Një biografi e paautorizuar për Liburnin: “Partia, si Saturni, i ha bijtë e vet” - NACIONALE

Një biografi e paautorizuar për Liburnin: “Partia, si Saturni, i ha bijtë e vet”

1 vit më parë

nga Col Mehmeti

Liburn Aliu sot e gjeti momentin më të volitshëm për t’u shkëputur nga partia prej të cilës tash sa vjet po pësonte zullum psiqik. Dhe, për çudi, ai ishte një nga të fundmit që ka mbijetuar në Vetëvendosje nga ata që ishin brez themelues. Performanca e tij në krye të minstrisë që ka një alamet buxheti prej 265 milionë eurosh, u shënua prej mosarritjesh, skandalesh e hijesh korruptive. Kjo del të jetë vetëm maja e Ajsbergut pasi pak vetë kanë qenë në dijeni të konfliktit të tij latent me Kurtin. Prej 23 marsit të vitit 2021 kur u emërua si ministër, ai nuk pa ditë të bardha për shkak se e vuajti si asnjë tjetër urrejtjen dhe mërinë e shefit të tij, me të cilin pati fare pak komunikim ose shpesh edhe fshikullime nga afër e larg. Në një rast specifik, gjatë një mbledhje qeveritare, ish-kryeministri i ishte drejtuar atij gjithë përbuzje “Hajde ti, ministri i Asfalltit” – një damkë e rëndë e dërrmuese në kulturën tonë politike. Tenderët e lidhur me asfaltin janë asocimi i parë mendor për qenien e korruptuar dhe korruptuese. Në tetor të 2022-s, Liburnit nuk i lanë hise në kryesinë e partisë që e themeloi, kurse në dhjetor të vitit të kaluar as nuk dënjuan ta përfshinin në listën për deputetë. Ndonëse qe gati një vit është nën llupën e hetimeve nga Prokuroria Speciale, ai po e sheh Tiranën si eskapadë ikje edhe nga drejtësia, edhe nga partia. NACIONALE prej kohësh ka mësuar se emri i tij është përmendur edhe si ambasador i ri i Kosovës në Tiranë, një mënyrë kjo me sa duket për ta marrë me të mirë e për ta neutralizuar shantazhin e mundshëm nga ana e tij, diçka mjaft ngjashëm si raporti mumbo-jumbo i Ramiz Lladrovcit me PDK-në.

Col MEHMETI

27 gusht 2025 – Dorëheqja e një ministri afatskaduar nga një Qeveri afatskaduar nuk do ta meritonte kurrfarë vëmendje për aktin si të tillë.

Tekembramja, bëhet fjalë për një dorëheqje në rrethanat ku çdo gjë është krejt simbolike.

Dorëheqja, dhe bashkë me të ndjenja e lartë e përgjegjësisë, do të ishte relevante vetëm po të kishte ndodhur gjatë mandatit aktiv. Pra, në kohën kur mbi Liburn Aliun – i cili për katër vjet e kusur e pati përsipër Ministrinë me arkën më të madhe buxhetore prej 265 milionë eurosh – ranë hijet e dyshimeve për keqpërdorime të frikshme.

Zgjedhja groteske e Dimal Bashës, siç e sajoi Liburni me marifet arsyetimin e lamtumirës, nuk ishte në “frymën e në lartësinë e atij ideali për Republikën…”.

Megjithatë, një arsyetim i dobët e çapraz si ky është thjesht sa për konsum të jashtëm e për të krijuar një figurë të mirë në kushtet e pakënaqësive të thella brenda partisë së Kurtit.

‘Dorëheqja’ e tij ishte llogaritur ftohtësisht deri në hollësitë e fundit, veçmas me zgjedhjen e kohës kur duhej bërë.

Ai e kishte pritur serbez të martën sa të bëhej përurimi i urës së re mbi lumin Ibër në Mitrovicë.

Duke qenë i argasur me përvojë shumëvjeçare, Liburni e dinte fare mirë se partia e tij do të eklipsohej gjatë ditës nga zgjedhja krejt e papritur e Dimal Bashës si kryetar i Kuvendit.

Kësodore, atij do t’i mbetej hisja e luanit për sa u përket meritave për hapjen e urës.

Gjithsesi, ‘dorëheqja’ e tij ka pas vete një sfond tejet të ndërlikuar.

E vërteta që u mbajt e hermetizuar nga vetë Kurti e rrethi i tij është se Liburni kishte qenë kaherë në dylbinë e ‘snajperit’ të brendshëm partiak. Atij, madje, i është mbajtur si gogol frikësues mundësia e arrestimit për rastin namkeq të asaj që Prokuroria e quan “falje ilegale të borxheve të ambalazhuesve të ujit”.

Delja e zezë


Thuajse gjatë gjithë mandatit katërvjeçar mes tyre kishte pasur veçse komunikim minimal, të ftohtë e shpesh ritualistik.

Qysh në vitin e dytë të qeverisjes së 51-përqindëshit, mbi Liburn Aliun kishin rënë mërrolat, inati e urrejtja e shefit të tij.

Kjo e kishte bërë atë si delen e zezë të vathës në qeveri e jashtë saj.

Atë që nuk e thoshte vetë Albini e thoshin pa teklif oborrtarët e tij. “Ky trapi”, e kishte quajtur Elvis Hoxha në një bisedë rasti mes aktivistësh kur për bashkëpartiakun u kumtua lajmi se ai i kishte bërë të vetat dy banesa në lagjen elitare ‘Marigona Hill’.

Qasja e ftohtë e Albinit e bëri Aliun si ministrin e parë në historinë e Kosovës që nuk iu nda avionëve për të marrë pjesë në samite, konferenca e evente turlifare në Evropë, Amerikë e gjetkë.

Pjesëmarrja kaq e dendur nuk ishte farë përkushtimi i tij prej ministri sa një mënyrë subtile për t’i bishtnuar pranisë së padurueshme të eprorit të vet.

Para se Liburni të binte nga fiku, partia ia punoi qindin dhëndrit të tij, Berat Lahu, duke e larguar nga radhët e saj.

Kredhja e ish-asambleistit në afera korruptive nuk ishte kasaveti i partisë. E gjithë ideja ishte për të izoluar e anashnxjerrë ata që shiheshin vëngër si ‘njerëzit e Liburnit’.

Në tetor të vitit 2022, Liburni u la jashtë Kryesisë së re të Vetëvendosjes, gjë që pati shkaktuar jo pak harkim vetullash se si u la jashtë njëri nga themeluesit e partisë.

Në dhjetor të 2024-s, Liburni më sa duket ishte një prani inekzistente brenda partisë, meqë atij nuk iu sigurua një copë vend në listën për deputetë që tani qe ‘pasuruar’ me emra pikantë si Edona Llalloshi, Agim Bahtiri e Adriana Matoshi.

Marrja në pyetje, poshtërimi...


Në të vërtëtë, muajt e fundit të mandatit kaluan me zhveshjen shkallë-shkallë të çdo grade morale të Liburnit.

Së paku e tillë ishte dhe është praktika varrmihëse brenda VV-së kundrejt spurdhjakëve mbi të cilët ka rënë mëria e liderit.

Siç mërmërisin burimet e NACIONALE-s, muaj më parë edhe aktivistit, Egzon Azemi, i erdhi radha për ta poshtëruar pa kurrfarë rahmeti Liburnin.

Me lejen nga lart për ta bërë helaq të akuzuarin, zotit Liburn iu përmend edhe një darkë me oligarkët Devolli e plot shkarje të tjera që njerëzit e Albinit i kishin mbajtur tinëz shënim.

I rënduar sa s’thuhet nga kjo batare akuzash, siç thonë burimet sypamëse nga takimi, Liburni e kishte humbur terezinë dhe i ishte përgjigjur me të bërtitura aktivistit në fjalë. I tërbuar nga fyerjet që e kishin prekur keq në sedër, ai kishte braktisur mbledhjen e brendshme e partisë.

Ky fesat brenda-për-brenda ishte ogur i sigurt se Liburnin nuk po e prisnin ditë të mira, sidomos tani që dukej se ishte pështetur me shpatulla për muri.

Ashtu siç ndodh në gjendje të skajme pashprese, përpara zgjedhjes fight-or-flight (lufto ose ik), Liburni filloi t’i mblidhte rreth vetes disa militantë të lënë në harresë e t’i punësonte në Ministrinë e tij.

Kjo nuk u la me kaq. Me aq sa kishte takat e sa ia lejonin mundësitë, ai nuk ngurroi t’i punonte ndonjë sherr partisë e shefit të madh. Diçka në këto vija ishte edhe deklarata e tij, më 2 tetor të vitit të kaluar, kur e përgënjeshtroi keqazi një nga premtimet kryesore të Kurtit siç kishte qenë projekti për autostradën Prishtinë-Gjilan.

Ashtu siç e tha në deklaratën me tone të përfshehta hakmarrëse, kryeministri ishte vënë në “lajthim” nga Ministria e tij kur kishte dhënë zotimin se do të përfundohej më 28 nëntor 2024.

“Hajde ti, ministri i asfaltit”

Në ndërkohë, pjesa më e madhe e partisë e ndjente se Liburni do të bëhej nga dita në ditë dashi i kurbanit për aferat korruptive të Qeverisë, të cilat, çuditërisht, nxorën krye më së shumti në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

Irritimi i shefit të tij, Albin Kurtit, kulmoi gjatë një mbledhje të kabinetit qeveritar në shtatorin e vjetmë, kur iu drejtua gjithë ligësi “Hajde ti, ministri i asfaltit, çka po na thu…”

Belaja nuk mund të ishte më e qartë sesa kaq.

politikishte ose dialektin politik, ashtu sikundër edhe në perceptimin publik, fjala ‘ministër’ e shoqëruar me cilësorin ‘i asfaltit’ tashmë është antonomazi për hajdutin, kollofitësin e tenderëve, me fjalë të tjera mishërim i kleptomanit klasik.

Ky ajër agjitimi, kjo frymë nevrastenike në ministri e jashtë saj, e kishte shpërfytyruar Liburnin edhe në sjelljet gjithnjë e më të pakontrolluara që bënte. Më 2022, ai gati sa nuk e përlau me grushte zëvendësministrin e bashkëpartiakun e vjetër, Hysen Durmishi.

Dashuri, intriga, ëndrra për Tiranën

Teksa po ia numëronin një-për-një gjynahet në dosjen që po i trashej nga dita në ditë, Kurti po përhapte fjalë mes të besuarve të tij se Liburnit i kishte mbetur vetëm hija këndejpari.

Dikujt i thoshte se “ai e ka plan me punu për Ramën” e dikujt tjetër se do të vendosej në Tiranë ku do të bashkëjetonte me të dashurën e tij, arkitekten Elda Kruja.

Për ta bërë edhe më lëmsh, ai përhapi fjalë se mbase Liburni mund të ishte ambasador i ri i Kosovës në Tiranë.

Në rast se muajt në vijim i japin të drejtë kësaj pëshpërime, atëherë do të provohet e thënmia se posti i ambasadorit në Tiranë zakonisht lihet si vend kusuritje për të marrë me të mirë njerëz të zemëruar e revanshistë ose për t’ua blerë lirë heshtjen.

Me plot 50 vjet mbi supe, Liburn Aliu është baba i dy djemve, Eneut dhe Glaukut.

Me gruan e tij, Lumninë, u nda vjet për t’u hedhur në krahët e arkitektes së re e të bukur, Elda Kruja, e cila prej kohësh ishte afruar me degën e Vetëvendosjes në Tiranë. “Jam dashuru…”, i kishte thënë në mirëbesim një ish-aktivisteje e cila ‘sekretin’ e mbajti derisa doli nga Ministria e Mjedisit.

Histori partizançe nga Presheva e 1940-s


Për shumë vjet, ai e kishte mbajtur me krenari letërnjoftimin moral si i biri i partizanit nga Presheva, Ali Aliu-Kelmendi (1924-2010). Po kush ishte i ati i tij?

Ali Aliu qysh në rininë e tij ishte përfshirë në lëvizjen e përbashkët jugosllavo-shqiptare që luftonte kundër Mbretnisë së Shqipnisë – atij entiteti shtetëror që në vitet e Luftës së Dytë Botërore, nga 1941 deri më 1944, përthekoi pjesën më të madhe të Kosovës, një rrip të Maqedonisë Perëndimore si dhe disa vise shqiptare në Mal të Zi dhe Sanxhak.

Ndonëse ish-deputeti Avni Dehari e botoi tash së voni një libër glorifikues për të me titullin “Ali Aliu Kelmendi – Ringjallja e Prometeut”, seç ka një dorë elementesh që nxjerrin sheshazi një profil disi më të ndryshëm për partizanin preshevar e brerorën e tij si patriot.

Qysh në vitin 1940, në Preshevë ekzistonte e ashtuquajtura Organizatë Komuniste e cila qe e lidhur drejtpërdrejtë me Komitetin Krahinor të Partisë Komuniste Jugosllave në Kosovë.

E konsideruar si më e madhja organizatë komuniste në rajonin e Moravës, komunistët preshevarë ishin kontribuesit kryesorë që Partia Komuniste Jugosllave të shtrihej e tokëzohej edhe në Kosovë.

Ajo kishte rekrutuar në radhët e veta edhe nxënës të ‘Normales’ në Prishtinë si puna e Ali Aliut, Qani Ramadanit, Hamit Thaçit, Abdullah Osmanit e ndonjë tjetri.

Ky kontribut iu shpërblye kokërr-për-kokërr pasi në vitin 1945 plot prej tyre morën pozita në Komitetin e Partisë Komuniste Jugosllave në rrethin e Preshevës. Në mesin e tyre ishte edhe babai i Liburnit që asokohe mori postin e sekretarit të Komitetit lokal.

Një biografi zyrtare dhe një jozyrtare


Sipas jetëshkrimit zyrtar të Vetëvendosjes, atij që së paku gjendet i afishuar në faqen e saj zyrtare, Liburn Aliu lindi më 10 prill 1975 më Prishtinë.

Sfondi i tij i edukimit përfshin diplomimin si arkitekt në Fakultetin e Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës.

Biografia zyrtare përmend se ai është angazhuar në projekte restauruese të monumenteve të trashëgimisë kulturore, por pa e qartësuar fare angazhimin e tij në OJQ, të cilat sipas ‘moralit’ ideologjik të Vetëvendosjes janë asociuar me praktika fondthithëse e agjenda të huaja.

Për atë biograf të VV-së, që ka pasur si detyrë skicimin e profileve biografike, është konsideruar si më dobiprurëse spikatja e ‘veprimtarisë’ së tij të paraluftës.

Më 30 maj të vitit 1997, ai ishte pjesë e një grupi prej njëzet të rinjsh që u dënuan nga e asokohshmja Gjykatë e Qarkut të Prishtinës.

Sidoqoftë, ky episod ka edhe të pathëna të tjera.

Ish-kryeministri Hashim Thaçi, që e kishte merak të thumbonte shpejt-e-shpejt detraktorët e tij, i kishte thënë shqeto gjatë një fjalosje në Kuvend se Aliu u ishte dorëzuar milicëve serbë pa e shkrepur fare revolën e tij.

Këtë, me sa duket, e kishte pasur si aluzion për adresimin e tij para gjyqtares serbe ku ishte zotuar se nuk do ta përsëriste “veprën terroriste”.

Jo luftës së UÇPMB-së, po aktivizmit urban në Prishtinë


Megjithëse u lirua më 27 mars të vitit 2001, njësoj si shefi i tij i ardhshëm politik Albin Kurti më 7 dhjetor 2001, ai nuk u pa ndonjëherë në Malësinë e Bujanocit ku UÇPMB-ja kishte ndezur flakët e kryengritjes dhe po ballafaqohej me ushtrinë e sigurimin serb.

Të dy trimat urbanë e panë më të hajrit të bëheshin pjesë e të ashtuquajturit ‘Kosovo Action Network’ që udhëhiqej nga shkrimtarja dhe aktivistja amerikane, Alice Mead.

Një vit pas trazirave të marsit të vitit 2004, një pjesë e madhe e OJQ-istëve vendosën ta krijonin Lëvizjen Vetëvendosje, një organizim që luhatej midis aktivizmit të llojit grassroot, protestave simbolike dhe diskursit anti-estabilishment.

Liburn Aliu ishte njëri nga udhëheqësit e këtij organizimi të ri krahas Albin Kurtit, Glauk Konjufcës, Visar Ymerit, Xhelal Sveçlës, Hysen Durmishit, Aida Dërgutit, Salih Zybës dhe Milot Kelmendit.

Rrëmbime, tortura, revole në zyrë

Atë që i kishte munguar gjatë gjithë viteve ’90, ai e kompensoi me kapadaizma brenda organizatës që asokohe kishte dhjetëra aktivistë në gjithë vendin.

Në vjeshtën e vitit 2007, ai së toku me Hysen Durmishin e Xhelal Sveçlën u përfshinë në rrëmbimin e një të riu 21-vjeçar nga Livoçi i Gjilanit.

Bëhej fjalë për ish-aktivistin e Vetëvendosjes, Vedat Xhymshiti, i cili më vonë kishte rrëfyer se ishte mbajtur në një shtëpi në periferi të Prishtinës dhe u ishte nënshtruar torturave fizike e psiqike nga krerët e sipërpërmendur të Vetëvendosjes.

Sipas kujtimeve të shumë aktivistëve, Liburn Aliu ishte përfshirë edhe në organizimin e grupeve brenda Vetëvendosjes që kishin bërë stërvitje të fshehta me armë.

Kur Lëvizja Vetëvendosje u shndërrua në parti politike, Liburn Aliu arriti të zgjedhej deputet duke qenë pjesë e legjislaturave të vitit 2010, 2014, 2017 dhe 2019.

Nga 2013, ai mbajti portofolin e Drejtorit të Urbanizmit në Komunën e Prishtinës – megjithatë, trashëgimia e tij e vetme në këtë post mbeti ajo e zyrtarit që shkonte në vendin e punës i armatosur me revole.

Anipse arsyetimi i tij ishte se rrezikohej nga ‘mafiozët’ e ndërtimit, ishin të tjerët që u rrezikuan seriozisht prej mujsharisë së tij.

Në prill të 2015-s kur u akuzua për korrupsion në Asamblenë Komunale të Prishtinës, ai i zuri pritë përfaqësuesit të PDK-së Muhamet Selmani, të cilin e sulmoi fizikisht. Sadoqë Gjykata Themelore e Prishtinës e shpalli fajtor, Liburni doli i palagur pasi u dënua qesharakisht vetëm me 500 euro.

Disa muaj më vonë, ‘kauboji’ i Vetëvendosjes e kërcënoi rëndë edhe kameramanin veteran, Sylejman Kllokoqi.

Materiale për Specialen?

Thumbat e ish-kryeministrit Thaçi nuk i kishte përjetuar lehtë.

Kështu, në dhjetor të po atij viti Liburni u bë senzacion kur e insinuoi Thaçin për vrasjen e luftëtarit të UÇK-së, Behajdin Allaqi (1963-1998).

Këtë e përsëriti edhe më 2020 kur tashmë Gjykata Speciale filloi gjykimin e krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Rasti Hallaqi ishte përmendur në proces, porse me sa duket njëri nga dëshmitarët nuk dëshmoi kundër asnjërit prej krerëve të UÇK-së. Liburni nuk kërkoi falje asnjëherë, por kur Kurti po e zezonte faqazi, ai si për inat të tij vizitoi Hagën dhe deklaroi se kishte takuar edhe Thaçin.

Liburni goditi keq PSD-në, tani u godit si PSD-ja

‘Detyrat’ e tij prej drejtori sikur e kishin bërë më pak të pranishëm brenda partisë.

Sidoqoftë, ai do të kthehej furishëm në dhjetor të 2017-s kur Vetëvendosjen e çatrafiloi ‘skizma’ e madhe pas të cilës u largua pjesa më e madhe e aktivistëve të orëve të para.

Në muajt e parë të vitit 2018, ai u kthye si njëri prej eksponentëve kryesorë të partisë që fshikulloi me akuza të rënda bashkëpartiakët e larguar – ai, madje, nuk ngurroi t’i akuzonte aktivistët se kishin pasur paga të majme brenda partisë.

Ironikisht, për fare pak kohë do të dilte krejt e kundërta.

Nga viti në vit, sipas formularëve në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit, vetëm kamja pasurore e tij do të fryhej e fryhej në shpërpjestim me të ardhurat e deklaruara të tij.

I pasur, gjithnjë e më i pasur

Kur pandemia pllakosi Kosovën dhe i gjithë vendi ishte në izolim të detyruar, Liburni ishte nga të vetmit që rrinte në sevda siç ndodh pas një pazari të mirë.

Për habinë edhe të bashkëpartiakëve, formulari i detyruar në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit nxori se ai kishte blerë dy banesa në lagjen superluksoze ‘Marigona Hill’.

Kur qe pyetur se në ç’vlerë i bleu, përgjigjja e tij kishte qenë proverbiale “Nuk më kujtohet mirë…të parën lirë, të dytën shumë më shtrenjtë”.

Ndonëse nuk u sqarua kurrë deri më sot, Liburn Aliu qe angazhuar edhe si ‘profesor’ në UBT.

Arrivizmin e njëjtë në jetë e kishte shijuar edhe ish-gruaja e tij, Lumnije Aliu.

Vitin e kaluar, Vetëvendosja e shpërbleu atë duke e bërë anëtare të Bordit të Operatorit të Sistemit të Transmisionit të KOSTT-it.

Duke shfrytëzuar lidhje-pas-lidhje me pushtetin albinkurtist, ajo ishte emëruar edhe në poziten e ekspertes për transparencë dhe qasje në Dokumente Publike në Agjencinë për Informim dhe Privatësi.

“Me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo të tjerët”

I kritikuar si një nga ministrat me performancën më të dobët në Qeverinë Kurti 2, me shumicën e projekteve madhore të papërfunduara, Liburni u shndërrua në një nga profilet e larta korruptive që u treguan si ‘breva’ ndaj parasë publike.

Mbi ministrin e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës u krijua një stivë dyshimesh për korrupsion.

Me 21 tetor të vitit të kaluar, në bazë të aktvendimit të Prokurorisë Speciale që e pati sipërfaqësuar edhe NACIONALE, Aliu rezultoi si i pandehur për keqpërdorim të detyrës zyrtare, i cili “me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo të tjerët” i shkaktoi dëm buxhetit të Republikës së Kosovës.

Në të vërtetë, raportet e Departamentit të Shtetit për vitet 2021, 2022 dhe 2023 – kohë që përkon me qeverisjen e Kurtit – e kanë përdorur dendurisht cilësimin “korrupsion serioz qeveritar.”

Edhe pak kredi, edhe në selamet...

I mënjanuar gjithnjë e më shumë nga Kurti, Liburn Aliu sivjet qe lajm më i rrallë.

Në prill, ai u rikthye ‘ritualisht’ me rastin e shpalimeve të çdovitshme të Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit.

Nga formulari doli se atij i duheshin edhe 82 mijë euro e 76 cent për t’i mbyllur hesapet me tri kreditë e marra.

Pas kësaj, ai do të dilte në ‘selamet’ me dy banesat e blera në lagjen elitare ‘Marigona Hill’.

Në deklarimin e pasurisë, të afishuar më 23 prill në faqen e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, zoti Aliu doli goxha mirë për nga të hyrat, kursimet dhe pasuria.

Pos ministërllëkut, ku u emërua me 23 mars 2021, ai është edhe ligjërues në Kolegjin Ndërkombëtar për Biznes dhe Teknologji – UBT.

Nga ky institucion privat, ai ka deklaruar 1,641.60 euro si të ardhura vjetore.

Si minister i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, zoti Aliu merr në vit 19,434,09 euro.

Te të ardhurat vjetore si ministër janë përfshirë edhe harxhet e tjera.

Për udhëtimet e tij jashtë vendit, qesja e shtetit ka paguar si meditje 3,292,22 euro.

NLB Bank, zoti Aliu i ka paluar gjithsejt 15,406.17 euro, për prejardhjen e të cilave ka shënuar “shitjen e pasurisë dhe kursimet nga pensioni i prindërve.”

Prokopia e tij, gjithnjë në bazë të atyre që ka deklaruar zyrtarisht, përbëhet nga një arë prej 7672 metrash katrorë, vlerën e të cilës e ka specifikuar si 15 mijë euro.

‘Mylku’ i zotit Aliut përbëhet edhe nga një veturë e markës Volkswagen në vlerë prej 4200 eurosh, për të cilën ka shkruar se e ka ndërruar kokë-për-kokë me veturën paraprake BMW.

Sidoqoftë, ekonomia e Aliut nuk është e gjitha rozë, pasi i njëjti ka ende detyrime të papërfunduara financiare.

Fillimisht, zoti Aliu duhet të paguajë në Raiffeisen Bank edhe 16,076 euro nga 19,500 sa e kishte marrë kredinë “për mbyllje të kredisë”.

Po kaq hesape të pambyllura, ai ka edhe me ‘Marigona Hill’.

Për banesën e parë, atij i duhet të paguajë edhe 8 mijë euro, meqë kredia totale e marrë më 1 qershor 2019 ishte 64 mijë euro.

Për banesën e dytë, zoti Aliu ka detyrim për t’i paguar edhe 58 mijë euro për kredinë prej 103 mijë eurosh të cilën e kishte marrë më 1 tetor 2020. /Nacionale/

Lajme të ngjashme