Djemtë e Thaçit dhe Veselit iu prinë protestuesve: Populli është me UÇK-në, e mbështesim çdo organizim
Nën moton “Jo në emrin tim”, qindra qytetarë janë mbledhur në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, një ditë pas vendimit të Gjykatës Speciale, e cila shpalli fajtorë ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe i dënoi me gjithsej 81 vite burgim.
Protestuesve fillimisht iu prinë Endrit Thaçi, djali i ish-presidentit Hashim Thaçi, dhe djemtë e ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli.
Thaçi falënderoi sërish popullin shqiptar për mbështetjen, duke thënë se Ushtria Çlirimtare e Kosovës është e pastër.
Gjatë protestës, e cila po mbahet në sheshin “Skënderbeu”, ai falënderoi edhe mediat.
“Dua t’i falenderoj të gjithë popullin ëshqiptar për mbështetje, jemi falenderues shumë. Populli është me UÇK-në, ushtria është e pastër.
Faleminderit për mediat që janë tregu shumë bashkëpunuese, si dhe për punën e palodhshme që keni bë”, deklaroi Thaçi.
Në anën tjetër, Klestor Veseli u shpreh:
“Nuk kam asgjë me shty prej asaj që e tha Endriti [djali i Hashim Thaçit]. Ju ftoj t’i drejtoni mikrofonat, dëgjojeni popullin çka thotë” – tha ai para gazetarëve.
Në protestë po merr pjesë edhe djali tjetër, më i ri, i Kadri Veselit, i cili u pa pranë vëllait të tij. Ndërkohë, ata ftuan qytetarët që të marrin pjesë edhe në protestat e tjera që pritet të organizohen në ditët në vijim.
“Patjetër, i ftoj të gjithë që të marrin pjesë”, tha Thaçi.
Veseli u shpreh se e mbështesin secilin organizim, ndërsa paralajmëroi se do të jenë prezentë.
“Padyshim po, çdo organizim që është për këtë kauzë do ta mbështesim dhe do të jemi prezentë, sepse në fund, kjo është një mbështetje që populli po na jep neve për familjarët tanë dhe UÇK-në”, tha ai.
Ndërkohë, qindra qytetarë po vazhdojnë të protestojnë edhe në këto momente. Një protestë tjetër është thirrur edhe për ditën e nesërme, e cila pritet të fillojë rreth orës 12:00.
Theksojmë se më 16 shtator, dënimi më i lartë, prej 25 vjetësh burgim, iu shqiptua ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi. Kryetari i trupit gjykues, Charles Smith, njoftoi se Thaçi u shpall fajtor pas shqyrtimit të provave të paraqitura nga palët.
Thaçi, i cili gjatë luftës ishte drejtor politik i UÇK-së, më pas shërbeu si kryeministër, ministër i Jashtëm dhe president i Republikës së Kosovës.
Me 25 vjet burgim u dënua edhe Jakup Krasniqi, ish-zëdhënës i UÇK-së dhe ish-kryetar i Kuvendit të Kosovës. Krasniqi ishte një nga figurat kryesore politike të luftës dhe të periudhës së shtetndërtimit. Dënimi i tij, i barabartë me atë të Thaçit, përbën pjesën tjetër më të madhe të bilancit të përgjithshëm prej 81 vjetësh.
Kadri Veseli u dënua me 18 vjet burgim. Sipas raportimit të Nacionales, trupi gjykues e lidhi përgjegjësinë e tij me vrasje të paligjshme dhe torturë gjatë periudhës prill 1998–qershor 1999. Veseli ishte një nga drejtuesit e UÇK-së, ndërsa pas luftës udhëhoqi Partinë Demokratike të Kosovës dhe Kuvendin e Kosovës.
Dënimi më i ulët nga katër të akuzuarit iu shqiptua Rexhep Selimit: 13 vjet burgim. Selimi, një nga figurat e njohura të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së dhe më vonë deputet i Kuvendit, e ka kaluar procesin në paraburgim së bashku me tre bashkëluftëtarët e tij.