Rusia

3 orë më parë

nga NACIONALE

Ushtria ukrainase ka përdorur dronë për të shpërndarë ushqim dhe ilaçe në qytezën e pushtuar nga Rusia, Oleshky, tha guvernatori i rajonit të Khersonit, kur zyrtarët po paralajmërojnë për një krizë humanitare që po përkeqësohet.

Guvernatori Oleksandr Prokudin tha të dielën se, në operacionin e fundit, dronë që mund të bartin pesha të rënda dërguan rreth katër tonë ushqime e dërgesa mjekësore në 100 lokacione në mbarë qytezën, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Oleshky, qytezë në vijën e frontit, buzë Lumit Dnipro, që i ndan forcat ruse e ukrainase, është nën pushtimin rus që nga viti 2022.

Prokudini tha se afro 2.000 njerëz, përfshirë rreth 50 fëmijë, janë duke u mbajtur “peng”, pa ushqim, rrymë e ujë, dhe i akuzoi forcat ruse se nuk po i lejojnë këta banorë që të largohen nga qyteza.

Zyrtarët ukrainas kanë paralajmëruar se situata në Oleshky po shkon duke u rënduar.

Misioni Vëzhgues për të Drejtat e Njeriut i OKB-së në Ukrainë ka thënë se banorët kanë duruar me muaj mungesë ushqimesh dhe qasje “tepër të kufizuar” në nevoja themelore.

Avokati i popullit i Ukrainës, Dmytro Lubinets, u tha mediave ukrainase këtë muaj se Rusia nuk është pajtuar me propozimet ukrainase që ta lejojë evakuimin e civilëve nga Oleshky.

Kremlini tha javën e kaluar se Oleshky ka probleme kritike me furnizimin me ushqim dhe ilaçe, por se ushtria ruse është duke punuar për zgjidhjen e tyre.

Lajme të ngjashme