Ragip Xhaka, psikologu, kërcënimet brutale: Dhuna online ndaj Zana Avdiut po del jashtë kontrollit
Zana Avdiu, aktivistja për të drejta të grave, është ndoshta personi më famshëm aktualisht mes shqiptarëve të Kosovës për shkak të fjalëve që tha për Granit Xhakës, dhe gjithë asaj që pasoi dhe e cila duket të mos jetë nën kontroll. Çka ndodhi?
Dje në orën 17:35, Zana Avdiu do të publikonte statusin e saj të fundit.
“Akti i Granit Xhakës është për turp. Akt prej një rrugaçi. Dhe, fatkeqësia është, që asnjë nuk la pa e shpërnda atë foto. Pra, zero nivel, në një shtet të tanë!” – shkruante aktivistja.
Pak kontekst
Vetëm dy ditë më herët, Granit Xhaka do të ndillte krenari të madhe mes shqiptarëve të Kosovës pas ndeshjes së mirë kundër Serbisë, kombëtare që Zvicra e tij do ta mposhte dhe eliminonte nga Kupa e Botës.
Por, po bëhej po ashtu, vetëm dy ditë pas varrimit të Hamide Magashit, gruas shtatzënë që u vra në oborrin e QKUK-së më 30 nëntor, nga burri i saj prej të cilit ishte duke u ndarë.
Pak më vonë?
Reagimet në statusin e Zana Avdiut ishin të menjëhershme. Ajo po merrte më shumë reagimin ‘zemërim’ se sa atë ‘pëlqim’ në profilin e saj. Aktualisht, Avdiu në staus i ka 4 mijë e 500 reagime ‘zemërimi’ dhe vetëm 337 reagime ‘pëlqimi’.
Por, ky reagim ndaj statusit veç sa po e paralajmëronte atë që do të ndodhte më vonë. Komente dehumanizuese që mësynin t’i vrisnin karakterin kishte nga shumë qytetarë të rëndomtë, në të katër anët.
Edhe pak më vonë?
Zana Avdiu po atë mbrëmje shkoi në një emision televiziv të quajtur “Favorizi i Botërorit” për të sqaruar më shumë statusin e saj.
Por, në atë studio do të lajmërohej hiç më pak se Ragip Xhaka, babai i yllit Granit Xhaka.
Ragipi do të fliste me zemërim shumë të madh e me piskamë, madje edhe duke e kërcënuar aktivisten për fjalën e saj.
“Edhe një herë ja tërhjek vërejtjen, ja tërhjek vërejtjen, le të ketë kujdes se çka folë për familjen Xhaka. Ki kujdes se çka folë për familjen Xhaka. Të tregoj unë se çka ndodh pastaj... Do të përgjigjesh, do të përgjigjesh në çdo mënyrë do të përgjigjesh. Veç kur të përgjigjet do të jetë shumë vonë.” – tha ai, duke e rritur në përmasa të pabesueshme edhe reagimin shoqëror kundër aktivistes Zana Avdiut.
Ai po ashtu, pretendoi se nga fjalët e Zana Avdiut ishte lënduar edhe vetë Granit Xhaka.
Jashtë kontrollit
Ndërkohë, gjatë ditës së sotme situata doli jashtë kontrollit me kërcënime të bëra në mënyrë të hapur ndaj aktivistes Avdiu.
Disa prej tyre i tregoi edhe vetë avokati Arianit Koci, që paralajmëroi edhe ndjekje penale për kërcënuesit.
“Veç mos t’pafsha, LIVE kam me të mytë familjen n’p**** t’k****. Kam me t’çu bashkë me Hamiden (gruan shtatzënë) n’atë’anë.” – ishte njëri prej tyre.
“...çiftin ton u dashtë me vra, ani çka ju bojshe ti q*** robtë me bo me folë edhe i herë për Xhakat... trus palo se t’shkon jeta...”
Psikologu ‘me diagnoza’
Përkundër linçimeve e abuzimit tmerrues online që përjetoi Zana Avdiu, psikologu Naim Telaku nuk shfaqi kurrfarë empatie për të.
Atij iu zu një koment ku jepte diagnozë publikisht për Zana Avdiun, e të cilën e lidhte me ‘Kompleksin e Elektras’ përkundër që kjo teori është hedhur poshtë nga shumë studiues të psikologjisë. Ai tha se ajo mund të kishte kompleksin e ‘lakmisë (zilisë, xhelozisë) për penis’.
Telaku ishte mes njerëzve më të respektuar të fushës deri tash, derisa vazhdon të ushtrojë edhe funksione të ndryshme si dekan i një kolegji privat.
Kjo deklaratë e tij u konsiderua si tmerrësisht fyese nga ana e shumë qytetarëve e analistëve, pasi i jepte legjitimitet sulmeve seksiste të qytetarëve ndaj saj.
Ku është Avdiu?
Zana Avdiu deri tash nuk ka bërë asnjë postim, por thjesht ka rishpërndarë atë të avokatit Arianit Koci ku tregoheshin kërcënimet ndaj saj. Në bazë të atij postimi mund të kuptohet se Avdiu së bashku me Kocin po ndjekin rrugët ligjore për të ndjekur kërcënuesit e shumtë.
Nuk dihet deri në këtë moment nëse policia e Kosovës po ndërmerr veprime emergjente për të adresuar abuzimet online. Por, në bazë të komenteve të panumërta, situata duket krejtësisht e pamenaxhueshme dhe jashtë kontrollit me promovim tmerrësisht të dhunës në sferën publike.