“Serbia kërkoi financa për strukturat në veri deri të krijohet Asociacioni”: Bislimi flet pas takimit në Bruksel
Zv/kryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka folur pas takimit në Bruksel ku u diskutua për dinarin.
Bislimi tha se qëndrimet e Serbisë ishin shqetësuese.
Pas takimit me kryenegociatorin e Serbisë, Petar Petkoviq, Bislimi tha se tani ndërmjetësi evropian, Mirosllav Lajçak ka dalë me një propozim të ri rreth zgjidhjes së kësaj çështjeje.
“Qëndrimi i palës serbe është që të gjitha strukturat ilegale të Serbisë duhet të financohen, të vazhdojnë të financohen deri në kohën kur të krijohet Asociacioni [i komunave me shumicë serbe], sepse sipas mendimit të tyre, qëllimi i Asociacionit nuk është që të sigurojë koordinim të mirë mes komunave, por të sigurojë legjitimizmin e pranisë së institucioneve serbe në Kosovë, që do t’i bënte ato institucione gjysmëserbe, por jo institucione të serbëve në Kosovë”, tha Bislimi, raporton Evropa e Lirë.
Asociacioni vazhdon të jetë temë kryesore e diskutimit.
Kjo sidomos pasi janë shtuar zërat se Kosova do të obligohet ta dërgojë draftin në Gjykatën Kushtetuese, nëse dëshiron të anëtarësohet në Këshillin e Evropës.
Bislimi tha se sa i përket idesë së krijimit të një entiteti të ri biznesor në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, në mënyrë që ndihma financiare të shkojë te përfituesit, përmes konvertimit të Postës serbe, Serbia ka parë këtë ide si “ një lloj privatizim të postës” nga Kosova.
“Sigurisht, të gjitha këto propozime ishin shumë destruktive, prandaj Lajçak do të dalë me një propozim të ri dhe ne do të duhet të japim mendimet tona për këtë propozim në shtatë ditët e ardhshme”, tha Bislimi për gazetarët pas takimit trepalësh.
Takimi mes Bislimit dhe kryenegociatorit të Serbisë, Petar Petkoviq, ishte i pesti që zhvillojnë në Bruksel për çështjen e dinarit, përdorimi i të cilit u ndalua në Kosovë në shkurt.
Të gjtha takimet kanë përfunduar pa marrëveshje.
I dërguari i BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, gjatë një takimi dypalësh me kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimi, në Bruksel në shtator të vitit 2023.
Me rregulloren e re të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), euroja u caktua si valuta e vetme në Kosovë për kryerjen e pagesave me para të gatshme nga 1 shkurti. Hyrja në fuqi e kësaj rregulloreje ka zemëruar Serbinë, e cila përmes buxhetit të saj shtetëror u dërgon ndihmë financiare serbëve që jetojnë në Kosovë.
Bashkësia ndërkombëtare i ka kërkuar Kosovës ta pezullojë rregulloren, në mënyrë që t’u jepet kohë qytetarëve që të përshtaten me praktikën e re.