Tentim shpëtim-fytyre pas raportit të DASh-it për tri vjet “korrupsion serioz”, qeveria me përpjekje dëshpëruese - NACIONALE

Tentim shpëtim-fytyre pas raportit të DASh-it për tri vjet “korrupsion serioz”, qeveria me përpjekje dëshpëruese

1 vit më parë

nga Xhezair Dashi

Gjëja nga çka edhe tutesha, më ka ardhë në vizitë (Job 3:23) – korrupsioni.

Dy raporte brenda dy ditësh e rrëzuan si kështjellë prej rëre krejt atë në çka Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka një jetëgjatësi të tërë politike investim duke ia dhënë shëmbëlltyrën e vet: një qeveri, një ditë, pa korrupsion, për krejt ditët.

Do t’ia kthejmë etikën politikës”, ka qenë melodia qendrore mbi të cilën ka kënduar variacionet e tjera të këngës së tij qeverisëse.

Raporti i Departamentit amerikan të Shtetit dhe raporti i Freedom House ishin dy pilula të kuqe të hidhëta të daljes prej matriksit të ushqyer në masë nga Lëvizja Vetëvendosje.

Tri vjet: 2021, 2022, 2023 – Departamenti amerikan i Shtetit, i shënon “korrupsion serioz qeveritar” qeverisjes së Albin Kurtit.

“Korrupsion serioz qeveritar” (2023)

Korrupsionit serioz qeveritar dhe pandëshkueshmëri” (2022)



“Korrupsioni serioz qeveritar dhe pandëshkueshmëri” (2021).

Kurtin kjo “e çuditi” teksa konstatoi se në fakt do të duhej të ishte “lëvduar” nga Departamenti amerikan i Shtetit.

Qeveria e nxori zëdhënësin – dhe një varg deputetësh – për të sanuar dëmet në imazhin prej “të pastrish të pakontestuar” që erdhi si pasojë e raportit të DASh.

Përparim Kryeziu u angazhua në atë që në anglisht quhet “whataboutism”: si një teknikë ose praktikë e të përgjigjurit ndaj një kritike ose pyetjeje të vështirë duke bërë një kritikë të ngjashme ose duke bërë një pyetje të ndryshme, por të lidhura.

Në pamundësi së kontestuari atë që u konstatohet si “korrupsion serioz (ose i rëndë) qeveritar”; ata ju kthyren qeverisjeve të kaluara: në ato që asokohe shkruhej si “korrupsion endemik”.

E pyetëm Departamentin amerikan të Shtetit si në vijim:

Nacionale: Raporti përmend ‘korrupsionin serioz të qeverisë’ që në fillim. Po ju shkruaj për sqarim mbi termat e përdorur. Si i dallon DASh termat – le të themi, për nga pesha e tyre, ose ashpërsia – midis “korrupsionit serioz qeveritar” (2023,2022,2021) dhe “korrupsionit endemik të qeverisë” (2018, 2017). Cili prej këtyre dyve përshkruan situatë korrupsioni më të lartë?

DASh: Ne nuk renditim apo krahasojmë llojet e abuzimeve në Raportet e Vendit mbi Praktikat e të Drejtave të Njeriut.

DASh konstaton që nuk i dallojnë për nga ashpërsia termat, për çka Qeveria e Kosovës është angazhuar aktivisht në të bërit këtë dallim: mes korrupsionit serioz qeveritar dhe korrupsionit endemik.

Madje, as për nga semantika vështirë se të arrihet diçka në favor të argumentit të qeverisë: ngase logjika e jep që duhet pasur korrupsion endemik për të qenë tokë pjellore për korrupsion serioz.

Por, Përparim Kryeziu i futet këtyre shtigjeve:

“Për shembull në raportet e DASh-it në vitet e mëparshme, për përshkrimin e korrupsionit në qeveri përdoreshin shprehje si “korrupsion endemik” (këtë e gjeni në raportet për vitet 2016, 2017 e 2018) dhe “korrupsion i përhapur” (në raportin e vitit 2014), që tregojnë një shkallë të lartë të korrupsionit qeveritar”, ka shkruar përdredhshëm Kryeziu.

E vërteta është se më 2019 dhe 2020, shkruhet vetëm “korrupsion qeveritar”; që nëse shihet vetëm për nga aspekti semantik – pra, i domethënies së fjalëve – del të jetë pakrahasimisht jo në favor të qeverisë kosovare.

Megjithatë tashmë diskursi është stërmbushur që qeverisjes së Lëvizjes Vetëvendosje i njihen dhe i shkruhen praktikat korruptive edhe në raporte ndërkombëtare si në DASh dhe Freedom House.

Lajme të ngjashme