Kurti, ky kryeministër “i përhershëm” në detyrë: Nga 510 ditë qeverisje, vetëm 77 me mandat të plotë
Albin Kurti është politikani që ka qëndruar më së shumti në pushtet si kryeministër në detyrë, krahasur edhe me ish- kryeministrin Hashim Thaçi si dhe Isa Mustafën, me gjithësej 433 ditë si kryeministër pa kometenca të plota ose si kryeministër në detyrë, se sa krye të një Qeverie me mandat të plotë të dhënë nga Kuvendi.
Albin Kurti 433 ditë, Hashim Thaçi rreth 300 ditë, Ramush Haradinaj rreth 199 ditë dhe Isa Mustafa rreth 120 ditë.
Kurti po përballet me një bilanc të pazakontë institucional në periudhën pas përfundimit të mandatit të tij të parë të plotë
Nga 23 marsi 2025, kur përfundoi mandati i Qeverisë Kurti II, deri më 15 gusht 2026, kanë kaluar rreth 510 ditë. Prej tyre, rreth 433 ditë Kurti i ka kaluar si kryeministër i një Qeverie në detyrë, ndërsa vetëm 77 ditë si kryeministër i një Qeverie të re me mandat të plotë.
Kjo do të thotë se rreth 85 për qind e kësaj periudhe Kurti e ka kaluar në një Qeveri në detyrë, ndërsa vetëm rreth 15 për qind me një Qeveri të re të votuar nga Kuvendi.
Mandati i plotë që zgjati vetëm 77 ditë
Më 23 mars 2025 përfundoi mandati katërvjeçar i Qeverisë Kurti II. Pas zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025, pamundësia për të formuar institucionet e reja bëri që Kurti të vazhdonte në detyrë.
Vetë Kurti e kishte pranuar këtë realitet, duke thënë se Qeveria kishte kaluar në fazën e Qeverisë në detyrë.
Pas muajsh ngërçi politik, më 11 shkurt 2026, Kuvendi më në fund votoi Qeverinë e re të drejtuar nga Kurti. Qeveria Kurti III mori 66 vota për dhe 49 kundër.
Ky ishte momenti kur Kurti mori sërish mandat të plotë politik nga Kuvendi.
Por ky mandat zgjati vetëm 77 ditë.
Më 29 prill 2026, pas dështimit të Kuvendit për zgjedhjen e presidentit, vendi hyri sërish në krizë institucionale dhe Qeveria Kurti kaloi përsëri në statusin e Qeverisë në detyrë.
Pra, pas gati një viti në detyrë, Kurti arriti të marrë një mandat të ri të plotë, por e ushtroi atë për më pak se tre muaj.
Sërish Qeveri në detyrë
Nga 29 prilli deri më 15 gusht 2026 kanë kaluar rreth 108 ditë të tjera në të cilat Kurti vazhdon të jetë në krye të Qeverisë në detyrë.
Ndërkohë, Kosova shkoi sërish në zgjedhje me 7 qershor. As pas zgjedhjeve të reja Kurti nuk ka arritur të krijoj instuticionet e reja, duke vazhduar sagën e kryeministrit në detyrë.
Deri më 15 gusht, Kuvendi ende nuk është konstituuar plotësisht ndërsa thirrja për vazhdimin e seancës nga partitë e tjera ish-opozitare ka hasur në vesh të shurdhër nga kryesuesi Dehari dhe VV-ja.
Kjo e ka kthyer Kurtin sërish në pozitën e kryeministrit në detyrë, ndërsa vendi vazhdon të jetë në një cikël të zgjatur të ngërçit institucional, me protagonist kënd tjetër veç liderin kokëfortë të VV-së. Albin Kurti, i cili i betuar tashmë si deputet vazhdon të merr vendime në kundërshtim me aktgjykimin e Gjykatës Supreme.
433 ditë në detyrë, 77 me mandat të plotë
23 mars 2025 – 11 shkurt 2026, rreth 325 ditë në detyrë.
11 shkurt – 29 prill 2026, 77 ditë me mandat të plotë.
29 prill – 15 gusht 2026, rreth 108 ditë sërish në detyrë.
Në këtë periudhë të fundit Kurti ka kaluar pjesën dërrmuese të kohës jo me një mandat të ri të plotë, por si kryeministër në detyrë.
Madje, në fjalimin e tij kur mori votën për Qeverinë e re në shkurt, Kurti vetë tha se në pesë vitet e fundit kishte kaluar “pothuajse një vit në qeveri në detyrë, pra pa kompetenca të plota”.
Sot, vetëm disa muaj më vonë, ai është përsëri në të njëjtën pozitë.
Kjo gjendje e qeverisja në detyrë nga një situatë kalimtare, është kthyer në një “normalitet” politik për Kurtin.