ShBA-ja e ka furnizuar në mënyrë sekrete Ukrainën me raketa balistike me rreze të gjatë, ATACMS - NACIONALE

ShBA-ja e ka furnizuar në mënyrë sekrete Ukrainën me raketa balistike me rreze të gjatë, ATACMS

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Ukraina ka filluar që të përdorë raketa balistike me rreze të gjatë që i janë dhënë në mënyrë të fshehtë nga Shtetet e Bashkuara kundër forcave pushtuese ruse, kanë konfirmuar disa zyrtarë amerikanë.

Këto armë ishin pjesë e një pakoje të ndihmave me vlerë të 300 milionë dollarëve, e miratuar nga presidenti Joe Biden në mars dhe arritën në Ukrainë këtë muaj, raporton televizioni BBC.

Raketat me rreze të gjatë tashmë janë përdorur të paktën një herë për të sulmuar caqe ruse në Krimenë e pushtuar, raportojnë mediat amerikane.

Shtetet e Bashkuara më parë e kishin furnizuar Ukrainën me një version me rreze të mesme të sistemit ATACMS, por kanë ngurruar që të dërgojnë ndonjë armë më të fuqishme, pjesërisht për shkak të shqetësimeve rreth komprometimit të gatishmërisë ushtarake të ShBA-së.

Megjithatë, thuhet se Bideni ia dha në shkurt në mënyrë sekrete dritën e gjelbër për t’ia dërguar Ukrainës sistemin me rreze të gjatë, që mund të hedhë raketa në largësi deri në 300 kilometra.

“Mund të konfirmoj se Shtetet e Bashkuara e furnizuan Ukrainën me ATACMS me rreze të gjatë me udhëzimin e drejtpërdrejtë të presidentit” – tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Vedant Patel.

ShBA-ja “nuk e njoftoi këtë në fillim me qëllim që të mbahet siguria operacionale për Ukrainën me kërkesën e tyre”, shtoi ai.

Nuk është e qartë se sa sisteme të tilla i janë dërguar Ukrainës, por këshilltari për Siguri Kombëtare i ShBA-së, Jake Sullivan, tha se Uashingtoni planifikon që të dërgojë më shumë sisteme të këtij lloji në vendin e goditur nga lufta.

Raketat me rreze të gjatë u përdorën për herë të parë javën e kaluar për të sulmuar një fushë ajrore ruse në Krimenë e pushtuar, citohet të ketë thënë një zyrtar i paidentifikuar amerikan për agjencinë “Reuters”.

Raketat e reja u përdorën edhe në një sulm ndaj trupave ruse në qytetin e pushtuar bregdetar, Berdyansk, të martën natën, sipas gazetës “The New York Times”.

Muajve të fundit, Ukraina i ka shtuar thirrjet për më shumë asistencë nga Perëndimi, pasi rezervat e saj të municionit janë pakësuar dhe Rusia po shënon fitore të vazhdueshme.

Këtë javë, Senati i ShBA-së miratoi 61 miliardë dollarë ndihma shtesë për Ukrainën. Pakoja tashmë është nënshkruar edhe nga presidenti Biden dhe Pentagoni ka thënë se ndihmat e reja mund t’i dërgohen Kievit “brenda ditësh”.

Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli

Lajme të ngjashme