UÇK-ja te Brezi Z - NACIONALE

UÇK-ja te Brezi Z

4 orë më parë

nga Col Mehmeti

Përtej Gjykatës Speciale, vullneti i ligë nuk ishte vetëm për t’i dënuar reprezentët e UÇK-së. Nga UNMIK-u e tutje, investimi i madh ideologjik donte shuarjen përfundimtare të trashëgimisë së kryengritjes shqiptare të 1999-s. Kërkohej të harrohej formula e fatbardhësisë së shqiptarëve të cilët e bënë aleat Perëndimin. Për këtë arsye u dekurajuan përpjekjet për ta trashëgimizuar (heritagization) UÇK-në apo për t’i lënë asaj një ‘lieu de mémoire’. Në kurrikulat shkollore të historisë nuk u rezervua vend për të. U duk sikur shoqëria shqiptare në Kosovë, në zbrazëtinë e saj, do të mishërohej vetëm me kultin e Kurtit. Por, mijëra e mijëra të rinj, të lindur pas luftës, janë më shumë UÇK sesa çdo kontigjent tjetër moshor në Kosovë.

Col Mehmeti

Shpesh duhet të ndodhin gjëma të mëdha që njerëzia të gjejë të vërtetën njësoj si një zjarr i ndezur midis acarit.

Dënimet ekzamplare në Hagë, pas një procesi ku teknikalisht e proceduralisht veçse dihej fundi, e mbushën shoqërinë me UÇK më shumë se gjithçka tjetër.

Kriza e regjimit populist në Kosovë u shfaq qysh më 2023 atëherë kur pritja mesianike zbriti me këmbë në tokë në realitetin e ashpër të jetës.

U krijua një boshllëk i zymtë.

Në këso hapësira të çkuptimësuara, njerëzit natyrshëm kthehen në kërkim të një identiteti që është më i rëndësishëm për mbijetesë sesa buka.

Siç e thoshte dikur Kadare, “në kohë krizash, kërkimi kthehet për te rrënjët”.

Por në pashpresë e në topitje mendore, një pjesë e shoqërisë vuri maska të reja identitare, dikush një identitet fetar, dikush ideologjik e dikush krahinor.

Po bëhej gjithnjë e më keq si një danse macabre, valle e dalldisë, para rënies në hon.

Gjëma e madhe që ndodhi në Hagë prodhoi më shumë UÇK në shoqëri sesa të gjitha përpjekjet për një gjë të tillë, më shumë sesa edhe nëse dikush do të mundohej, madje edhe më shumë sesa po të kishte strategji.

E mira është që UÇK-ja po kapilarizohet te Brezi Z, te gjeneratat e lindura në vitet 1997-2010, kontigjente gjatë dhe pas luftës.

Janë skena që ua hodhën në erë matematikat e ekstremizmit të LDK-së dhe Botës Sot që mbiprodhuan një kulturë shpifjesh për ta asociuar UÇK-në vetëm me vrasje, pabesi e gjithçka të zezë.


***
Disa ditë para se të konfirmohej aktakuza e Gjykatës Speciale ndaj udhëheqjes së UÇK-së, më 26 tetor 2020, informacionet e para erdhën përmes Tiranës dhe kanaleve diplomatike e shërbimeve të shtetit shqiptar.

Po njësoj kanalet e shtetit shqiptar ishin në dijeni shumë më herët sesi do të ishte vendimi i 16 shtatorit.

Pra, nuk kishte befasi as në kumtin e parë e as në të dytin.

Nëse do të peshohej në kandar, angazhimi i Tiranës në Hagë del se ishte larg më i madh sesa ai i Prishtinës e cila e kishte detyrë ligjore t’i qëndronte pranë katërshes së UÇK-së.

Këto faqe të harruara dëshmojnë se Tirana, me atë pak takat, ishte gjitherë në korrent me çdo zhvillim të rëndësishëm për Kosovën.

Në qeveri kanë qenë herë nga PD-ja, më shumë nga PS-ja, e ku i dihet një ditë do të jenë edhe ‘flamingot’ e rrugës, por ka qenë një model i pandryshueshëm që gjithmonë Kosova ishte qendrore në kompasin diplomatik e strategjik të shtetit.

Për fat të keq, këto gjëra nuk peshohen e as vlerësohen në Kosovën e helmatisur.

Një nga smirat më të mëdha kolektive ndër ne ishte kundër gjithçkaje andej Drinit.

Kishte kaq shumë sasi të zararshme të zilisë, kompleksit e dashaligësisë ndaj gjysmës sonë andej kufirit.

U ngrit një mur i madh kundër Shqipnís që nuk ruhej me vigjilencë kamerash, karaullash e telash. Ishte mur jofizik që ruhej 24 orë nga vullneti i Qeverisë Kurti, por edhe nga fuçi të tëra plot urrejtje, shpifje e pisllëk..


***
Atituda moraliste po na pengon t’i shohim disa nga paradokset tona.

Nëse flamur i pezmit publik mbetet vetëm kërkesa për ‘zhbërje’ të Gjykatës Speciale përmjet Kuvendit, këtu shteti po zëvendësohet me fisin e logjikën e tij tuhafe.

Nuk do të duhej për asnjë çmim ta krijojmë mbresën e njerëzve që i thonë një tribunali ‘hallall’ ose ‘haram’ në varësi të vendimeve.

Sillemi sikur dënimi është i paapelueshëm, por po harrojmë që mu atje, në atë Areopag, i kemi gjasat për ta fituar davanë e madhe.

Njerëzve të rëndomtë iu falet sepse dëmi emocional është tepër i madh, por nuk falet nëse edhe kohortat me ekspertë qorrohen nga dalldia.

Sepse në një situatë hipotetike edhe sikur Kuvendi i Kosovës do ta shpallte NUL Gjykatën Speciale, Tribunali i Hagës nuk do t’i hapë dyert e qelive për krenat e UÇK-së.

Fatkeqësia që nuk po shihet është se po e rrënojmë edhe atë trashëgimi të vyer që e la ish-presidenti Thaçi dhe vetësakrifica e tij.

Kur e pranoi Gjykatën Speciale më 2015, duke e sakrifikuar veten si rrallë ndonjë politikan, ai me këtë gatishmëri i shkëputi BE-së e Amerikës plot e plot koncesione, zotime e premtime që do ta fuqizonin diplomatikisht Kosovën.

Po e pranojmë një gjykatë hibride, të cilës po i delegohet një llokmë sovraniteti, dhe po marrim plot koncesione nga Perëndimi.

Ky ishte ajthi i idesë grandioze të Thaçit.

Prandaj duhet shmangur gjithçka sjell zarar, dhe më së shumti ‘albinkurtizimi’ i veprimeve dhe mendimeve.

Yryshi për ‘zhbërje’ të Speciales është logjikë që e pjell vetëm fantazia kriminale e Kurtit dhe edepsuzave të tij.

Më parë se të prodhojë ndonjë efekt, ne rrezikojmë një tjetër rekord të zi si një vend që mendon se ruan ‘krenarinë’ duke e refuzuar Perëndimin.

Ç’është e vërteta, Albini ka nevojë që edhe të tjerët t’i bëjë si vetja, pra që ai mos të jetë i vetmi i leçitur nga bashkësia ndërkombëtare.



***
Nuk do të doja t’i rekrutoja të tjerët në anëpamjen time, por sikur po krijojmë një furtunë në gotë uji.

Për pak edhe mund të krijojmë përshtypjen e një njeriu të ulur fillikat vetë në një tavolinë kafeneje që bërtet me sa ka zë, bën lëvizje të shkalluara me duar e kërkon ndihmë.

Ai nuk është mes dallgëve në det, por para gotës së ujit.

Është e kuptueshme trandja e madhe publike nga vendimi i Tribunalit që përjetohet kaq asgjësues e kaq poshtërues.

Megjithatë, ka nevojë të zhdramatizohet gjithçkaja e secili zhvillim të këqyret esëll.

Në orën 10:30, në paraditën e asaj të mërkureje, kur gjyqtari Smith lexonte dënimet ekzamplare, Thaçi mbante një qetësi olimpike e buzëqeshje qesëndisëse.

Ishte reflektim i një sigurie që ky nuk është fundi.

Nga një rikapitullim i historisë trevjeçare, aktgjykimi i shkallës së parë nuk mund të ishte ndryshe veçse me këtë epilog po të nisemi nga mënyra si u administrua procesi gjyqësor.

Por fakti se ra akuza për krime kundër njerëzimit dhe që nuk kishte ndonjë shenjëstrim mbi popullatën civile është një fitore më e madhe sesa që e mendojmë.

Në dollapin e fitoreve është edhe saktësimi se krejt rasti nuk ka të bëjë me legjitimitetin e UÇK-së dhe as me kauzën e saj për pavarësi.

Këto konstatime notore do të shërbejnë për ta sfiduar seriozisht në Apel pjesën e keqe të aktgjykimit për ndërmarrje të përbashkët kriminale.

Prokuroria tashmë i ka mbërritur kufijtë e saj duke harxhuar krejt municionin e saj ashtu sikurse edhe Paneli Gjykues me arsyetimin e dhënë.

Mbrojtja tani e ka, ipso facto, një epërsi në shestimin e strategjisë për në Apel duke i gjetur inkonsistencat, paradokset e mangësitë e arsyetimit të Panelit gjykues.

Mjafton që procesi të problematizohet në komunitetin akademik në Perëndim, të krijohet një shqetësim i përgjithshëm, e po njësoj edhe mediat të vazhdojnë publikimin e episodeve skandaloze që Gjykata në Hagë u përpoq t’i fshihte nën rrogoz.



***
Duhet gjithmonë të ekzistojë një fatkeqësi a shtrëngicë ekzistenciale për t’i kuptuar bekimet e jetës, epërsitë tona dhe për t’i zbuluar miqtë e vërtetë.

Po të mos ishte 1914-a kurrë njerëzimi nuk do ta kuptonte se bota që erdhi pas Versajës ishte larg më e mirë se çdo botë tjetër.

Nëse nuk do të ishte Gjykata Speciale, a do t’i kishim me qindra episode gjatë gjykimit që na përplasën përballë të vërtetash të mëdha?

Pa Specialen, a do t’i kishim performancat e vyera të Luka Mishetiqit që ekspozoi absurde, shpalosi të vërteta e introduktoi perspektiva të reja për ta parë kombin shqiptar në kohë?

Pa Specialen, a do të njiheshim me Ben Emmersonin e shëlqyer që e këputi në mes një horr si Fred Abrahamsi i Human Rights Watch?

Do të mjaftone një qëmtim disaminutësh për ta kuptuar se një raport i HRW-së ishte mbështetur në 97 për qind të tij në burime serbe.

Këtë punë që do të duhej ta bënim ne, Emmersoni e bëri gjatë një paraqitje fantastike si avokat.

Pa Specialen, si do të siguroheshin dëshmi kapitale nga Wesley Clark-u i madh e James Rubin-i brilliant?

Udhëtimi i heroit, sipas paradigmës së Joseph Cambellit, shpesh sjell plagosjen ose fundin e tij fatal në sfidën e fundit me përbindëshin.

Por, fitorja nuk është e lidhur me fatin personal e as me fitoren a disfaten e heroit.

Fitorja është te mësimet që vijnë nga udhëtimi që e transformoi përgjithnjë heroin dhe botën që e prodhoi atë.

Lajme të ngjashme