Profil: Imer Mushkolaj, analisti me zë të lartë, që dëgjohet edhe pa mikrofon (na fal) - NACIONALE

Profil: Imer Mushkolaj, analisti me zë të lartë, që dëgjohet edhe pa mikrofon (na fal)

4 javë më parë

nga NACIONALE

Zëri i tij buçet gati çdo ditë pune në RTV "Dukagjini". Sa zërin, Imer Mushkolaj të lartë e ka edhe dëshirën për debat, për çka ai e meriton nofkën “baba”. Burri nga Deçani është, pa fije dyshimi, ndër analistët më të popullarizuar në Kosovë. “Xhevahiri” i Ermal Pandurit, siç ndryshe mund ta quajmë z. Mushkolajn, është gjithnjë gati për t’u zhytur në debat, “zhytje” që e ka përsosur në vazhdimësi.

Fjalët i ka gjithmonë në gjuhë e kundërpërgjigjet në xhep, gjë e cila jo rrallë e vë në siklet debatuesin përballë tij. Për shkak të paraqitjeve të shumta në debat, ai tashmë i ka thënë të gjitha gjërat. Pak a shumë, nuk ekziston më diçka e rë në diskursin e Mushkolajt, saqë nganjëherë ta lë përshtypjen se Mushkolaj është një “robot” i automatizuar për t’i përsëritur në pafundësi të njëjtat “ vërteta”.

Për shkak të qëndrimeve të qarta, por, dorën në zemër, edhe mënyrës së ashpër të debatit, Mushkolaj është një panelist “i padëshiruar” për shumë politikanë. Madje ishte vetë kryeministri Albin Kurti, njëri nga njerëzit që njihet për artikulim të mirë, që e shfaqi mosdëshirën e tij për përballje me Mushkolajn disa vite më parë në një debat në RTV "Dukagjini". Siç flitej në koloaret e universit të gazetarisë kosovare, Kurti e kishte bërë të qartë nevojën për “shmangien” e z.Mushkolajt në panel, duke e bërë të qartë “refuzimin estetik” ndaj tij.

Qysh u bë analist?

Imer Mushkolaj vazhdimisht ka “flirtuar” me profesionin e analistit, pasi ka më shumë se dy dekada që e ushtron zejen e gazetarit. Pra, edhe kur nuk ishte analist i rregullt, ai nuk ka ngurruar që të jepte prononcime rreth situatës politike në vend. Së bashku me Halil Matoshin, Mushkolaj është ndër të rrallët analistë që, përveç televizionit, gjen kohë për të shkruar opinione për mediume në internet.

Specifika: Zjarrmia

Mos të keqkuptohemi: zjarrmia këtu nuk e nënkupton vuajtjen e z. Mushkolajt nga ndonjë grip që jep temperaturë. Po flasim për vrullin në debate nga i cili karakterizohet z. Mushkolaj. Ai është vazhdimisht i gatshëm për të hyrë në debate… dhe të shpërthejë. Me shumë gjasë, “10 kosovarët” e Fan Nolit që ia vënë zjarrin krejt botës, janë paraardhës të drejtpërdrejtë të z. Mushkolajt. Të gjithë, prej politikanëve e deri tek analistë të ndryshëm, kanë rënë viktimë e vrullit titanik e vullkanik të Mushkolajt në debate. Në fund fare, Mushkolaj, për shkak të zërit të lartë, nuk ka nevojë fare për mikrofon, pasi ai lirisht do të mund të dëgjohej edhe pa të. Një gjë e tillë do t’i shkurtonte shpenzimet e "Debat Plus"-it për mikrofona.

Kush i shkon nerva?

Për shkak të temperamentit që e ka dhe zjarrmisë karakteristike, z. Mushkolaj të jep një përshtypje se të gjithë, bash të gjithë, i shkojnë nerva në debate. Deçanasi ka një aftësi të jashtëzakonshme për ta shprehur mospëlqimin ndaj dikujt, duke e filluar aty për aty debatin, i cili sjell shumë shikime në kohë reale. Madje Mushkolaj nuk i kursen as politikanët e mbështjellë me pushtet, të cilëve vazhdimisht u thotë në sy atë çfarë mendon - shpeshherë kritikë me tone të ashpra.

Kosova ideale:

Në fakt, është e vështirë të kuptohet se çka saktësisht është Kosova ideale sipas z. Mushkolajt. Megjithatë, mund të supozojmë me një siguri të arsyeshme se në botën e Mushkolajt, një Kosovë ideale është e qeverisur nga politikanë të pakorruptuar e të përgjegjshëm.

Kosova distopike: Ligji anti-“m’fal a”

Kosova despotike për të është një vend ku ndalohen shprehjet “m’fal a” dhe “kush je ti”. Këto janë terme që përdoren shpesh nga ana e z. Mushkolajt, andaj ndalimi i tyre do të përbënte një shkelje të të drejtave të tij dhe do t’i shkaktonte shumë probleme në artikulim atij.

Shprehja e preferuar: M’fal a

Tashmë, lexues i dashur, keni kuptuar cila është shprehja e parapëlqyer e z. Mushkolajt. “M’fal a” – është ndoshta termi më i përdorur, me shumë gjasë në të gjitha debatet ku Mushkolaj ka qenë pjesë.

Orientimi politik:

Mushkolaj është një analist me pikëpamje liberale. Ai shpeshherë e ka kritikuar gjuhën e urrejtjes ndaj serbëve, është përkrahës i agjendës LGBTQI+ dhe një patriot kushtetues i Kosovës. Me shumë gjasë, z. Mushkolaj do të votonte për Partinë Demokrate, po të ishte nënshtetas i ShBA-së.

Nota: 7.5/10

Mushkolaj është i denjë për notën 7.5, që është realisht një notë më e lartë se e shumicës së analistëve që deri tani Nacionale i ka notuar. Ai do të meritonte një notë më të lartë, sikur të mos fliste shpesh me zë të lartë, gjë e cila e pengon shumë autorin e shkrimit, posaçërisht kur nuk e ka afër teledirigjuesin për t’ia ulur zërin ose për ta ndryshuar tërësisht kanalin.

Lajme të ngjashme