Visar Ymeri pa "dorëza" te Intervista e Buzhalës: Flet për kohën para, gjatë dhe pas VV-së - NACIONALE

Visar Ymeri pa "dorëza" te Intervista e Buzhalës: Flet për kohën para, gjatë dhe pas VV-së

1 vit më parë

nga NACIONALE

Visar Ymeri është i ftuari i radhës i Intervistës së Buzhalës.

Ish-kreu i Lëvizjes Vetëvendosje flet për kohën sa ka qenë pjesë e VV-së, gjatë dhe pas largimit.

Fillimisht autori Berat Buzhala prezantoi mysafirin në bazë të angazhimit të tanishëm, duke thënë se është pjesë e Shoqërisë Civile dhe se udhëheq institutin "Musine Kokalari".

Pjesën e parë ata kujtuan përvojën e përbashkët, atë të të qenurit deputet, ndërsa më pas folën rreth situatës politike.

"Po, shiko politika e ka tërheqjen e vet. Jeta në politikë e ka adrenalinën e saj. Por, kur del nga politika e kupton se ky është fundi, por e sheh se ka jetë", tha fillimisht Ymeri.

Tutje, dikur numri një i partisë që tani drejton shtetin, tha se tani është më mirë. Pra, jeta jashtë politikës.

"Momentalisht jam mirë. Ushtroj profesionin që më pëlqen. Pra merrem me politika sociale", vazhdoi ai.

Ymeri para shikuesve të RTV21 e Nacionales tregoi për takimin e parë e të fundit me kryeministrin aktual dhe fillimin e fundit të angazhimit në parti.

"Takimi i fundit me Albinin ka qenë dy ditë para se të dalë. Pra, pak para Vitit të Ri 2018, kur ai doli nga burgu, pra në fund të 2017-ës. Aty ia kumtova dorëheqjen nga pozita e kryetarit edhe pse nuk e dija se do të dilja nga Vetëvendosje. Dolën më pas ato komunikime në publik. Doja të tregoja që dorëheqja ime është një lloj alarmi. Ne u detyruam në njëfarë mënyre që të largoheshim", vazhdoi ai.

Veç kësaj, Ymeri tregoi edhe periudhën e anëtarësimit në KAN, pararendëse e VV-së.

"Fillimisht jam anëtarësuar në KAN. Pastaj më pas kam kaluar në VV. Në vitin 2005. Interesant ka qenë që të regjistrohemi në politikë. Ne refuzonim, sepse kishim argumente. Më pas, me shpalljen e Pavarësisë, ky argument ra. Më pas, më i zëshmi për t'u regjistruar si parti ishte Liburn Aliu", potencoi Ymeri.

Jo vetëm kaq. Ai tregoi shumëçka rreth Vetëvendosjes së para-pavarësisë, pas saj si dhe periudhën tjetër kur veç u barazua në sistemin politik, duke marrë pjesë në zgjedhje.

"Një hap para, dy prapa. Dhe çështja e Flamurit. Nuk është ai shqiptar. Pra sërish te vlerat kombëtare. Edhe sot në VV nuk ka urrejtje ndaj serbëve. Ne kemi pasur probleme me Serbinë. Ne kemi pasur kundërshtime ndaj komunave serbe sepse ato shiheshin si mekanizma. Albini nuk ka urrejtje ndaj serbëve", pohoi ai.

Këtu ndërhyri edhe autori Buzhala, duke treguar një përvojë të përbashkët me të parin aktual të Kuvendit, kur pas emisionit bisedonin për çështjen e Pavarësisë, duke cituar Konjufcën ku i kishte thënë se nuk e besonte atëherë që pavarësia do të ishte e atillë dhe se do të njihej nga aq shumë vende.

"Unë mendoj që Albin Kurti e ka edhe personale me Hashim Thaçin po në aspektin politik, sepse sipas Kurtit Thaçi kishte ndikim politik dhe që ishte dikush që po e tjetërsonte konceptin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Idenë për të cilën është luftu. Tash, nuk mundem me thënë që nuk e ka pasë hiç personale me Hashim Thaçin, sepse e patën shndërru në diçka që e kritikonim vazhdimisht, prej negociatave e këndej. Në fakt edhe në Vjenë ai ka qenë më i godituri edhe pse ishte opozitë, edhe pse nuk ishte i vetmi aty. Ne sërish e konsideronim atë si më të fortin e UÇK-së dhe po e bënte këtë dëmin ", vazhdoi ai.

Siç edhe mund ta keni vërejtur, në pjesën e epërme të tekstit gjendet episodi i plotë, e të cilin ju ftojmë ta ndiqni. Shikim të këndshëm.

Lajme të ngjashme