Je i papërgatitur? Mos u dëshpëro, baco, të bëjnë drejtor në Durrës
Zëvendëskryeministrja, Belinda Balluku sot e ngriti në hava ‘dhëndrin e Shqipërisë’, Liburn Aliu, pasi e emëroi serbes në krye të Autoritetit Portual në Durrës. Ndonëse në shtetin amë ish-ministrit të Kurtit po i ndërtohet imazhi si ‘patriot’ e ‘ekspert’ nga Kosova, profili i Aliut nuk është shfaqur në plotni. Dhe zor që do të ishte për mburrje! Nga 2015 e deri më 2024, ai e ka pasuruar CV-në e tij kryesisht me aktakuza për rrahje, keqpërdorim detyre zyrtare e pengim të personave zyrtarë – dhe, mozomëkeq, ai hëpërhë po hetohet nga Prokuroria Speciale për keqpërdorim të miliona eurove. ‘Eksperti’ i Ballukut, ironikisht, del ligësht për nga formimi, sidomos për drejtorllëkun e një nyje kaq të rëndësishme të tregtisë shqiptare. Që të gjithë drejtorët paraprakë të Autoritetit Portual të Durrësit dalin më të formuar e më të përgatitur se ‘patrioti’ nga Kosova.
Col MEHMETI
28 tetor 2025 – Mijëra të rinj të shkolluar në Perëndim mund të kenë një arsye shtesë që të jenë larg një atdheu që nuk i do.
Në rrethanat kur Shqipëria renditet e teta në botë për nga largimi i të rinjve të kualifikuar, pozitat kyçe vazhdojnë të jenë të rezervuara për njerëz që nuk kanë haber për to.
Atë që e raportoi dje NACIONALE, mbështetur në burimet e saj, sot doli e vërtetë.
Liburn Aliut i janë bërë nderet më të larta nga Qeveria e Ramës, me ç’rast zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e emëroi në njërin nga pozicionet më të lakmuara në tregtinë maritime të Shqipërisë.
Nga e marta, ai është akomoduar zyrtarisht me postin e drejtorit të Autoritetit Portual të Durrësit – organ publik që menaxhon një nga portet më të mëdha në Ballkanin Perëndimor.
Ndërkaq, drejtorit të gjertanishëm, Kreshnik Bajraktarit, i është bërë çarja duke e rehatuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor.
Balluku në qiell: “Liburni kështu, Liburni ashtu”
Një ditë pasi iku nga SPAK-u duke sajuar një largim nga vendi, ministrja Balluku e ka lavdëruar deri në qiell të emëruarin e saj nga Kosova.
Në një konferencë në Durrës, ajo e ka quajtur ish-ministrin e Kurtit si njeri me vizion të gjerë rajonal e përvojë në fushën e infrastrukturës.
“Liburn Aliu, arkitekt me profesion, me një karrierë të gjatë në politikë, me dy mandate deputeti në Parlamentin e Kosovës, katër vite ministër dhe një koleg i mirë, i cili Kosovën dhe Shqipërinë i ka parë gjithmonë si një treg të përbashkët të zhvillimit ekonomik dhe infrastrukturor”, ka thënë Balluku.
Në këtë paraqitje, zëvendëskryeministrja bashkëndau edhe hollësi private për, siç e quajti ajo, “dhëndrin e Shqipërisë”, duke aluduar kështu në lidhjen e ish-ministrit të Kurtit me arkitekten nga Tirana, Elda Kruja.
“Duhet ta dini se Liburni do të jetë dhëndër Shqipërie. Kështu që më shumë anon këndej nga qytetari shqiptar sesa nga ai i Kosovës”, ka shtuar Balluku me një grimasë të sforcuar humori.
Drejtori i ri bën ‘bashkimin’ me fjalë
Ndërkohë, Aliu u shpreh se porti i Durrësit do të modernizohet e do të vazhdojë ecjen me ritme të larta në rrugën e zhvillimit.
“Është e domosdoshme që ky port të modernizohet dhe të jetë sfidues për të gjithë rajonin”, ka thënë ai.
Çuditërisht, ‘importit’ më të ri në Shqipëri po i këndohet kënga si një alamet eksperti me sfond patrioti dhe një alamet patrioti me sfond eksperti.
I ngjashëm me lavdërimin e Ballukut ishte edhe vlerësimi
superlativ i ministres së Arsimit, Mirela Kumbaro-Furxhi, e cila, kur ia bëri përhajr detyrën Aliut, e quajti atë “atdhetar dhe funksionar i sprovuar publik”.
Sfondi arsimor i Drejtorit – nga shkollat qymeze te diplomat e pasluftës
Megjithatë, sfondi arsimor i ministrit Aliu – të cilin Prokuroria Speciale në Kosovë po e heton për keqpërdorimin e dhjetëra miliona eurove – nuk është aspak solid dhe impresiv.
“Dhëndri i Shqipërisë”, së paku sipas jetëshkrimit të tij në faqen zyrtare të partisë që e braktisi, ka diplomuar si arkitekt në Fakultetin e Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës në Universitetin e Prishtinës.
Në vitet ’90, ai ndoqi mësimet në gjimnazin ‘Xhevdet Doda’, vite kur u kalua në të ashtuquajturat shtëpi-shkolla për shkak të represionit serb.
Për shumë njohës të arsimit, sado që zhvillimi i mësimit në qymeze e bodrume të Prishtinës ishte shprehje e solidaritetit popullor kundër okupimit serb, kjo ndikoi jo pak në rënien e thiktë të cilësisë arsimore si në mësimdhënie, ashtu edhe në mësimnxënie.
Lexo edhe: Një biografi e paautorizuar për Liburnin: “Partia, si Saturni, i ha bijtë e vet”
Biografia zyrtare përmend se në vitet e pasluftës Aliu u angazhua në projekte restauruese të monumenteve të trashëgimisë kulturore, por pa e qartësuar fare angazhimin e tij në OJQ, të cilat sipas ‘moralit’ ideologjik të Vetëvendosjes asociohen me praktika fondthithëse e agjenda të huaja.
Të arriturat e patriotit: rrahje, keqpërdorim detyre, arrestime
Ky formim gjysagjel nuk ishte parë si pengesë që Aliut, më 2013, t’i besohej portofoli i Drejtorit të Urbanizmit në Komunën e Prishtinës kur Vetëvendosja e mori pushtetin në kryeqytet.
Trashëgimia e tij e vetme në këtë post mbeti ajo e zyrtarit që shkonte në vendin e punës i armatosur me revole
– si thuajse asnjë funksionar publik i mëparshëm, drejtori i Urbanizimit turrej e përfshihej edhe në sulme fizike.

Lexo edhe: Herë mes vete e herë me qytetarë: histori grushtimesh nga deputetët
Prej ditës kur kaloi një 24-orësh në stacion policor për rrahje, Aliut dalëngadalë do t’i trashej lëkura për aktakuza.
Më 26 korrik 2019, Prokuroria Themelore në Prishtinë ngriti aktakuzë ndaj tij për “pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare”.
Sipas aktakuzës, më 21 mars 2018, rreth orës 13:44, Liburn Aliu në Kuvendin e Kosovës u kishte marrë kartelat e votimit rreth 40 deputetëve, duke e pamundësuar mbarëvajtjen e seancës së jashtëzakonshme.
Më 24 korrik 2020, Prokuroria Themelore kishte ngritur aktakuzë ndaj ‘kaubojit’ me revole për keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar – ai bashkë me vartësit e tij akuzoheshin se nuk e kanë zbatuar planin zhvillimor urban në lagjen ‘Prishtina e Re’.
Ligjshkelës, ligjurryes
Por, problemet e trimit me ligjin nuk mbaruan me kaq.
Më i rëndi ishte kur Prokuroria Speciale e Kosovës vjet mori aktvendim për zgjerimin e hetimeve për skandalin e faljes së borxheve për ambalazhuesit e ujit.
Kësisoj, sipas aktvendimit në fjalë, Liburn Aliu dyshohej se gjatë periudhës kohore 2021-24, në cilësinë e personit zyrtar, si ministër, “me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo të tjerët”, i kishte shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës në vlerë prej miliona eurosh.
Më i dobët për nga formimi sesa drejtorët pararendës
Si organ drejtues i portit të Durrësit, Autoriteti Portual Durrës (APD) është person juridik publik që funksion në bazë të Ligjit 9130 për Autoritetin Portual.
Me të drejtën e administrimit të pronës shtetërore, ky Autoritet e mbikëqyr funksionimin ditor të portit dhe terminaleve të tij.
Në mesin e detyrave të tij është edhe lëshimi i lejeve dhe kontrollimi i veprimtarive të operatorëve privatë dhe koncesionarëve.
Pavarësisht naltësimit të tij nga Qeveria e Ramës, drejtori i ri, Liburn Aliu, del qyl krahasuar me pararendësit e tij, larg më të përgatitur së paku për nga sfondi arsimor.
Drejtori i gjertanishëm, Kreshnik Bajraktari ishte i diplomuar në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike në Universitetin Politeknik të Tiranës, duke pasur edhe një master për “ndërtimet mekanike në pajisjet lëvizëse”.
Në anën tjetër, Pirro Vëngu në formimin e tij nuk kishte pasur ndonjë element që ta bënte të përshtatshëm për drejtor të APD-së. Me studime të përfunduara për Shkenca Humane në Lycée Henri‑IV, në Paris, ai mbante edhe diploma bachelori e masteri për histori, shkenca politike dhe marrëdhënie ndërkombëtare.
Një drejtor më i hershëm, Agron Tare, ishte i diplomuar në Fakultetin Juridik në Universitetin e Bolonjës.
SPAK-u te porta...
Ndryshe, historia e viteve të fundit të Autoritetit Portual të Durrësit ka qenë e shënuar prej emërimesh, shkarkimesh e dorëheqjesh të njëpasnjëshme – disa prej tyre ishin mpleksur me akuza për shpërdorim detyre.
Duke e pasur nën menaxhim limanin e Durrësit si njëri nga më të mëdhenjtë në Detin Adriatik e Jon, Autoriteti Portal është adresë në derën e të cilit troket mjaft shpesh SPAK-u.
Llupa e hetimeve është vënë mbi të sidomos pas privatizimit, më 2021, të terminalit të ngarkim-shkarkimit të kontinierëve.
Lexo edhe: ‘Nga bakllava në revani’ – ministri i Kurtit drejt aventurave në Shqipëri
Ngatërresa me Albinin
Siç ka raportuar në vijimësi NACIONALE, dorëheqja e Liburn Aliut nga Qeveria në largim e Albin Kurtit fshihte pas vete një histori të gjatë fesati me shefin e tij.
Kjo ngatërresë e kishte përcjellë Aliun ç’prej emërimit të tij më 23 mars 2021 në krye të ministrisë me buxhetin më të madh në Qeveri.
Herë në formë moskomunikimi e herë në formë nxitjesh të të tjerëve, antipatia e Kurtit kishte kulmuar gjatë një mbledhje të kabinetit qeveritar, në shtatorin e vjetmë, kur Kurti i ishte drejtuar Aliut me qesëndi “Hajde, ti ministri i Asfaltit…”.
Në idiolektin politik kosovar, gjithçka e lidhur me asfaltin është antonomazi për korrupsionin e tenderët.
Rënia nga fiku
I izoluar nga shumica e bashkëpartiakëve – të cilët e kishin zhveshur nga të gjitha pozicionet në parti – edhe Aliu me takat të vetin e kishte filluar sabotimin e shefit të tij.
Me ndonjë lëvizje simbolike si afrim me partinë e tij të dikurshme, PDK-në, ose me deklarime publike kundër vijës së VV-së, ai e kishte përgënjeshtruar edhe Kurtin për premtimet e dhëna pa mbulesë për autostradën e Gjilanit.
Belaja del se nuk ka mbaruar as pas dorëheqjes së tij me 27 gusht, kur vetë Aliu e përjetoi në lëkurën e vet linçin e egërsinë verbale të mijëra mbështetësve të VV-së.
Burime të NACIONALE-s brenda në Vetëvendosje kanë mësuar se ai tani nuk lë rast pa e sharë shefin e tij – madje edhe duke e kërcënuar ish-kryeministrin, atë të cilin e kishte adhuruar një jetë të tërë.
“E menduam si Enver Hoxhë e na doli Fadil Hoxhë”, i kishte thënë ai një aktivisti në mirëbesim. “Më i poshtër nuk ka, si nuk i shkova në zyrë me i …”
Një flirt i Ramës me VV-në, një dashuri fatale
I sapovendosur në kryeqytetin shqiptar dhe në lidhje dashurore me arkitekten nga Tirana Elda Kruja, Aliu duket se do t’i revanshohet nga distanca ish-shefit të tij.
Qysh në gusht, NACIONALE pati paralajmëruar se Aliu i kishte hyrë pazarit për të marrë një pozitë në Qeverinë e Ramës kur kjo po hynte në procesin e ristrukturimit.
Falë lidhjeve të krijuara gjatë detyrës së tij si ministër, Aliu tashmë i është sugjestionuar Ramës si ‘kosovari patriot’ që mund t’i kundërvihet partisë së braktisur.
Edhe Rama nuk kishte e kishte huqur rastin që t’ia përkëdhelte sedrën ministrit të Kurtit në atmosferën tejet të tendosur të dy kabineteve qeveritare.
Më 2016, Aliu ishte njëri nga dhjetëra drejtuesit e Lëvizjes Vetëvendosje që përfituan nënshtetësi shqiptare me dekret të ish-presidentit të ndjerë, Bujar Nishani.
Derisa pajisja me pasaportën shqiptare mbetet ëndërr e parealizuar për mijëra shqiptarë si pasojë e burokracive të pakalueshme e dekurajuese, krerët e Vetëvendosjes kishin përfituar nga ‘procedurat e përshpejtuara’.
Kjo, në të vërtetë, ishte fryt i ditëve kur Partia Socialiste kultivonte simpati të hapur për Vetëvendosjen dhe Kurtin.
Trashëgimi dështimesh
Reputacioni i Aliut, si njëri nga ‘etërit themelues’ të VV-së, pësoi plasaritjen e parë kur u mësua se ai bleu dy banesa në lagjen elitare “Marigona Hill”.
Nga formulari në formular, që publikohen përvitshëm nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit, pasuria e tij shfaqej e rritur eksponencialisht me të hyra të shumëfishta si ministër, si ish-deputet, e, madje, edhe si ligjërues në një kolegj privat.
Sa kohë qëndroi në krye të Ministrisë me një buxhet prej 265 milionë eurosh, ai u bë me gisht si njëri nga ministrat me performimin më të dobët në Qeverinë e Kurtit.
Ato që u trumpetuan si vepra kapitale në takëmin elektoral të VV-së – Autostrada e Gjilanit, rruga Prishtinë-Besianë dhe Prizren-Tetovë si më të rëndësishmet prej tyre – përfunduan papërjashtimisht të parealizuara e të keqmenaxhuara.
Mbi këtë trashëgimi dështimesh, Aliu ndonjëherë nuk kishte ngurruar edhe të premtonte “tren të shpejtë” nga Prishtina në Fushë Kosovë. Kur gazetarët i dukeshin bezdisës me pyetjet e tyre për autostradën e papërfunduar të Gjilanit, ai i binte shkurt: “Përtoj me folë”.
Në MMPHI, ai shënoi rekord si njëri nga ministrat me qëndrimet më të shpeshta jashtë vendit në emër të konferencave, samiteve e takimeve me të huaj — brenda VV-së kjo ishte interpretuar si një mënyrë e Aliut për t’i bishtnuar takimeve jo të lehta me Kurtin konfliktuoz. /Nacionale/