Herë mes vete e herë me qytetarë: histori grushtimesh nga deputetët
24 tetor 2025 – Nga legjislatura në legjislaturë, Kuvendi i Kosovës shpesh është bërë log përleshjesh fizike ku deputetët kanë qenë edhe grushtues, edhe të grushtuar.
Megjithëse në praktikat parlamentare dukuri të tilla janë gati të kudondodhura, kacafytja e sotme e deputetit të LDK-së, Armend Zemaj me një qytetar sjell në vëmendje historinë e pamirë të të zgjedhurve të popullit.
Deri më tani, Lëvizja Vetëvendosje mban rekordin me deputetë e funksionarë që kanë përdorur grushtet për t’i qëruar hesapet me kundërshtarë politikë.
Siparin e rrahjeve e hapën dy ish-deputetët, Florin Krasniqi e Rexhep Selimi.
Një zënkë mes këtij të fundit dhe deputetit të asokohshëm të PDK-së, Latif Gashi, ishte vijuar me kacafytje fizike e përgjakje edhe me të tjerë.
Rreth orës 14:30 të 28 qershorit 2012, dy deputetët e Vetëvendosjes, Florin Krasniqi e Rexhep Selimi dhe shoferi Besart Bujupi e sulmuan kolegun e tyre nga radhët e PDK-së, Bekim Haxhiu.
Arrogantë e mujsharë, njerëzit e Vetëvendosjes kishin qenë edhe kur kishin mbajtur funksione publike.
Fjala vjen, që prej vitit 2013 kur e mori portofolin e Drejtorit të Urbanizmit në Komunën e Prishtinës, ish-deputeti i VV-së, Liburn Aliu endej me revole në orar e jashtë tij.
Në prill të 2015-s kur u akuzua për korrupsion në Asamblenë Komunale të Prishtinës, ai i zuri pritë përfaqësuesit të PDK-së Muhamet Selmani, të cilin e sulmoi fizikisht.
Sadoqë Gjykata Themelore e Prishtinës e shpalli fajtor, Liburni doli i palagur pasi u dënua qesharakisht vetëm me 500 euro.
Disa muaj më vonë, ‘kauboji’ i Vetëvendosjes e kishte kërcënuar rëndë edhe kameramanin veteran, Sylejman Kllokoqi.
“Dilni jashtë e mos t’ju shoh kurrë këtu”, kishte uluruar Aliu, madje edhe duke e vënë dorën te revolja.
Pas Vetëvendosjes, edhe LDK-ja del goxha shpesh e cituar për rrahje të deputetëve të saj.
Kur nga kjo parti ishte shkëputur një pjesë, Gani Geci, asohere si deputet i LDD-së, kishte pasur një kacafytje fizike me ish-deputetin e PDK-së, Xhavit Haliti.
Sa kohë kishte qenë deputet i Nismës, edhe Milaim Zeka ishte rrasur në sherr me ish-deputetin e VV-së, Frashër Krasniqi, madje gjatë një emisioni të drejtpërdrejtë. /Nacionale/