Profil | Ermal Sadiku, programeri të cilit ‘ia kërkoi’ kombi të bëhej analist - NACIONALE

Profil | Ermal Sadiku, programeri të cilit ‘ia kërkoi’ kombi të bëhej analist

1 javë më parë

nga NACIONALE

Të quhesh Ermal Sadiku në Kosovë është njësoj si të quhesh Zhang Wei në Kinë, Alan Smith në Angli, Paolo Rossi në Itali apo Robert Muller në Gjermani. Pra, është një emër e mbiemër aq i rëndomtë sa të hidhet t’ia ndërrosh. Të quhesh Ermal Sadiku nënkupton në fakt të mos quhesh. Natyrisht, për aq sa funksioni i emrave tanë është të na përveçojnë nga njëri-tjetri

E megjithatë, Ermal Sadiku është emri i analistit tonë të dashur, Ermal Sadikut. Në mënyrë që ta dallojmë po e quajmë nganjëherë Zhang, ashtu siç quhen 100 milionë njerëz në botë.

Zhangu ynë megjithatë, përkundër krejt kësaj rëndomësie, nuk zhvilloi ‘kompleksin’ e të qenit i rëndomtë dhe dëshirën për të qenë i veçuar. Ai nuk donte të veçohej as mes ermalsadikëve tjerë kosovarë. As mes mbështetësve të VV-së. As mes analistëve tjerë. E madje as mes analistëve pro-VV.

Qysh u bë analist?

Zhangu nuk u bë analist sepse donte të bëhej analist. Ai u bë analist sepse ‘populli’ e detyroi të bëhej analist. Ta shpjegojmë: Ermal Sadiku ishte kërkesa titanike e botës televizive në Kosovë që po lëngonte të gjente dikë (ndonjë analist) që do të mbronte në mënyrë racionale partinë në pushtet.

Ta shpjegojmë edhe një herë: Vetëvendosje në kohën kur Ermal Sadiku u bë analist i kishte fituar mbi 50 për qind të votave por nëpër debate televizive çuditërisht ishte tmerrësisht e keqpërfaqësuar nga analistët ekzistues. Ata ishin të paartikuluar, shprehnin thjesht ato fjalë e fjali që shpreheshin nga simpatizantët e Vetëvendosjes, dhe s’e zgjeronin dot të kuptuarit mbi gjithë atë sukses. Televizioni pyeste: “qysh ndodhi ajo që ndodhi? A di diçka populli që unë nuk e di?”

Fatkeqësisht, kjo lëngatë për kuptim akoma vazhdon. Ermal Sadiku nuk mjaftoi.

Specifika: S’jam me VV-në por...

Pikënisja e analizës politike të Ermal Sadikut (ajo qasja e pazakontë për të cilën folëm në fillim) ishte fjalia “unë nuk jam me Vetëvendosjen por...” Po fliste mekanizmi i tij i brendshëm defanziv. Pra, ai po thoshte “unë nuk jam irracional por...” duke ndërtuar dukjen e diçkaje racionale.

Ishte fillimi i vitit 2021. Kohë kur Tomë Gashi e bënte namin si analisti kryesor i partisë në pushtet. Ermal Sadiku dukej të ishte frymëmarrje lehtësimi kur u paraqit ekraneve televizive i ftuar nga Leonard Kërçuki. Nëse Tomë Gashi do të ishte folësi kryesor i pushtetit nëpër televizione, atëherë vaj halli për Kosovën.

Pikënisja e ndihmoi të ishte racional dhe të gjente hapësirë për ndërtimin e argumenteve jashtë frymës helmuese partizane fillimisht, gjë që e etabloi për disa muaj si një analist serioz. Por, u helmua.

Ai më pas do të eskalonte në deklarata të përçudshme si ajo se “do të punonte pa pare për Albin Kurtin”.

Kush i shkon nerva?

Valon Syla. Ai sulmon qysh pikënisjen e analizës së Zhangut, duke e çkuptimësuar krejtësisht atë.

“Unë nuk jam me Vetëvendosjen por...” – Ermal Sadiku.

“Ti je me Vetëvendosjen!” – Valon Syla.

Kjo e sforconte secilin mesazh që Zhangu e jepte pas lidhëzës “por”.

Kosova ideale sipas Sadikut?

Eh, këtu bëhet puna pak më e vështirë. Mësohet që Zhangu kishte zënë në një kafeteri disa kolegë të gazetës Nacionale dhe iu kishte folur për gjithë kohën e tyre të pauzës për vetëm një gjë: bashkimin kombëtar!

Sadiku përnjëmend beson që një Shqipëri e Madhe do t’i kontribuonte stabilitetit, sigurisë, politikës, ekonomisë, sportit, kulturës etj.

Pra, Kosova ideale e Sadikut do të ishte thjesht një krahinë brenda Republikës së Shqipërisë.

Kosova distopike sipas Sadikut?

Kjo që është! Ose, nëse do të kishte edhe më shumë kosovo-centrizëm.

Shprehja e preferuar: Mos bo hajgare

Sadiku nuk ka qenë shpesh pjesë e debateve televizive aq sa të ndërtonte një fjalor të tij specifik shprehjesh.

Orientimi: I djathtë

Sadiku e pranon edhe vetë që beson në një ekonomi të tregut të lirë. Ndoshta, në një liri radikale. Ndërkohë, edhe bindjet e forta nacionaliste e çojnë atë rrezikshëm shumë në të djathtë.

Nota: 4/10

Lulzim Peci u shpreh shumë ashpër gjatë ditës së djeshme, duke shprehur se debatet televizive e kishin me “patjetër” një analist të paartikuluar dhe padijshëm në studiot e tyre. Zhangu nuk ishte dje nëpër televizione. Dhe ai nuk është “me patjetër” analist. Sadiku është edhe programer e biznesmen.

Nota e tij bazohet në paraqitjet e pakta televizive të bëra në Pressing, ku shpesh nuk ia dilte të ishte në më të mirën e tij. Mësohet se ai është larguar nga ky emision dhe do të bëhet pjesë e një emisioni tjetër debati, ku edhe mund të zhvillojë më shumë aftësitë debatuese.

*Komentet e bëra në këtë shkrim nuk pasqyrojnë domosdo qëndrimet e gazetës Nacionale

Lajme të ngjashme