Zelensky zbuloi diçka në OKB, Koreja e Jugut e thërret në takim ambasadorin e Ukrainës - NACIONALE

Zelensky zbuloi diçka në OKB, Koreja e Jugut e thërret në takim ambasadorin e Ukrainës

1 ditë më parë

nga NACIONALE

Koreja e Jugut e ka ftuar në takim ushtruesin e detyrës së ambasadorit ukrainas në Seul, pasi presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, javën e kaluar njoftoi se qeveria e tij kishte transferuar dy ushtarë të kapur koreanoverior në Seul.

Zëvendësministri i Jashtëm i Koresë së Jugut, Park Yoon-joo, i paraqiti një ankesë formale ushtruesit të detyrës së ambasadorit ukrainas në Seul, Andrii Vieshkin, dhe shprehu “keqardhje të thellë” që Zelensky e kishte zbuluar transferimin e dy ushtarëve të kapur. Seuli tha se një gjë e tillë duhej të ishte sekrete, raporton televizioni BBC.

Dy koreanoveriorët, të cilët ishin në mesin e mijëra ushtarëve që po e mbështesin Rusinë në luftën kundër Ukrainës, u kishin thënë më herët mediave lokale se dëshironin që të dërgoheshin në Korenë e Jugut.

Presidenti i Koresë së Jugut, Lee Jae Myung, e quajti zbulimin e kësaj informate nga Zelensky “shumë zhgënjyese” dhe tha se transferi i dy ushtarëve është “çështjes shumë e ndjeshme” që e prek sigurinë kombëtare.

Ministria e Jashtme e Ukrainës refuzoi që të komentonte, kur u kontaktua nga BBC-ja.

Në fillim të vitit 2025, Ukraina tha se forcat e saj kishin zënë robër lufte dy ushtarë të Koresë së Veriut në rajonin Kursk të Rusisë.

Pas më shumë se një viti bisedimesh mes Seulit e Kievit, Zelensky njoftoi se ata ishin transferuar në Korenë e Jugut. Këtë njoftim e dha të mërkurën në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, duke shtuar se ushtarët “nuk ishte e lehtë që të kapeshin të gjallë”.

Seuli e konfirmoi lajmin, por e kritikoi ashpër Zelenskyn për gjoja shkeljen e një marrëveshjeje që transferimi i dy ushtarëve të mbahej sekret.

Lajme të ngjashme