Profil: Sadri Ramabaja - tosku kosovar që si bir i Skënderbeut synon bashkimin kombëtar - NACIONALE

Profil: Sadri Ramabaja - tosku kosovar që si bir i Skënderbeut synon bashkimin kombëtar

1 vit më parë

nga NACIONALE

Gjuha e tij relativisht e pasur e gjysmëtoskërishte nuk është se korrespondon edhe me "sytë" e mendjes së tij. Sepse qëndrimet e Sadri Ramabajës, përveç shpesh qesharake, janë pothuajse gjithnjë edhe ekstremiste. Ato ngjallin vazhdimisht debat, që lë një përshtypje se Ramabaja nuk analizon për hir të argumentimit, por të provokimit.

Toskërishtja në tentativë e z. Ramabajës, pra gjuha gjysmë toskë, gjysmë gegë (ose as gegë, as toskë, por një mutacion alla ramabajan), ka edhe konotacione ideologjike. Ai nuk flet "gjysmëtoskërisht" pse ndihet që të flasë ashtu, por për t’u dalluar se nuk është kosovar. Pra nëpërmjet gjuhës së përzgjedhur, ai dëshiron të na tregojë se është shqiptar, bir i Skënderbeut, që e synon bashkimin kombëtar. Ai beson qenësisht në gjuhën e njësuar e ndoshta edhe në birin e kombit që e bëri Kongresin e Drejtshkrimit. Në fund të fundit, si një gjermanofolës, që pretendon se është Ramabaja, ai me siguri se ka lexuar ndonjë citat të Hajdegerit (ndoshta edhe libër), i cili thekson se gjuha është shtëpia e qenies.

I veshur gjithnjë me ngjyra të zbehta, që duken se i shkojnë edhe të kaluarës së tij, Ramabaja mban një qëndrim indiferent ndaj debatit që zhvillohet në emision. Është krejtësisht i ngathët në debat dhe tërësisht i patalentuar për mendim aty për aty. Ndoshta në mendjen aspak komplekse të Ramabajës, indiferenca ndaj debatit mund të lexohet edhe si tendencë supremacie intelektuale kundrejt bashkëbiseduesit. Sepse Ramabaja vetëquhet profesor (pra jo analist), duke nënkuptuar se ai është akademik, para së gjithash. Për shkak të "profesorllëkut", ai nuk parandien që të debatojë me "vdekatarët".

Qysh u bë analist?

Z. Ramabaja gjithnjë ka analizuar çështje të mëdha, përfshirë politikën, gjeopolitikën, historinë, luftën, fenë etj. Një histori e tillë vjen si pasojë e aktivitetit së tij në ekzil, të cilin Ramabaja pandehim se do të parapëlqente ta quante “veprimtari kombëtariste”, nëse jo ndërmarrje pararojë e kombit. Pas luftës, Ramabaja i hyri ligjërimit nëpër kolegje private, por duke mos e lënë anash politikën. Kandidoi edhe për deputet në listën e LVV-së, por pa sukses. Pastaj u arrestua për shkak të një akuze për terrorizëm, e cila doli të ishte vetëm një akuzë e pabazë, pasi Ramabaja u shpall i pafajshëm. Ramabaja ka një kohë që është pjesë e “Pressing”-ut, e ku ai mban vazhdimisht qëndrim pro Lëvizjes Vetëvendosje.

Specifika: Mendim i vetëvendosur

Z. Ramabaja flet gjithnjë me shumë siguri. Dhe kurrë nuk i ndërron mendimet, pa i ndryshuar Albin Kurti, shefi i tij politik, por edhe i adhuruari i z.Ramabajës. Pra ai ka një siguri prej militanti për bindjet e tij politike, ideologjike e historike. Në botëkuptimin e tij nuk ka vend për dyshim ndaj asaj çfarë thotë e beson, sepse, porsi një ushtar i zoti, Ramabaja është i disiplinuar, duke qëndruar në mënyrë të palëvizshme në istikamet e mendimit të tij.

Kush i shkon nerva?

Më së shumti Valon Syla. Ndoshta sepse në pikëvështrimin e Ramabajës, Syla është përfaqësuesi i krejt asaj çfarë vetë ai nuk e pëlqen: PDK, spektakël, mendim të paartikuluar mirë, gazetar. Natyrisht, autori i këtij shkrimi ka tjetër mendim për z.Sylën (më pozitiv).

Kosova ideale, sipas Ramabajës:

Në ëndrrat më të egra të Ramabajës, Kosova nuk do të ekzistonte si entitet politik e legal. Kosova ideale është Shqipëri e Madhe. Ose “Federatë Shqiptare”, të cilën z. Ramabaja e sheh si domosdoshmëri historike.

Kosova despotike, sipas Ramabajës:

Një Kosovë e udhëhequr nga Hashim Thaçi, për të cilën z. Ramabaja ka një neveri e padurim konstant. Ndoshta për shkak se Thaçi e eklipsoi tërësisht udhëheqjen në ekzil të Lidhjes Popullore të Kosovës (LPK), për t’u bërë njeriu më i rëndësishëm i UÇK-së e Kosovës.

Shprehja e preferuar: Shiko

Shumë momente analize z. Ramabaja i fillon me termin “shiko”, si një tentim për ta marrë vëmendjen e panelistëve, moderatorit e shikuesve. Porsa Ramabajës i del nga goja termi “shiko”, të dashur lexues, bëhuni gati të dëgjoni një “ders” disaminutësh, ku mund të flitet për politikën e Kosovës, dialogun, historinë, gjeopolitikën, e kurrë s’i dihet, edhe për Ukrainën e Rusinë, të gjitha në një prononcim të vetëm.

Orientimi politik: Nacionalsocialist

Mos të keqkuptohemi, z. Ramabaja nuk është nazist (larg qoftë). Është socialdemokrat, me një dozë të shtuar nacionalizmi. Në këtë kontekst, z. Ramabaja është ballist. Pra Ramabaja do të ishte një bashkëpunëtor i palëkundur i Mid’had Frashërit dhe përkon me “Dekalogun”, programin e Ballit Kombëtar për një Shqipëri etnike, demokratike e socialdemokrate.

Nota: 5/10

Ramabaja e meriton notën 5. Tosku kosovar ka qëndrime të qarta, pikëpamje ideologjike e një gjuhë më të pasur se shumë analistë të tjerë. Përkundër se është profesor, z. Ramabaja nuk e ka fare problem që herë pas herë të pajtohet me panelistët e tjerë, duke e bërë atë “modest”. Por nuk meriton notë më të madhe, pasi ai vazhdon të mbetet një nacionalist i regjur që nuk beson në mëvetësinë e Kosovës.

*Vërejtje: Komentet e shprehura në këtë artikull nuk shprehin domosdoshmërisht qëndrime të gazetës Nacionale.

Lajme të ngjashme