Nga Shadërvani në Finlandë: Protestat e paralajmëruara në mbështetje të çlirimtarëve - NACIONALE

Nga Shadërvani në Finlandë: Protestat e paralajmëruara në mbështetje të çlirimtarëve

4 ditë më parë

nga NACIONALE

Derisa në Prishtinë sonte vazhdon nata e shtatë e protestave, tubime në shenjë pakënaqësie janë thirrur edhe në qytete të tjera të vendit dhe në diasporë pas vendimit në Hagë.

Mijëra qytetarë kanë mbushur ditët e fundit sheshin "Skënderbeu" në kryeqytet, duke kërkuar drejtësi pasi Gjykata Speciale dënoi katër ish-drejtuesit e UÇK-së me gjithsej 81 vjet burgim.

Protesta e radhës në Kosovë do të mbahet këtë të premte, më 25 shtator, nga ora 19:00 në sheshin “Shadërvan” të Prizrenit.

Sipas organizatorëve, ky tubim synon të shprehë kundërshtimin ndaj aktgjykimit dhe të mbrojë dinjitetin e atyre që sakrifikuan për lirinë e vendit.

“Le ta shprehim qëndrimin tonë me dinjitet, qetësi dhe në mënyrë demokratike”, thuhet në njoftimin e tyre.

Më 26 shtator do të protestohet edhe në Kansalaistori të Helsinkit në Finlandë, në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Protesta në Finlandë do të fillojë nga ora 17:00.

Zëri i pakënaqësisë do të shtrihet edhe në Gjermani, ku më 26 shtator janë paralajmëruar protesta në tri qytete të ndryshme: Düsseldorf, Ulm dhe Hannover.

Në Düsseldorf, tubimi në mbështetje të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit do të nisë në orën 17:30.

Organizatorët kanë bërë të ditur se qëllimi kryesor është shprehja e solidaritetit dhe përkrahjes së palundur për UÇK-në.

Po atë ditë, një tjetër protestë masive pritet të mbahet në Ulm. Një mërgimtar nga ky qytet ka konfirmuar se tubimi është i organizuar zyrtarisht dhe ka marrë lejen e autoriteteve gjermane.

“Për fat të mirë, deri më tani ka shumë interesim.Dëshira ime është që protesta të jetë sa më masive dhe që zëri ynë të dëgjohet fuqishëm, për të shprehur kundërshtimin tonë ndaj një vendimi që ne e konsiderojmë të padrejtë dhe për të bërë të qartë se ky qëndrim nuk është në emër të popullit të Kosovës”, deklaroi ai për Klan Kosova.

Ndërkaq, në Hannover marshimi do të fillojë në orën 18:00, nën moton udhëheqëse: “Për çlirimtarët, për lavdinë që na e sollën”.

Lajme të ngjashme