Italia dënon tre egjiptianë në mungesë për rrëmbimin e studentit Regeni - NACIONALE

Italia dënon tre egjiptianë në mungesë për rrëmbimin e studentit Regeni

4 orë më parë

nga NACIONALE

Një gjykatë italiane të hënën dënoi tre zyrtarë egjiptianë të sigurisë në mungesë për rrëmbimin e studentit Giulio Regeni në vitin 2016, trupi i torturuar i të cilit u gjet disa ditë pas zhdukjes së tij në Kajro, por rrëzoi një akuzë për vrasje ndaj një të pandehuri tjetër.

Tre burrat u dënuan me nga dhjetë vjet burgim, ndërsa një zyrtar tjetër egjiptian u lirua nga akuzat për çfarëdo përfshirjeje në rastin që i ka tensionuar rëndë marrëdhëniet mes dy vendeve. Autoritetet italiane thanë se nuk kanë arritur që ta përcaktojnë vendndodhjen e të akuzuarve, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Regeni, student 28-vjeçar i diplomuar në Universitetin e Keimbrixhit në Britani, ishte zhdukur në kryeqytetin egjiptian më 25 janar 2016. Trupi i tij ishte gjetur gati një javë më vonë. Sipas autopsisë, trupi ishte torturuar në masë të konsiderueshme.

Egjipti ka thënë se për vdekjen e studentit italianë janë kriminelët, ndërsa Italia ka thënë se Regeni ishte në konflikt me shtetin egjiptian, sepse hulumtimi i tij përfshinte një temë politikisht të ndjeshme – sindikatat.

Katër burrat u gjykuan në mungesë sipas legjislacionit italian, i cili e lejon ndjekjen penale të krimeve të kryera jashtë vendit kundër shtetasve italianë. Megjithatë, ka pak gjasa që të shpallurit fajtorë do të ekstradohen ndonjëherë për ta vuajtur dënimin me burgim.

Gjatë leximit të vendimit, një gjykatëse tha se Major Magdi Sharif nga Shërbimi i Përgjithshëm i Inteligjencës në Egjipt, shefi i hetimeve në policinë e Kajros, Kolonel Ather Kamal, dhe koloneli policor, Hisham Helmy, janë fajtorë për “rrëmbim të rëndë” të Regenit.

Gjykatësja e liroi Gjeneral Major Tarek Sabir-in, ish-shef i sigurisë shtetërore, nga akuza e njëjtë dhe gjithashtu e hodhi poshtë akuzën për konspiracion për të kryer vrasje të rëndë ndaj të dënuarit Magdi Sharif.

Lajme të ngjashme