Profil | Vehbi Kajtazi, analisti i “Pronto”-s me një 'defekt profesional' - NACIONALE

Profil | Vehbi Kajtazi, analisti i “Pronto”-s me një 'defekt profesional'

1 vit më parë

nga NACIONALE

“Gazetar i Pronto-s” – i thonë pareshtur atij përkrahësit e VV-së përkundër që vet e popullarizoi në Kosovë fjalën “Pronto” duke publikuar përgjimet e njerëzve të PDK-së. Kjo lloj amnezie kolektive megjithatë e ka Kajtazin si antidot, i fiksuar pas fakteve, datave e ngjarjeve si Bukinisti Mendel i Zweigut.

“Po prite 21 ditëshin dhe nisja shqiptoj gjobat, sekuestroj veturat dhe prite çka të ndodh në veri të Kosovës. Dhe pastaj kemi me i thanë na KFOR-it, aman hajde se nuk po bojka,” – ishte komenti i tij më 1 nëntor të vitit të kaluar, 21 ditë para ‘takimit urgjent’ të Kurtit në Bruksel për targat ilegale.

Bash kështu kishte ndodhur. Kurti më pas e kishte pranuar marrëveshjen për targat ilegale në Bruksel ndërkohë që ishte cituar nga një gazetar gjerman tek thoshte “ambasadori dinte më shumë” për sigurinë në veri. Tamam “aman hajde se nuk po bojka”.

Fjalë profetike nga Kajtazi? Jo bash. Thjesht mbështetje në faktet që i ofronte gjendja në terren.

Qysh u bë analist?

Vehbi Kajtazi është goxha i moçëm në zanatin e tij prej gazetari përkundër moshës ende të re. Dhe duke qenë se shumë prej hulumtimeve të tij bëheshin tema nacionale, atëherë i duhej të shprehte edhe atë që mendonte për to.

Kësisoji, ngadalë ai nisi të shpurdhte me analizat e tij politike por megjithatë mbeti i ‘kurthuar’ prej zanatit dhe përqendrohej së tepërmi te rastet e kronikës së zezë. Krimi e korrupsioni ishin fjalët e tij të preferuara madje edhe në kohën kur Albin Kurti as që lodhej për to, i dedikuar plotësisht për Bashkim Kombëtar.

Specifika: Mania për faktet

Nëse për Wittgensteinin “kufijtë e botës ishin kufijtë e gjuhës” për Kajtazin, “kufijtë e botës janë kufijtë e fakteve”. Nëse Dekarti thoshte “mendoj, prandaj jam!” Kajtazi thotë “kam fakt, prandaj jam!”

Kjo sa për ta ilustruar ‘maninë’ e Kajtazit me faktet që si duket i ka mbetur si një defekt profesional.

Natyrisht, edhe ai përfshihet nëpër debate ku kërkohen hamendësime e spekulime por nëse e dëgjoni me vëmendje atëherë do të kuptoni se gjithçka që Kajtazi graviton kah një fakt konkret (edhe nëse e thotë, edhe nëse s’e thotë).

Faktet janë kokëforta, por definitivisht shumë më kokëfortë është Vehbi Kajtazi për faktet.

Kush i shkon nerva?

Kajtazi ka ndërruar shumë studio televizive përgjatë këtyre viteve dhe është e vështirë ta themi saktë se kush i shkon nerva. Ose, se kush nuk i shkon nerva. Por, marrë parasysh ‘maninë’ e lartpërmendur për faktet, atëherë mund ta kuptojmë bezdinë e tij me secilin që futet në terrenin e konspiracioneve. Dhe të tillë ka me bollëk.

Kosova ideale: Nën protektorat

Duke shmangur paksa krimin e organizuar dhe korrupsionin – Vehbi Kajtazi ideal do të ishte në Shqipëri? - atëherë duhet thënë që Kosova ideale është pikërisht kjo e sotmja. Ku liritë dhe të drejtat tona garantohen kryesisht prej faktorëve ndërkombëtarë dhe ku... ne pak a shumë nuk kemi pushtet për gjërat kryesore.

Vehbi Kajtazi nuk beson aspak te shoqëria kosovare.

Kosova distopike:

Pa dyshim, një Kosovë në momentin e parë pas braktisjes nga ushtari i fundit i KFOR-it e polici i fundit i EULEX-it. Pra, një Kosovë tamam e pavarur.

Fjala e preferuar: Siç e thashë

Për shkak se dëshiron t’i referohet vazhdimisht fakteve, ai detyrohet edhe të rikthehet vazhdimisht te faktet. Prandaj, “siç e thashë!”

Orientimi politik: Konservator

Nëse do të garonte si politikan, nuk do shumë mend se platformat e Kajtazit do të ishte “Rend dhe Ligj!” Prandaj, duke qenë se kjo platformë është kryesisht e politikanëve konservatorë, po e llogarisim Kajtazin si të tillë.

Nota: 7/10

Kajtazi është konstruktiv dhe i guximshëm në debat. Thotë gjëra që... jo secili ka guximin t’i thotë. Në anën tjetër, as nuk përfshihet në debate kur ato mbërrijnë në momente që s’mund t’i dihet filli prej irracionalitetit.

Megjithatë, mu për shkak të armës më të fortë të tij – fakteve – atij i shpërfaqet edhe mungesa më e madhe nëpër debate: mungesa e rregullësisë në argumentim. Argumenti nuk është thjesht përmbledhje faktesh. Kërkon edhe rregullësi dhe imagjinatë.

Lajme të ngjashme