Nxënësit e Gazës i rikthehen mësimit fizik për herë të parë në gati tre vjet - NACIONALE

Nxënësit e Gazës i rikthehen mësimit fizik për herë të parë në gati tre vjet

1 javë më parë

nga NACIONALE

Qindra mijëra fëmijë në Gazë iu rikthyen të shtunën mësimit fizik për herë të parë në gati tre vjet, edhe pse në ndërtesa të dëmtuara ose të improvizuara dhe në tenda, pa uniforma, fletore e lapsa që për shumë familje janë të papërballueshëm për t’u blerë.

Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF) thotë se 98 për qind e shkollave në Gazë ose janë shkatërruar, ose janë dëmtuar gjatë luftës, ndërsa zyrtarët e arsimit në enklavë thonë se rreth 660 mijë nxënës kanë mbetur pa mësim fizik dhe pjesëmarrje të rregullt në procesin arsimor, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Rihapja e shkollave është një hap i madh por i brishtë për Gazën pas një konflikti që ka lënë të vrarë rreth 22 mijë nxënës dhe mbi 770 punëtorë të arsimit, përfshirë 532 mësues, sipas Ibrahim Ramadanit, drejtor i arsimit për Khan Younisin Lindor.

“Hera e fundit që kam qenë në shkollë ishte tre vjet më parë. Tani po e nisim vitin shkollor, është vit i haresë, gëzimit dhe suksesit” – tha Moayed Abu Mustafa në Khan Younis.

Mustafa tha se është i vendosur që të mësojë, edhe pse do të ulet në dyshemenë e një tende që i mungon ajrosja, nuk ka këpucë të hairit, as fletore e laps, si dhe ka humbur shokë gjatë luftës.

“Pavarësisht tërë këtyre, ne do të mësojmë, do të mësojmë edhe në tendë” – tha ai.

15-vjeçarja Samar Abu Salmi, nxënëse e zhvendosur nga shtëpia e saj për shkak të luftës, që tan jeton me familjen e saj në një tendë, gjithashtu do t’i kthehet mësimit fizik.

“Mësuam në telefona dhe nuk i kemi parë mësuesit... tani jemi kthyer dhe po e ndjekim ëndrrën tonë... nga një tendë në tjetrën” – tha ajo, duke folur në oborrin e shkollës së re të improvizuar.

Asaj gjithashtu i mungon një pjesë e madhe e veglave shkollore, që janë bërë financiarisht të papërballueshme për familjen e saj.

“Para luftës, gjithçka ishte e qasshme për ne –fletoret, lapsat, mallrat, rrobat, ekskursionet, gjërat që mund t’i merrnim lirë” – tha Salmi.

Lajme të ngjashme