E kërcënoi Zana Avdiun: kush është analist Leci - i dënuar për racizëm, për rrahje e i akuzuar për kurdisje ndeshjesh? - NACIONALE

E kërcënoi Zana Avdiun: kush është analist Leci - i dënuar për racizëm, për rrahje e i akuzuar për kurdisje ndeshjesh?

1 vit më parë

nga NACIONALE

Liridon Leci, ish-futbollist i Kosovës, ka qenë një nga figurat që u përfshi në debatin me Zana Avdiu, analiste, në lidhje me gjestin e Granit Xhakës, të cilën Avdiu e cilësoi si “akt rrugaçërie”. Ish-futbollisti, tash i kthyer në analist me pagesë, gjatë debatit të ashpër, Leci nuk u përmbajtë, duke e kërcënuar Avdiun.

Gjithë e përkrah gjestin e Granitit. Çka dalloj unë prej tij (Vlahovicit)? Unë kam gjak shqiptari, s’kam gjak serbi. Kujdes çka po flet, pse je femër nuk d.m.th m’u përballë me ty, po përballem edhe pse je femër. Kujdes çfarë flet. Të tregoj pas emisionit.” – ishin fjalët kërcënuese që Leci (jo humoristi i ndjerë), përdori kundrejt Avdiut.

E një ditë pas kësaj ngjarje televizive, Leci (përsëri jo humoristi i ndjerë Ibrahim Krajkova) ka zgjedhur rrugët ligjore kundrejt Avdiut.

Liridon Leci sot më besoj autorizimin për ta përfaqësuar në gjykatë sa i përket parashtrimit të padisë për fyrje nga Zana Avdiu!” – ka shkruar Nasuf Hasani, avokat.

Por kush është Liridon Leci, futbollisti i dikurshëm?

Ai njihet për një karrierë relativisht të suksesshme, duke përfaqësuar disa nga ekipet kryesore të Kosovës. Leci ishte pjesë e klubeve të ndryshme si Llapi, Prishtina e Drita. Talenti i tij në futboll shpërtheu edhe jashtë kufijve, duke kaluar në Skënderbeun e Shqipërisë. E nga aty për në Suedi, tek klubi Kalmarin për një shumë prej 20 mijë eurosh.

Por gjithçka keq shkoi në aventurën e tij në Suedi. Karriera e tij mori tatpejetën, por jo për shkak të paraqitjeve në fushën e gjelbër, sa për jetën problematike.

SVT, një medie suedeze, e kishte zbuluar dyshimet për një aventurë krimanle të Lecit në Suedi, që përfshinte kurdisjen e ndeshjeve në shtetin suedez. Ekipi i tij, Landskrona BoIS raportohej se e kishte përzënë nga klubi pas akuzave për dyshimet mbi trukimet e ndeshjeve, për të cilat Leci ishte deklaruar “100 i pafajshëm”.

Në një raportim të fshehur të Uppdrag Granskning, Leci i kishte ofruar gazetarit të SVT-së mundësinë e kurdisjeve të ndeshjeve në Suedi.

Mund të ju ofrojë një rezultat të kurdisur, me raste” – theksonte Leci në kamerën e fshehur që e kishte bërë gazetari suedez në Prishtinë.

Ai kishte rënë pre e kësaj video me kamerë të fshehur, ku e kishte pranuar se njerëzit e tij në Suedi kanë kurdisur mbi 13 herë ndeshjet, duke u krenuar se asnjëherë nuk janë kapur për këtë çështje.

Është e rrezikshme. Rreziku i lartë. Kur them se është e rrezikshme, e kam fjalën, kanë frikë në ditët e sotme. Ata kanë frikë. Unë kam 2-3 miq në klube të tjera, ende jam duke punuar me ta. Unë kam disa punë me ta. Në fakt i kam shfrytëzuar mirë”, tha Liridon Leci për STV-së.

Ai theksonte se një ndeshje për tu blerë në superligën suedeze shkon deri në 150 mijë euro, pasi që tre persona nga rrjeti marrin nga 50 mijë euro. E pasi medium e telefonoi përsëri, duke ia përmendur regjistrimin me kamerë të fshehur, Leci theksonte se po bënte shaka, duke shtuar se e dinte që po inxhizohej.

Nuk është e vërtetë sepse thjesht gënjej. Unë thjesht bëj shaka me të. Kjo nuk është e vërtetë." – theksonte me gjysmëzëri Leci.

Por kjo nuk është e vetmja e kaluar problematike e Liridon Lecit. Ai ka edhe disa epizode të tjera aspak të hijshme në biografinë e tij.

Ai ishte dënuar nga Federata e Futbollit të Kosovës për racizëm të shprehur kundrejt Abdul Bashirus të Prishtinës në vitin 2018. Siç raportonte Koha.net, Leci “ishte kapur nga kamerat duke e quajtur Bashirun “monkey” (majmun)”. Për këtë ofendim mbi baza raciste, Komisioni Disiplinor i FFK-së ka dënuar Lecin me 500 euro për këto fyerje.

Dënohet me të holla në shumë prej; 500 euro (pesëqind) në bazë të Rregullores Disiplinore neni 40 paragrafi 1 pika 3. Afati i pagimit të dënimit të shqiptuar në të holla është 15 ditë nga data e sjelljes së këtij vendimi – publikimit në faqen zyrtare të Federatës së Futbollit të Kosovës datë 05.06.2018, respektivisht nga data e pranimit të tij”, thuhej në njoftin e FFK-së, transmetonte Koha.

Leci ishte dënuar me gjashtë ndeshje moslojë për sjellje josportive nga FFK, pasi i njëjti kishte sulmuar gjyqtarin e lojës dhe një futbollist kundërshtar.

“…pas përfundimit të ndeshjes rrugës për në zhveshtore lojtari Liridon Leci fyen, ofendon dhe kërcënon asistentin Granit Hyseni, po i njëjti lojtar Liridon Leci sulmon fizikisht lojtarin e klubit të futbollit “Trepça ‘89“ nga Mitrovica me numër 7; Hasan Hysenin të cilit i shkakton lëndime në fytyrë) Citojmë së lojtari Liridon Leci për atë ndeshje ishte i pezulluar dhe jo i evidentuar në protokollin zyrtar të ndeshjes.” – theksohej në njoftim, transmetonte Koha.

“Bazuar në deklaratën plotësuese të vet lojtarit dhe të tjerëve Konform Rregullores disiplinore neni 44 paragrafi 1 pika 1, lojtari Liridon Leci ; DËNOHET ; me ndalesë loje për 6 (gjashtë) ndeshje zyrtare sipas radhës të organizuara nga ana e Federatës së Futbollit të Kosovës.” – vendoste Komisioni Disiplinor.

Ndërsa Betimi për Drejtësi raportonte në vitin 2018, për një rast tjetër në të cilën ishte përfshirë përsëri Liridon Leci, ish-futbollisti problematik, tash i kthyer në analist futbolli. Por ai e kishte mohuar fajësinë.

Sipas akuzës së ngritur më 21 gusht 2017, nga Prokuroria Themelore në Pejë, Liridon Leci akuzohet se ka kryer veprën penale “pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”. – raportonte Betimi për Drejtësi.

Tutje, sipas aktakuzës, i pandehuri fillimisht refuzon të largohet dhe i drejtohet të dëmtuarit me fjalët “largohu ti se unë rri këtu se kom të drejtë”, e më pas i dëmtuari duke e shoqëruar të pandehurin për në tribunë, ky i fundit e kundërshton të dëmtuarin duke e shtyrë me dorë dhe duke e goditur me duar në trup të, e duke iu drejtuar me fjalët “ti je kali”, ku më pas edhe arrestohet.” – përfundonte raportimi i Betimit për Drejtësi.

Lajme të ngjashme