Raportohet se BE-ja po përgatit pako sanksionesh ndaj Izraelit, nëse fillojnë ndërtimet në zonën E1 - NACIONALE

Raportohet se BE-ja po përgatit pako sanksionesh ndaj Izraelit, nëse fillojnë ndërtimet në zonën E1

1 orë më parë

nga NACIONALE

Bashkimi Evropian është duke përgatitur një pako të sanksioneve kundër Izraelit, nëse ky shtet e fillon zbatimin e planit për ndërtimin e një vendbanimi të madh në zonën kundërthënëse E1 të Bregut Perëndimor, raportojnë mediat izraelite.

Qeveria izraelite të martën hapi një tender për ndërtimin e disa komplekseve me 1.234 njësi banimi në zonën E1 në lindje të Jerusalemit, ku aktivistët e vendbanimeve izraelite synojnë që ta ndajnë Bregun Perëndimor në dy pjesë, shkruan gazeta “The Times of Israel”.

Mediumi “Channel 13”, duke cituar dy diplomatë perëndimorë, raportoi se BE-ja ka hartuar një listë të sanksioneve fillestare, në rast se ndërtimi i vendbanimeve fillon. Ky projekt nuk është kundërshtuar nga Shtetet e Bashkuara.

Thuhet se në këtë pako përfshihet etiketimi i produkteve nga Izraeli – jo vetëm nga vendbanimet e Bregut Perëndimor – si dhe ulja e nivelit të bashkëpunimit akademik dhe ndërprerja e bashkëpunimeve të caktuara diplomatike dhe të sigurisë.

Projekti E1 ishte ngrirë për një kohë të gjatë për shkak të kundërshtimit të ashpër nga komuniteti ndërkombëtar, përfshirë administratat e kaluara amerikane, të cilat kishin frikë se ndërtimi i një lagjeve të re në zonën kryesisht boshe të tokës do ta përjashtonte themelimin e një shteti funksional palestinez.

Njësitë e banimit të shpallura në tenderin e ri janë vetëm një pjesë e rreth 3.400 njësive të projektit E1 që u ishte dhënë drita e gjelbër në gushtin e vitit të kaluar. Ministri i Financave i Izraelit, Bezalel Smotrich, në atë kohë e kishte vlerësuar lart zgjerimin e planit, duke thënë se ai “praktikisht e fshin deluzionin e dy shteteve” duke e ndarë territorin që do të planifikohej për një shtet palestinez.

Projekti u kritikua të mërkurën nga sekretari i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, Ed Miliband, duke e quajtur “të papranueshëm dhe destruktiv” dhe duke paralajmëruar veprime.

Lajme të ngjashme