Presidenti i Kolumbisë ec mes trupave të “terroristëve”, nxit reagime - NACIONALE

Presidenti i Kolumbisë ec mes trupave të “terroristëve”, nxit reagime

1 orë më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Kolumbisë, Abelardo De La Espriella, ka nxitur reagime pas publikimit të një videoje në rrjete sociale, në të cilën ai shihet duke ecur mes rreshtash të qeseve të bardha për të cilat tha se i përmbanin kufomat e 23 luftëtarëve “të neutralizuar” guerilë.

De La Espriella erdhi në pushtet muajin e kaluar me zotimin për “luftë të plotë” kundër grupeve të armatosura të paligjshme dhe e publikoi videon të enjten në atë që duket si përpjekje për të dëshmuar se është duke e përmbushur premtimin, raporton gazeta “The Guardian”.

“Unë premtova kundërvënie ndaj terrorizmit pa ngurrim dhe po e mbaj atë premtim” – shkroi mbi video politikani i së djathtës ekstreme. “Nuk erdha që ta luaj të mirin me vrasësit, zhvatësit dhe rekrutuesit e fëmijëve. Erdha për t’i mposhtur ata... Rroftë mbreti Krisht” – shtoi ai.

Duke festuar për operacionin ushtarak në Amazonën Kolumbiane gjatë të cilit 23 terroristët e dyshuar u vranë, presidenti deklaroi: “Ne jemi tërësisht të vendosur për t’ju shkatërruar ju, që jeni kancer.”

Pamja me trupa në qese të bardha u dënua nga aktivistë për të drejta të njeriut dhe nga kundërshtarët politikë të presidentit.

Ligjvënësi majtist, Daniel Monroy, e akuzoi presidentin për “politikë me të vdekur”. “Kjo është njëra nga gjërat më bizare që i kemi parë. Shëtitja mes të vdekurve, ndërkohë duke e përmendur emrin e Zotit, vetëm për të justifikuar një spektakël të panevojshëm” – tha ai.

Paraardhësi i presidentit aktual, Gustavo Petro, shkroi në rrjetin X: “Kjo quhet shndërrim i vdekjes në trofe – diçka që mund ta bëjnë vetëm njerëzit pa shpirt... Të pashpirtëve u duket lehtë që të vrasin për hir të vrasjes.”

Lajme të ngjashme