Profil: Blerim Latifi - analisti filozof, që e "do" Kanunin teksa flet për Platonin - NACIONALE

Profil: Blerim Latifi - analisti filozof, që e "do" Kanunin teksa flet për Platonin

1 vit më parë

nga NACIONALE

"Kur ta ktheva Kosovë shpinën...", vargu ikonik i Dervish Shaqës dëgjohet lehtas në prapavijë teksa Blerim Latifi, i ulur këmbëkryq ballë oxhakut të odës së vjetër, i pëshpërit ngadalë fjalët hyrëse të "Republikës" së Platonit. "Sokrati dhe Glaukoni janë të burgosur"- lexon përmallueshëm filozofi nga Drenica, që krejt pafajshëm në mendje i vjen e kaluara e Shaban Polluzhës, që po ashtu ishte burgosur.

Paragrafi më lart është pjellë e imagjinatës së autorit të këtij shkrimi, por që lehtësisht mund të ketë ndodhur në realitet në jetën e Latifit, sepse folklori dhe filozofia, provinca dhe universalja jetojnë disi pakuptueshëm në paqe në mendjen e z. Latifit. Si duket, përkundër këtyre kundërthënieve, shpirti i tij mbetet i patrazuar nga kjo gjendje. Epo zemra nxehet me çifteli, ndërsa mendja me dituri.

Blerim Latifi është profesor filozofie, por, në të njëjtën kohë, edhe ithtar i Kanunit të Lekë Dukagjinit (e di, shumë i dashur lexues, duket krejtësisht surreale, por është e vërtetë). Një botëkuptim të tillë dikush do të mund ta quante mendim sinkretik i mbushur plot me hetordoksizma, ndërsa një tjetër do ta cilësonte thjesht si pamundësi për të artikuluar një mendim të qartë. Pra z. Latifi ka një grumbuj mendimesh, të cilat vazhdimisht tenton t'i përforcojë me citime vend e pa vend të autorëve të ndryshëm.

Qysh u bë analist?

Për shumë vjet, Latifi ishte këshilltar, herë i Hashim Thaçit e herë i Kadri Veselit, të dy ish-kryetarë të PDK-së. Por një dështim qesharak për t'u bërë deputet në zgjedhjet e vitit 2019, me të cilën humbje nuk u pajtua lehtë, duke zgjedhur t’i akuzonte bashkëpartiakët për vjedhje votash, e ndau atë nga partia. Pas fiaskos elektorale, rruga e natyrshme e Latifit ishte analizëbërja. Në fakt, Latifi ka qenë gjithnjë i pranishëm në mediet kosovare, posaçërisht kur flitej për religjionin në shoqëri. Kalimi i tij nga politika në televizion si analist duket krejt i natyrshëm. Analizimi i ngjarjeve politike, duke i pasur parasysh njohuritë dhe përvojën e tij, është një "sport" i lehtë për z. Latifin.

Specifika: Citime

Mënyra se si Latifi artikulohet, ta krijon përshtypjen se ka lexuar shumë libra. Një përshtypje të tillë Latifi nganjëherë tenton ta betonizojë duke cituar autorë të ndryshëm si Hegelin, Marksin, Platonin, Aristotelin, Benjaminin. Përtej filozofisë, z. Latifi ka dije edhe në disiplina të tjera, si historia, për shembull. Të gjitha këto janë një armë e mirë në debat në televizionet shqiptare, duke e bërë Latifin një personalitet, megjithatë, me mendim të respektueshëm.

Kush i shkon nerva?

Dukagjin Gorani, Valon Syla dhe Sadri Ramabaja. I pari për fatalitetin në argumentim, i dyti për "shoun" që e prodhon dhe i treti për militantizmin në mendim. Kjo tregon se Latifi synon të jetë një shqiptaro-centrik që dëshiron debat të qetë, larg mendimeve dogmatike.

Kosova ideale, sipas Latifit:

Filozofi Latifi vazhdon të jetë një ushtar shqiptarie. Kosova ideale për të është një Shqipëri veriore. Në shumë postime, Latifi e ka përkrahur bashkimin kombëtar, prandaj për të, idealja Kosovë është Shqipëri e bashkuar.

Kosova despotike, sipas Latifit:

Një shtet i pavarur i Kosovës, që për bazament ka një komb kosovar. Latifi asnjëherë nuk e ka mohuar "padurueshmërinë" e tij me idenë e kombit kosovar, të cilin ai e ka mohuar se ekziston. Krijimi i një kombi kosovar në të gjallë të tij do t'ia shkatërronte të gjitha iluzionet për bashkimin kombëtar.

Shprehja e preferuar: Konsideroj

Termi i përdorur më së shpeshti nga z. Latifi është folja "konsideroj". Profesori i filozofisë e zgjedh këtë term për të treguar se ai, jo vetëm që jep një pikëpamje për dikë a diçka, por edhe e vlerëson atë. Do të thotë: edhe mendim, edhe notim. Një përbashkim i racios dhe moralit.

Orientimi politik: Shqiptaromadh

Si ish-ushtar UÇK-je, Latifi është shqiptaromadh, nëse jo nacionalist. Ai gjithnjë mendon si shqiptar e pastaj si filozof. Në botëkuptimin e tij, vlera më sipërore është të qenët shqiptar. Por si ligjërues filozofie, ai është ithtar i iluminizmit (në fund të fundit, edhe nacionalizmi është fëmijë i iluminizmit). Por te Latifi zë vend edhe tradita, madje tradita më patriarkale e mundshme: Kanuni. Në këtë kontekst, ai mund të quhet edhe konservator.

Nota: 5.5/10

Blerim Latifi e meriton notën 5.5. Leximet e tij janë relativisht solide, por pamundësia për ta tejkaluar moçalin "kanunor" e penalizojnë z. Latifin në garën për notë më të madhe. Po ashtu, ndryshimi i qëndrimeve, pa ndonjë arsyetim paraprak ose "prapaprak" (korrigjuesi tërhoqi vërejtjen se një mbiemër i tillë nuk ekziston në gjuhën shqipe) janë faktor që ndikojnë në notim. Natyrisht, e ftojmë z. Latifin që të vazhdojë me analizat e tij. Nuk dihet, në të ardhmen mund të notohet më shumë, nëse i merr parasysh në praktikë kritikat tona.

*Komentet e bëra në këtë shkrim nuk pasqyrojnë domosdo qëndrimet e gazetës Nacionale

Lajme të ngjashme