Ministri i Kurtit ende në gazep me kreditë për ‘Marigona Hill’
Dy kredi për t’i blerë dy banesa në lagjen më të shtrenjtë në Kosovë, dhe një tjetër për t’i mbyllur kreditë, janë detyrimet që ministri Liburn Aliu duhet t’i paguajë në muajt në vazhdim. Atij i duhet të paguajë edhe 82 mijë euro e 76 cent që të dalë në ‘selamet’ me dy banesat e blera lirë në pjesën më luksoze të Prishtinës. Por, “ministri i Asfaltit”, siç e quante ish-kryeministri Albin Kurti, del goxha mirë nga të ardhurat e kursimet. Ai është edhe ligjërues në një universitet privat…
Col Mehmeti
Edhe 82 mijë euro e 76 cent i kanë mbetur për t’i mbyllur hesapet me tri kreditë e marra ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu.
Pas kësaj, ai do të dalë në ‘selamet’ me dy banesat e blera në lagjen elitare ‘Marigona Hill’.
Në deklarimin e pasurisë, të afishuar sot në faqen e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, zoti Aliu del goxha mirë për nga të hyrat, kursimet dhe pasuria.
Pos ministërllëkut, ku u emërua me 23 mars 2021, ai është edhe ligjërues në Kolegjin Ndërkombëtar për Biznes dhe Teknologji – UBT. Nga ky institucion privat, ai ka deklaruar 1,641.60
euro si të ardhura vjetore.
Si minister i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, zoti Aliu merr në vit 19,434,09 euro.
Te të ardhurat vjetore si ministër janë përfshirë edhe harxhet e tjera.
Për udhëtimet e tij jashtë vendit, qesja e shtetit ka paguar si meditje 3,292,22 euro.
Në NLB Bank, zoti Aliu i ka paluar gjithsejt 15,406.17 euro, për prejardhjen e të cilave ka shënuar “shitjen e pasurisë dhe kursimet nga pensioni i prindërve.”
Prokopia e tij, gjithnjë në bazë të atyre që ka deklaruar zyrtarisht, përbëhet nga një arë prej 7672 metrash katrorë, vlerën e të cilës e ka specifikuar si 15 mijë euro.
‘Mylku’ i zotit Aliut përbëhet edhe nga një veturë e markës Volkswagen në vlerë prej 4200 eurosh, për të cilën ka shkruar se e ka ndërruar kokë për kokë me veturën paraprake BMW.
Sidoqoftë, ekonomia e Aliut nuk është e gjitha rozë, pasi i njëjti ka ende detyrime të papërfunduara financiare.
Fillimisht, zoti Aliu duhet të paguajë në Raiffeisen Bank edhe 16,076 euro nga 19,500 sa e kishte marrë kredinë “për mbyllje të kredisë”.
Po kaq hesape të pambyllura, ai ka edhe me ‘Marigona Hill’.
Për banesën e parë, atij i duhet të paguajë edhe 8 mijë euro, meqë kredia totale e marrë më 1 qershor 2019 ishte 64 mijë euro.
Për banesën e dytë, zoti Aliu ka detyrim për t’i paguar edhe 58 mijë euro për kredinë prej 103 mijë eurosh të cilën e kishte marrë më 1 tetor 2020. /NACIONALE/