Babis thotë se Çekia do të ishte e gatshme për kundërpërgjigje ndaj një sulmi rus në Baltik
Republika Çeke do të ishte e gatshme për përmbushjen e zotimeve të saj brenda NATO-s në rast të një sulmi rus ndaj ndonjë shteti të Baltikut, tha të martën kryeministri i këtij shteti, Andrej Babis.
Babis, në koalicionin qeveritar të të cilit bën pjesë edhe një parti pro-ruse e kundër emigrantëve, i ka ndërprerë kontributet e Çekisë në ndihmat ushtarake për Ukrainën dhe ka hequr dorë nga zotimet e BE-së dhe NATO-s për ndihmë financiare dhe ushtarake për Kievin, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Ai në mënyrë të përsëritur ka folur për nevojën që udhëheqësit evropianë ta promovojnë paqen dhe është kritikuar në një fushatë të zgjedhjeve presidenciale më 2023, pasi kishte thënë se nuk do të dërgonte ushtarë çekë për të luftuar për aleatët.
I pyetur nga mediumi “Denik” nëse Praga është duke u përgatitur për mundësinë e veprimeve ruse kundër NATO-s, që është ngritur nga disa shërbime sekrete të vendeve të NATO-s, Babisi tha se ai është duke zhvilluar diskutime për sfidat e sigurisë, përfshirë ato me presidentin Petr Pavel.
“Fakti që ne nuk flasim për këtë dhe gazetarët nuk marrin material për artikujt e tyre nuk do të thotë që ne nuk e adresojmë këtë” – tha kryeministri çek në një video-intervistë.
“Natyrisht se ne jemi duke u përgatitur. Nëse, mos e bëftë Zoti, Rusia sulmon një shtet të Baltikut, atëherë, sipas Nenit 5 (zotimi i vendeve të NATO-s për mbrojtje të përbashkët), ne duhet të dërgojmë dy prej brigadave tona të mekanizuara” – tha ai.
“Natyrisht se ne do të ishim aktivë dhe ne flasim për këtë, por nuk shoh arsye që të ndaj të dhëna të klasifikuara” – shtoi Babisi.
Qeveritë evropiane dhe shërbimet perëndimore të inteligjencës kanë thënë se ka gjasë të shtuar që Rusia ta rrisë numrin e sulmeve hibride si sabotimi ose madje edhe kryerjen e një sulmi të kufizuar ushtarak.