Profil | Ilir Mirena, analisti që ka ‘ikur’ nga Kosova përmes cinizmit - NACIONALE

Profil | Ilir Mirena, analisti që ka ‘ikur’ nga Kosova përmes cinizmit

1 vit më parë

nga NACIONALE

Nëse prej Albin Kurtit kemi ‘mësuar’ se duhet të jemi radikalë ndaj situatave radikale, prej Ilir Mirenës kemi ‘mësuar’ se duhet të jemi banalë ndaj situatave banale.

Mijëra qytetarë kanë ikur nga Kosova gjatë viteve të fundit. E, mijëra qytetarë tjerë që vazhdojmë t’i shohim mes nesh po ashtu kanë ikur prej vendit por në mënyrë virtuale. Përmes deluzioneve, dehjeve, fanatizmit apo formave tjera të mospajtimit me realitetin. Mes këtyre ‘të ikurve’ është edhe Ilir Mirena që ikjen e tij e ka kryer përmes cinizmit.

Mirena nuk ka arritur të pajtohet me ndodhitë e 14 shkurtit 2021. Nuk ka arritur ta pranojë që ajo që ka ndodhur përnjëmend ka ndodhur. E di se ka ndodhur, por thjesht shpreh përçmim të skajshëm për ndodhinë. Ky realitet gazetarit i duket tallës dhe përbuzës, meqë është i bindur se Lëvizja Vetëvendosje nuk meriton trajtim serioz.

Mos të keqkuptohemi, Ilir Mirena e do Kosovën. E do edhe realitetin. Është thjesht në zor. Hajt ta marrim me mend se si do të ndiheshit ju sikur një grumbull të rinjësh 18 vjeçarë që kanë ngelur në shkollë të mesme ta çelnin një parti politike në Kosovë e ta merrnin pushtetin?! Eh, bash kështu ndihet Mirena. Për të, VV-ja me Albin Kurtin shprehin thjesht dhe vetëm një anomali historike për të cilën në vend të analistëve e komentatorëve politikë duhet të flasin mjekë e psikologë.

Pra, Ilir Mirena nuk është kundër Kurtit dhe VV-së. Është në thelb kundër realitetit. Këtij realiteti politik kosovar.

Qysh u bë analist?

Mirena ka një përvojë të gjatë si gazetar. Ai ishte dëshmitar nga ky rol i shumë e shumë ndërtimeve të rëndësishme përgjatë këtyre “20 viteve shkatërrim” sipas Kurtit.

Ai ishte edhe mes “shkatërruesve” sipas partisë së Kurtit. Punoi për disa muaj si zëvendësministër në Ministrinë e Mjedisit. Por, s’u ambientua në atë mjedis e dha dorëheqje. Megjithatë, përvoja e paktë institucionale megjithatë i ndihmon sado kudo në rezonimin e tij politik. Ai e kupton se si shkojnë gjërat ‘brenda’. Dhe kjo, ia përforcon vazhdimisht bindjen se karriget e pushtetit në Kosovë s’vlejnë më shumë se sa për të kryer funksionin bukfal të tyre: uljen e një prapanice.

Duhet thënë, Mirena ishte edhe luftëtar i UÇK-së. Edhe atëbotë i ishte kthyer kundër realitetit. Edhe atëbotë, ishte kthyer kundër me cinizëm, po aq sa me armë.

Specifika: I qeshur

Ilir Mirena nuk e ka ndalur asnjëherë gazin. Qeshte edhe më 14 shkurt 2021. Qeshte edhe më 6 tetor 2019. Pra, ai qeshë. Dhe kur nuk qeshë ndjen detyrimin e brendshëm që ta çojë muhabetin në pikën ku duhet të qeshet. Mirena kuptimësohet si analist mu në çastin kur i punon si duhet mekanizmi i tij defanziv psikologjik, humori. Dhe më shumë po se jo, ia del mbanë.

Mirena ofron shembullin e përsosur të një njeriu të papapërsorur. Që e pranon se bën gabime. Që nuk fsheh mangësitë e huqjet e tij. Nuk e ka as gajlen që t’i shprehë në mënyrë të rregullt ato që dëshiron t’i thotë. Dhe kjo ia bën më autentike qeshjen.

Kush i shkon nerva?

Imer Mushkolaj. Ky paraqitet si jashtëzakonisht serioz në analizat e tij, aq sa shpesh insiston të nxjerr po aq seriozitet nga bashkëfolësit. Mirena mund të mendojë se Mushkolaj i shkon nerva për shkak të qëndrimeve politike, por s’është ashtu. Mushkolaj i shkon nerva për shkak se evokon prej tij seriozitetin që ai konsideron se është banal.

Dhe, natyrisht që edhe Mirena ka momentet e tij ‘të errëta’. Ai mund të nxirret nga kontrolli. Gjë që ka ndodhur në disa raste kur ai paraqitej në RTV Dukagjini.

Kosova ideale:

Një Kosovë që do të pajtohej me përparimin gradual politik. Pra, që do të pajtohej se gjërat marrin kohë. Një Kosovë me një Vetëvendosje të moderuar (mos të harrojmë, Mirena kishte edhe flirtin e tij me këtë parti për do kohë para se të largohej tamam kur u larguan PSD-ja me të tjerë). Por, edhe një Kosovë që s’do t’i ndalte intrigat politike e pse jo edhe anomalitë (për aq sa ato s’do të bëheshin aq serioze sa të merrnin pushtetin si tash).

Kosova distopike:

Kosova në rast se vazhdon të qeveriset nga Albin Kurti edhe për nja dy vjet tjera. Por, edhe Kosova në rast se do të qeverisej nga LDK-ja e Lumir Abdixhikut e Avdullah Hotit sepse do ta linte pa lëndë për të bërë talljet e tij.

Shprehja e preferuar: Mos harroni

Mirena është një prej zëdhënësve më të fortë të ish-Albin Kurtit. Pra, ai rikujton vazhdimisht qëndrimet e Kurtit gjatë kohës si opozitar e të cilat janë shkelur e po shkilen tash që është në pushtet. Dhe këtë rikujtim shpesh e bën me fjalët “Mos harroni!”

E s’duhet harruar që ai ka edhe një fjalë që i shkon nerva: “diskurs” ose “ligjërim”. Ndoshta, sepse mendon që përtej qëndrimeve të atypëratyshme politikanët s’kanë mundësi të ndërtojnë koherencë mes qëndrimesh që shprehin?

Orientimi politik: Centrist

Ilir Mirena përveç cinik është edhe provokator. I pëlqen ta testojë lirinë e shprehjes sa më shumë që mundet. Atdheu i tij virtual është Franca (megjithëse mund t’i jetë neveritur nga krakëllitjet e Nezir Krakit në Paris). Por, përtej provokimeve, cinizmave e edhe ironive te Ilir Mirena kanë vend edhe disa bindje serioze.

Ai beson te liritë. Liria e tregut. Liria e grave dhe emancipimi shoqëror për çështjen e grave. Beson siç e thamë edhe te liria e shprehjes. Por, beson edhe te liria nga shtrëngimet e shumta morale – gjë që mund të shpjegohet përmes bezdisë së thellë që ndjen sa herë që dikush thurr vargje moralizuese.

Nota: 6/10

Do ta meritonte edhe më shumë po të hiqte dorë më shpesh nga cinizmi e nga dembelia për t’i shprehur më seriozisht pikëpamjet e tij. Dhe, do ta meritonte më pak nëse cinizmi i tij do të ishte krejt i padrejtë e i pavend.

Analisti ka arritur të mos zmbrapset përkundër gjuhës masive të urrejtjes që është derdhur kundër tij nga simpatizantët e partisë në pushtet përgjatë këtyre viteve. Dhe, ka arritur që ta shpërfaqë më saktësisht se shumë të tjerë banalitetin politik në Kosovë.

Nëse prej Albin Kurtit kemi ‘mësuar’ se duhet të jemi radikalë ndaj situatave radikale, prej Ilir Mirenës kemi ‘mësuar’ që duhet të jemi banalë ndaj situatave banale. Të flasësh seriozisht e duke u thelluar për gjëra joserioze është në vetëvete joserioze.

*Ky shkrim nuk shpreh domosdo qëndrimet redaktoriale të gazetës Nacionale.

Lajme të ngjashme