Vdekja e 4 punëtorëve të KEK-ut në vendin e punës gjatë këtij viti, kërkohen masa: Pse institucionet reagojnë vetëm pas tragjedisë? - NACIONALE

Vdekja e 4 punëtorëve të KEK-ut në vendin e punës gjatë këtij viti, kërkohen masa: Pse institucionet reagojnë vetëm pas tragjedisë?

37 minuta më parë

nga NACIONALE

Vdekja e djeshme e punëtorit të KEK-ut, Arbenit Ahmeti, në vendin e tij të punës ka ngritur alarmin për sigurinë e punëtorëve në këtë ndërmarrje publike. Pas këtij incidenti tragjik, ka reaguar ashpër Sindikata e Punëtoreve të KEK-ut dhe deputetët e partive opozitare.

Ata kanë kërkuar nga institucionet adekuate që të ndërmarrin masa të menjëhershme për sigurinë e punëtorëve në vendin e punës.

Sindikata e re Punëtorëve të KEK-ut ka kërkuar nga institucionet që të rigojnë para se të ndodhin tragjeditë.

Vetëm gjatë vitit 2026, katër punëtorë të KEK-ut kanë humbur jetën si pasojë e aksidenteve në vendin e punës: Mixhen Sadiku, Milazim Binaku, Haxhi Gojnovci, Arbenit Ahmeti. Pas secilit rast tragjik dëgjojmë reagime nga menaxhmenti, Bordi, ministria dhe institucionet e tjera. Shprehen ngushëllime, premtohen masa, kërkohen sqarime dhe për disa ditë flitet për sigurinë në punë. Por pyetja jonë është e qartë: Pse këto institucione reagojnë vetëm pasi ndodh tragjedia?”, është thënë në reagimin e sindikatës, dukë dhënë detaje tjera.

Problemi është se nuk po u paraprihet situatave të rrezikshme. Nuk po ndërtohet një sistem që e identifikon dhe eliminon rrezikun para se ai të marrë jetë. Presim të ndodhë aksidenti, pastaj reagojmë, bëjmë deklarata dhe pas një kohe gjithçka harrohet – deri në tragjedinë e radhës. Ne mendojmë se kjo nuk është vetëm çështje e sigurisë teknike. Është edhe çështje e menaxhimit dhe kulturës së punës në KEK. Një menaxhim që bazohet më shumë në presion, frikë dhe masa ndëshkuese sesa në komunikim, motivim dhe respekt ndaj punëtorit, mund të quhet lirshëm menaxhim represiv dhe jo motivues. Punëtori që punon në kushte të rrezikshme duhet të ketë siguri se mund të thotë: “Kjo punë është e pasigurt”, pa u frikësuar nga pasojat”, është thënë në reagim.

Të njëjtën thirrje për institucionet përgjegjësi kanë bërë edhe partitë opozitare.

Deputeti i PDK-së, Arian Tahiri ka akuzuar Qeverinë për mungesë reagimi dhe mbikëqyrjeje të kushteve të punës në institucionet dhe ndërmarrjet publike, pasi dy punëtorë të KEK-ut humbën jetën brenda tri ditësh, si pasojë e lëndimeve të marra në vendin e punës.

Në një konferencë për media, duke kritikuar për dështim institucional, Tahiri kërkoi që organet përgjegjëse të ndërmarrin veprime konkrete menjëherë.

Më 20 gusht, Arbenit Ahmeti humbi jetën duke transportuar kabllot 6 kV. Më 16 gusht, vetëm katër ditë më herët, Haxhi Gojnovci, teknik i xehtarisë, mbeti i vdekur pranë ekskavatorit. Më 15 korrik, Milazim Binaku ndërroi jetë në QKUK, si pasojë e lëndimeve të marra më 8 korrik në Fabrikën e Pajimeve Xehtare në Palaj. Më 27 shkurt, Migjen Sadiku ndërroi jetë në hapësirat e Termocentralit “Kosova B”. Pas secilit prej këtyre emrave është një nënë që pret, një bashkëshorte që mbetet vetëm, fëmijë që pyesin pse babai i tyre nuk u kthye më. Janë punëtorë që shkuan në punë për të siguruar bukën e gojës për familjet e tyre dhe humbën jetën duke bërë punën e tyre”, është shprehur ai.

Tahiri rikujtoi se Qeveria, e cila e ka centralizuar sistemin e inspektimeve, duke krijuar Zyrën e Inspektorit të Përgjithshëm brenda Zyrës së Kryeministrit, por kur ndodhin raste të tilla ata ikin nga përgjegjësia.

Qeveria nuk mund të jetë njëkohësisht menaxhuese dhe mbikëqyrëse e ndërmarrjeve publike dhe, në fund, të sillet sikur nuk ka asnjë përgjegjësi. Si është e mundur që kur flitet për rritje të prodhimit apo për progres, dalin dhe shprehin krenari, ndërsa në raste të tilla fshihen nëpër xhipa të zinj e prapa perdeve të pushtetit? Kur këto vdekje ndodhin në një ndërmarrje publike, nën kontrollin e drejtpërdrejtë të shtetit, ato bëhen dëshmi e një dështimi institucional. Nëse shteti nuk arrin të mbrojë jetën e punëtorëve të vet, si mund të pretendojë se mbron jetën dhe të drejtat e punëtorëve në sektorin privat?”, ka deklaruar Tahiri.

Edhe deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka reaguar për tragjeditë në KEK.

Në profilin e saj në Facebook, ajo ka kërkuar që organet përgjegjëse që t`i hetojnë këto raste.

Në me pak se dy muaj, vetëm në KEK tre punëtorë humbën jetën, në vendin e punës. Tri familjeve u ka ndryshuar jeta përgjithmonë. Shpreh ngushëllimet e mia të sinqerta për familjet e punëtorëve të KEK-ut që humbën jetën. Njëherit kërkoj nga organet përgjegjëse që këto raste të hetohen seriozisht, të sqarohen rrethanat në të cilat kanë ndodhur dhe nëse ka pasur neglizhencë apo shkelje të rregullave të sigurisë, të ketë përgjegjësi për secilin”, ka shkruar ajo, duke kërkuar që të shtohet masat e sigurisë në punë.

Njëkohësisht, KEK-u dhe çdo kompani tjetër, publike e private, duhet të bëjnë më shumë për sigurinë dhe kushtet e punës. Inspektorati Qendror i Punës duhet ta rrisë mbikëqyrjen dhe të ndërmarrë masa konkrete që raste të tilla të mos përsëriten”, ka shkruar ajo.

Kurse, deputeti i Aleancës, Burim Ramadani, ka shkruar se ky është dështim total dhe kriminal i shtetit.

Vetëm brenda tri ditëve të fundit, dy punëtorë të KEK-ut humbën jetën në krye të detyrës. Sot na tronditi vdekja tragjike e Arbenit Ahmetit nga kontakti me rrymën, ndërsa tri ditë më parë humbëm teknikun Haxhi Gojnovci. Sikur të mos mjaftonte kjo javë e përgjakshme, vetëm një muaj më parë në po këtë korporatë vdiq edhe punëtori Milazim Binaku. Tre punëtorë të vdekur në një ndërmarrje publike brenda pak javësh. Ky është dështim total dhe kriminal i shtetit”, ka shkruar ai në profilin e tij në Facebook.

duke e kritikuar VV-në për bllokadën institucionale.

Lajme të ngjashme