Edhe diaspora shqiptare në Suedi në këmbë për ish-krerët e UÇK-së
Diaspora shqiptare në Göteborg të Suedisë ka organizuar një protestë në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po përballen me procesin gjyqësor në Hagë, raportoi Klan Kosova.
Në protestë morën pjesë shqiptarë që jetojnë në Suedi, ndërsa organizimi u bë nga të rinj të diasporës.
Qëllimi i tubimit ishte shprehja e solidaritetit me ish-drejtuesit e UÇK-së dhe përcjellja e kërkesës për drejtësi në procesin që po zhvillohet ndaj tyre.
Njëri prej organizatorëve, Rinor Mehmeti, ka bërë të ditur se protesta synonte të dërgonte një mesazh të qartë solidariteti nga diaspora shqiptare.
Tubimi në Göteborg vjen në kuadër të një vargu aktivitetesh të organizuara nga shqiptarët jashtë Kosovës në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së që ndodhen në Hagë.