Historibërësi i shekullit - NACIONALE

Historibërësi i shekullit

2 ditë më parë

nga Col Mehmeti

Si gazetarë, asnjëri prej nesh, nuk e dimë cili do të jetë vendimi i gjashtëmbëdhjetë shtatorit. Kur ethja e publikut numëron secilën minutë që duket sikur nuk kryhet asnjëherë, ajo çfarë na nevojitet është ta shohim veten me sytë e së ardhmes. Si shqiptarë e trazuam udhën e çlirimit dhe independencës duke fituar besimin e krejt Perëndimit. Si fëmijë të po këtij Perëndimi, ne dhamë shembullin suprem se nuk i ikim drejtësisë dhe përballemi me të duke paguar kosto të rëndë. E njejta drejtësi duket se do të peshojë gjëra të tjera që kapërcejnë individët, akuzat, mbrojtjet. Verdikti duket se do të jetë një ‘modus non moriendi’ (mënyrë për të mos vdekur), duke e lënë të mbijetojë secilin identitet në Ballkan. Paksa e ndërlikuar!

Col Mehmeti

15 shtator 2026 – Kur kapërcehet agjitimi mendor prej pritjes dhe agonisë, vjen një moment kur nuk bën thuajse përshtypje çfarëdo informacioni për vendimin e nesërm në Hagë.

Kanalet diplomatike e komunitetet e inteligjencave mbase tashmë i kanë indikacionet e plota ose të pjesshme se cili do të jetë gjykimi i mbramë.

Mpirja e madhe nervore që vjen nga plot 2151 ditë, sa zgjati drama e madhe, bën që të harrohet fillimi i rrugës dhe tabelat me shenja që paralajmëronin një destinacion të pazakontë.

Është, pra, një rrethanë fare jashtëgjyqësore që i ka predeterminuar gjërat kaherë.

Tahmini im hëpërhë është se vendimi, me shumë gjasë, do të jetë një modus non moriendi (mënyrë për të mos vdekur).

Prej tij do të mbijetojë copë-copë secili identitet i përfshirë.

Do të jetojmë me bindjet tona, do të vazhdojmë me të njejtat botëpamje, por asgjë nuk do t’i zhbëjë të arriturat e gjertanishme ku Ballkani jeton me dy shtete shqiptare.

Është folur si me zell religjioz për punën e drejtësisë tranzicionale si një panacea (ilaç) që do të shërojë për jetë e mot shenjat e fundit të sëmundjes ballkanike.

Investimi i gjertanishëm perëndimor për drejtësi tranzicionale ka nevojë që të ketë diçka për të rrëfyer nëse jo si një sukses i prekshëm, së paku për një përpjekje për sukses.

Nga nesër e tutje do të hapet dera për një armatë akademike në fushën e studimeve mbi të drejtën penale ndërkombëtare, të drejtën ndërkombëtare dhe atë të drejtësisë tranzicionale.

Në konferenca me laptopë, projektorë e shpalime me PowerPoint do të kuptohet në dritëhijet e saj një kreaturë hibride, siç ishte Gjykata Speciale si shartim institucionesh lokale e ndërkombëtare.

Kosova ishte fëmiu i parë i Perëndimit, e mbase i hasretit, tek i cili bie hem ideali prindëror për të qenë shembull, hem kufizimi prindëror për t’i ikur shoqërisë e veseve të këqija, hem qortimi, hem posesiviteti e hem toleranca.

Në këtë dritë marrin edhe më shumë kuptim fjalët e nja dy studiuesve të huaj që u morën me punën e Gjykatës Speciale.

Historia e gjermësotme nuk njeh asnjë rast ku të jetë krijuar një tribunal që përvesh mëngët kundrejt triumfatorëve të luftës për t’i mbajtur përgjegjës për çdo shkarje.

Kosova, kësisoj, u bë unike në krejt dynjanë më këtë shembull.

Pavarësisht se jemi ende në trysninë shkatërruese të orëve të pritjes dhe nuk e dimë fundin e kësaj historie, një gjë e përjetuam në të gjallë.

Që midis nesh u lind, jetoi e veproi një BURRËSHTETAS unik që e vuri kryet e vet në gijotinë për të marrë mbi vete përgjegjësitë e një shekulli.

Charles L. Smith, Christoph Barthe dhe Guénaël Mettraux vërtet e kanë në dorë një aktgjykim, por jo edhe shpërfytyrimin e historisë që ka vënë në vendin e vet historibërësit.

Dhe ky historibërës, po ta shkëpusim një copëz nga libri autobiografik i ish-presidentit amerikan Bill Clinton, është ai “burri riosh me emrin Hashim Thaçi…donte pavarësi dhe besonte se mund të shtyhej dhëmbë-më-dhëmbë me ushtrinë serbe”.

Me fjalët e një ish-presidenti tjetër amerikan, Joe Biden, “Hashim Thaçi është George Washingtoni i Kosovës”.

Udhëtimi i Thaçit – shkroi miku i madh i shqiptarëve Bob Dole – është udhëtimi i Kosovës”.

Njerëzit e mëdhenj që iu gjenden pranë Kosovës në orën e ligë të historisë do ta veçonin vetëm një njeri.

Me fjalët e ish-sekretares amerikane të Shtetit, Madeleine Albright, “Thaçi është lindur si politikan. Ballafaqimet e tij gjatë dhe pas luftës e kanë fuqizuar mendimin tim se ai ka zotësi politike”.

Pra, bëhet fjalë për një histori që nuk ndalet me një aktgjykim dënues a lirues të Smithit e as nuk rritet e as nuk zbehet me turma dashamire a dashalige. /Nacionale/

Lajme të ngjashme