Profil: Zana Avdiu, analistja e guximshme me kauzë të qartë - NACIONALE

Profil: Zana Avdiu, analistja e guximshme me kauzë të qartë

1 vit më parë

nga NACIONALE

Është prej grave të rralla që e ka guximin e mjaftueshëm për të çarë përpara në një botë burrash. Zana Avdiu ka një kauzë të qartë: ta shkërmoqë botën patriarkale. Përveç në rrugë e në protesta, ajo është e famshme jashtëzakonisht në Facebook.

Por zonja Avdiu është e pranishme edhe në universin e analistëve politikë, që disi në mënyrë “të pavërejtshme” është “mashkullorizuar” nga prania e burrave hijerëndë që performojnë.

Zëri i saj në studio është një manifest personal se gratë ekzistojnë, është materializim i luftës për barazi gjinore. Në fakt, Avdiu, me praninë e saj në emisionet debatuese, tregon se “maneli” (ashtu siç quhen panelet e dominuara tërësisht nga burrat), është anakronik. Andaj, ajo thekson se gratë mund të analizojnë, më së paku po aq mirë sa burrat.

Por lufta e Avdiut për barazi gjinore nuk është e njëtrajtshme. Përveç kundrejt burrave, ajo e kërkon edhe emancipimin e grave për çlirim seksual. Në 48 orët e fundit, Avdiu është njeriu më i komentuar në Kosovë. Turmat, burra e gra, u vërsulën për ta “djegur për së gjalli” në turrën e “komenteve” urrejtëse, kërcënuese, seksiste e mizogjene.

Ajo u kërcënua “live” nga babai i Granit Xhakës, Ragip Xhaka, për një status në lidhje me gjestin kundër lojtarëve të Serbisë, të cilin Avdiu e cilësoi si “akt rrugaçi”.

Mosdurimi nga prania e një gruaje të mirëpërgatitur dhe të njohur u shpërfaq edhe nëpërmjet pyetjeve banale, të mbushura me dozë inatesh e xhelozish, se “kush është Zana Avdiu”? Madje, një ish-analist, i shndërruar në mënyrë të pasuksesshme në moderator, e reduktoi zonjën Avdiu në vetëm “motra e Arta Avdiut”, duke i dhënë hapësirë edhe më shumë goditjes së “bandave digjitale” ndaj zonjës Avdiu.

Por analistja e “Pressing”-ut ka një histori të gjatë të aktivitetit posaçërisht feminist, e cila çuditërisht u kontestua edhe nga vetë gratë feministe, që e harruan solidaritetin gjinor në sulmet e fundit ndaj Avdiut.

Qysh u bë analiste?

Avdiu ka qenë vazhdimisht aktive në debatin shoqëror. Zonja e kauzës feministe ka shkruar shpesh për tema politike, për gjendjen e grave, për situatën ekonomike e sociale në Kosovë. Madje ajo ishte e famshme edhe para se të ishte analiste, duke mbledhur pas vetes mijëra ndjekës në Facebook (aktualisht 25 mijë të tillë).

Kalimi nga e famshmja Zanë në Facebook, në analisten e “Pressing”-ut ishte proces krejtësisht i lehtë dhe i shpejtë. E gjithë karriera relativisht e gjatë e Avdiut si analiste është shenjë e guximit të saj, guximit për të thënë gjëra që publiku s’parapëlqen t’i dëgjojë.

Specifika: Qëndrime të qarta

Avdiu qëndrimet e saj politike e ideologjike i ka të qarta. Ajo është kritikuese e ashpër e patriarkatit, pozitës së mjerueshme të gruas kosovare e përfaqësimit të vogël të grave në politikë. Përveç mbrojtëse e feminizmit, ajo është kritikuese e madhe e Albin Kurtin, për të cilin qëndrim autori i këtij shkrimi dhe zonja Avdiu kanë pasur dhjetëra debate të ashpra (kuptohet, jashtë syrit të kamerës).

Kush i shkon nerva?

Avdiu është e qartë edhe për mosdurimin që e ka ndaj analistëve pro pushtetit aktual. Ajo përplaset zakonisht me këdo që ka një afërsi me LVV-në e Kurtin. Por ajo është e zëshme edhe kundër termeve seksiste që përdoren herë pas here në debate, duke kritikuar këdo që nuk e përkrah kauzën feministe të saj.

Kosova ideale, sipas Avdiut:

Kosova ideale e Avdiut është një shtet e shoqëri në të cilën është arritur barazia gjinore, duke e tejkaluar kulturën patriarkale që aktualisht e mbizotëron këtë. Ndoshta në ëndrrat më të zjarrta të Avdiut, Kosova e sunduar nga matriarkati është sistemi ideal për ta qeverisur shtetin kosovar.

Kosova distopike, sipas Avdiut:

Avdiu, por edhe shumica e grave të tjera, jetojnë tashmë në Kosovën distopike. Kosova e mbizotëruar nga një traditë patriarkale, e cila e dehumanizon gruan, është një hapësirë krejtësisht e dhunshme kundrejt grave.

Shprehja e preferuar: "Pra për çfarë po flasim na?"

Në paraqitjet e shpeshta mediale, zonja Avdiu e përdor jo rrallëherë fjalinë “pra për çfarë po flasim na”. Në një interpretim të përfundimtar, pyetja retorike e Avdiut ka një qëllim të dyfishtë: të tregojë se ajo është në temë dhe ta tërheqë vëmendjen e panelistëve për t’i dëgjuar qëndrimet e saj.

Orientimi politik: feministe liberale

Avdiu është feministe. Madje, sipas vetë profilit të saj, Avdiu është feministe krenare. Në botëkuptimin e saj liberal, gratë mund ta arrijnë barazinë në kuadër të demokracisë liberale nëpërmjet përfaqësimit politik dhe reformave juridike.

Nota: N/10

Që nga fillimi i serisë së profileve të analistëve, gazeta Nacionale ka zgjedhur që kësaj radhe të mos e notoj zonjën Avdiu. Duke e pasur parasysh situatën aktuale të linçimit publik, çfarëdo notimi (qoftë i lartë apo i ulët) do të shërbente si platformë për ta sulmuar edhe më shumë Avdiun, e cila tashmë i ka paraqitur kërcënimet në polici, e të cilat, sipas avokatit të saj, e kanë arritur shifrën prej 11 mijë mesazhesh.

Natyrisht, Zana Avdiu meriton vlerësim për guximin e saj për të kritikuar, edhe përkundër mundësisë së margjinalizimit e kërcënimeve.

*Komentet e shprehura nuk përbëjnë detyrimisht qëndrim të redaksisë së gazetës Nacionale.

Lajme të ngjashme