Inxhinieri tash nuk pranon të punojë për Qeverinë: Hajgare ka qenë, as që e njoh Albinin - NACIONALE

Inxhinieri tash nuk pranon të punojë për Qeverinë: Hajgare ka qenë, as që e njoh Albinin

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Atëherë kështu... po del se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, paska thënë se për mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale të Serbisë në Kosovë, duhet të ketë një marrëveshje mes dy vendeve.

Për çudinë time, ky qëndrim i Kurtit po merr reagime pozitive nga bota politike, teksa unë ende jam duke u njoftuar me faktin se Serbia lirshëm i paska mbajtur zgjedhjet e saj paralamentare në territorin e Kosovës në 20 vitet e fundit. Mos më gjykoni, me lutje ju kërkoj, disa nga ne thjesht kanë zero interesim për t'u futur në ujëra të tillë që kanë të bëjnë me kryeministra/analistë/institucione politike, përfshini gjithashtu në miks edhe faktin se unë jam gazetar i sportit/kulturës, dhe e gjeni një pikëpyetje të madhe si përfundova në këtë situatë - të shkruaj për tema të kësaj natyre.

Sigurisht, nuk dyshoj, është një çështje delikate kjo për të cilën po flasim në këtë artikull, siç është çdo gjë që ka të bëjë me politikën, të cilës me qëllim të ruajtjes së shëndetit mendor dhe stresit, mundohem t'i qëndroj larg.

"Qy, nëse Albini nuk ju lejon zgjedhjet me i mbajtë në Kosovë qysh i kanë mbajtë 20 vjet, unë jam i gatshëm me shku me punu në kryeministri 1 muj ditë pa asnjë cent", ka shkruar në një postim mbrëmë zhvilluesi i rrjeteve, po ashtu personalitet aktiv në botën e rrjeteve sociale, Ermal Sadiku.

"Kurgjo, kurgjo naj kafe ju qes, naj kompjuter nëse kanë me formatizu ... fundja për blockchain i mësoj najsen. (Nejse, besoj Albini veç e din këtë punë si për turbina në KEK)", shkruhet në pjesën përmbyllëse të statusit të tij.

Për të vërtetuar këtë deklaratë, ishte detyrë e imja ta telefonoja sot Sadikun dhe ta pyesja nëse njëmend do të bënte një gjë të tillë, në rast se qeveria e zotit Kurti do të bënte atë për të cilën unë u njoftova sot - e që është, praktikisht, mos-lejimi i mbajtjes së zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë.

Për t'u njoftuar fillimisht me dinamikat e asaj që kishte ndodhur, pyesja gazetarët e redaksisë, të cilët nuk hezituan të bënin tallje e të përfitonin nga injoranca ime politike, por në fund kuptova ca gjëra.

Sadiku, në anën tjetër, u duk se e kishte lënë tashmë prapa statusin e mbrëmshëm, teksa më tha në një bisedë telefonike:

"Jo, jo, jo, veç hajgare njeri, hajgare", u shpreh ai pasi e pyeta nëse vërtet do të pranonte të punonte pa pagesë për qeverinë nëse arrihet ajo marrëveshje mes Serbisë dhe Kosovës.

"Ngom, nëse ata nuk e lejojnë Serbinë me i majtë zgjedhjet këtu, që une dyshoj, nuk është problem... se une muj me shku aty me iu nimu najsen, por besoj që e keni kuptu hajgaren."

Insistova në teorinë se çka nëse vërtetë ndodh që zgjedhjet serbe të mos mbahen në Kosovë, a do ta mbante fjalën, koment ndaj të cilit Sadiku u shpreh "Po ti a po menon që qeveria m'thirrin mu me nejtë qaty te ta a?", pyetje që unë e përcolla me një tjetër pyetje "po, qe nëse kish’ ndodhë me të thirrë...", me Sadikun që pastaj vazhdoi "Jo bre se s’m’thirrin. Edhe nëse jam i gatshëm me shku, apet ata s’m’thirrin".

Më tej, ndërhyra "po ti domethënë ishe konë i gatshëm", dhe "në cilin dikaster mendon që kishe kry punë, nëse të kishin thirrë", teksa mendoja mos jam duke e tepruar me tërë këtë insistencë dhe pyetje, kur njeriu në fillim më tha se "veç hajgare ka qenë".

Mirëpo, Sadiku vazhdoi të bashkëpunonte me konstruktivitet dhe seriozitet, kur tha "N'dikasterin e makiatove kisha kry punë më së shumti", tha ai, para se të shtonte "Nuk kanë nevojë ata për mu, as unë për ta. Ideja osht që, si një farë lufte... unë që i mbroj do sene, edhe këta që i kritikojnë tanë kohën qeverinë me gjithçka. Se unë as nuk i njoh, nuk e kom idenë as kush osht Albin Kurti, e as kurrë në jetë nuk kam nejtë me të."

Me Sadikun duket se, ndër të tjerash, e kemi një gjë të përbashkët, që "kurrë në jetë nuk kemi nejtë me Kurtin", i cili besoj se do të kalonte shumë mirë me mua, pasi asnjë nga pyetjet që do ia parashtroja nuk do të ishin të karakterit politik.

Për qëndrim profesional rreth çështjes dhe dinamikave të zgjedhjeve parlamentare të Serbisë në Kosovë, ju ftoj të ndiqni editorialin e detajuar të Berat Buzhalës.

Kujtojmë se Qeveria Kurti është përballur me një krizë të theksuar të gjetjes së njerëzve profesionalë në fusha të caktuar, çka ka nxitur opozitën që ta quajë si “qeveri praktikantësh”.

Lajme të ngjashme