Nga 'lotët' për vrasjen në QKUK te festa e shfrenuar për vetëm 48 orë: Qysh i dolën fjalët Albin Kurtit? - NACIONALE

Nga 'lotët' për vrasjen në QKUK te festa e shfrenuar për vetëm 48 orë: Qysh i dolën fjalët Albin Kurtit?

1 vit më parë

nga NACIONALE

A ishte përnjëmend i sinqertë reagimi ynë për rastin tmerrues të dhunës ndaj gruas që ndodhi të mërkurën? Nga ajo që do të lexoni më poshtë, na del se JO.

“Zgjimi shoqëror edhe po ngjan vonë edhe po zgjat shkurt. Një a dy protesta të nesërmen, dhe: mirupafshim pas vrasjes së ardhshme.” tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në Facebook. Ai po komentonte vrasjen e gruas shtatzënë në QKUK nga burri prej të cilit po divorcohej.

Këto fjalë - të thëna më 1 dhjetor, një ditë pas vrasjes – duken si të ishin profetike sot, më 4 dhjetor. Pikërisht kjo gjë ndodhi. “Zgjimi shoqëror” që përfshiu një kukamë të fortë në Facebook dhe madje edhe protesta në rrugë, zgjati përnjëmend tepër shkurt. As dy ditë.

30 nëntori

Rasti tmerrues i prodhoi tri viktima, por as kjo nuk mjaftoi që shoqëria jonë të kredhej në reflektim dhe në vazhdim të denoncimit të rasteve të tilla.

Veç 48 orë pas vrasjes, dhe veç tri-katër orë pas varrosjes së viktimës Hamide Magashit, shqiptarët e Kosovës u bënë gati për festë. Zvicra e Xhakës dhe Shaqirit po luante kundër Serbisë. Fitorja e Zvicrës bëri që të harrohej krejtësisht vrasja e gruas shtatzënë dhe vendi të shpërthente në një festë të papërmbajtshme. Mos të harrojmë, ishim vetëm dy ditë larg nga krismat në QKUK që e tronditën dhe pikëlluan secilin prej nesh.

Në rrugët e kryeqytetit nisën të dilnin shumë vetura duke i rënë borisë pa pushim. Në Facebook do të shkruheshin mijëra statuse që shprehnin në delir festën. Por, një reagim me mend do të vinte nga kirurgu Sadik Llullaku që do t’i shkruante këto fjalë:

“100 fitore të Zvicrës ndaj Serbisë janë PAK, në krahasim me shpëtimin e një jete të pacientit të rëndë nga mjekët tanë, e një procesi të drejtë gjyqësor, apo të një parandalimi të dhunës në familje në Kosovë.”

Albulena Haxhiu, ministrja e Drejtësisë, rreth orës 4 të pasdites do të shpërndante një fotografi ku shihej derisa qante në varrimin e Hamide Magashit.

Por, pa kaluar as pesë orë ajo do të shpërndante postimin e kryeministrit Kurti ku ndodhej fotografia e Xhakës dhe Shaqirit në gëzim të papërmbajtshëm për fitoren ndaj Serbisë.

Gazetari Halil Matoshi me të drejtë kishte kërkuar që të shpallej edhe ditë zie kombëtare.

“Presidentja Osmani të shpallë ditën e nesërme Zi kombëtare! Na, burrat, duhet nesër me majtë kryet ultë, kemi ra tek pluhuni!?”u shpreh ai.

Por, jo vetëm që nuk do të shpallej ditë zie kombëtare por as burrat nuk do të ulnin kryet poshtë.

2 dhjetori

Përveç shoqërisë, më të matur në reagime nuk ishin madje as liderët institucionalë.

Kryeministri Albin Kurti do të paraqiste foton me gëzim të Xhakës dhe Shaqirit me përshkrimin triumfal “Serbia nuk kalon. Urime Zvicrës!”

Zëdhënësi i Vetëvendosjes, Arlind Manxhuka, do të shkruante në Facebook duke u fryer për pëlqimet që kishte marrë postimi urues i Kurtit. “Megjithatë, rekordi nuk u thye.”shkruante ai, duke treguar pëlqimet në statusin e fundit, dhe atë të Kurtit për festën e vitit të ri.

Presidentja Osmani po ashtu do të ndante gëzimin duke shkruar “Bravo shqipe”. Reagime kishin bërë edhe krerët e opozitës. Ndërkohë, i vetmi prej krerëve të lartë shtetërorë që s’e kishte bërë asnjë reagim festiv ishte Glauk Konjufca që ende vazhdon ta mbajë si postim të fundit atë për vrasjen e Hamide Magashit shtatzënë.

Por, çka na thotë kjo për karakterin e shoqërisë tonë? Protesta e bërë nga aktivistët për të drejta të grave kishte pasur kërkesa jo të qarta dhe ishte shpërndarë fare shpejt, ashtu edhe siç kishte paralajmëruar Albin Kurti. Ndërkohë, shoqëria jonë tashmë ka harruar çështjen, me postime që nuk përmendin vrasjen tmerruese të 30 nëntorit.

Mirupafshim pas vrasjes së ardhshme, siç paralajmëroi se do të thuhej Albin Kurti!

Lajme të ngjashme