Gjithçka rreth udhëtimit “jashtëzakonisht të rrezikshëm” të Nancy Pelosit në Tajvan
Vizitën historike të kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve të ShBA-së, Nancy Pelosi në Tajvan, Kina e ka cilësur si “jashtëzakonisht të rrezikshme”.
Pelosi – politikanja më e lartë amerikane që ka vizituar ishullin në 25 vjet, u paralajmërua nga Pekini se “po luan me zjarrin”.
Megjithatë, menjëherë pas arritjes në Tajvan, Pelosi tha se vizita e saj "nderon angazhimin e palëkundur të Amerikës për të mbështetur demokracinë e gjallë të Tajvanit" dhe nuk bie në kundërshtim me politikën e ShBA-së.
E ndërsa avioni i saj ateroi në Taipei, media shtetërore kineze raportoi se avionët e saj ushtarakë po kalonin ngushticën e Tajvanit. Fillimisht, Tajvani i mohoi raportet - por më vonë tha se më shumë se 20 avionë ushtarakë kinezë kishin hyrë në zonën e mbrojtjes ajrore të vendit.
Kina - e cila e sheh Tajvanin si një provincë të shkëputur që një ditë do të ribashkohet me të - ka paralajmëruar më parë se forcat e saj të armatosura "nuk do të qëndrojnë duarkryq".
Brenda vetëm një ore nga mbërritja e avionit të Pelosit, Kina njoftoi se Ushtria Çlirimtare Popullore do të kryejë një seri stërvitjesh ushtarake me zjarr të vërtetë në ajër dhe në det rreth Tajvanit - duke paralajmëruar anijet dhe avionët që të mos hyjnë në zonat e prekura.
Hapi i fundit pason ditë të përshkallëzimit të tensioneve përpara vizitës së Pelosit, ku avionët luftarakë kinezë tashmë kishin dalë deri në vijën ndarëse jozyrtare mes Kinës dhe Tajvanin.
Në deklaratën e saj, Pelosi tha: "Solidariteti i Amerikës me 23 milionë njerëzit e Tajvanit është më i rëndësishëm sot se kurrë, pasi bota përballet me një zgjedhje midis autokracisë dhe demokracisë".
E në një artikull të botur në gazetën Washington Post në të njejtën kohë, Pelosi kishte thënë se "demokracia e fortë e Tajvanit... është nën kërcënim".
“Përballë agresionit të përshpejtuar të Partisë Komuniste Kineze (PKK), vizita e delegacionit të kongresit tonë duhet të shihet si një deklaratë e qartë se Amerika qëndron me Tajvanin, partnerin tonë demokratik, teksa mbron veten dhe lirinë e saj”, është shprehur Pelosi.
Megjithatë, ndërsa vizita e saj për ditë të tëra u bë një objekt i spekulimeve të shumta ndërkombëtare, ajo u mbajt e fshehtë deri në minutën e fundit.
Gjatë nisjes së turneut të Pelosit në Azi, në itinerarin e saj zyrtar ku përfshihej Singapori, Malajzia, Korea e Jugut dhe Japonia – Tajvani nuk përmendej.
Kjo vizitë është kundërshtuar hapur edhe nga Shtëpia e Bardhë, me presidentin Joe Biden i cili tha se “ushtria nuk e vlerëson si një ide të mirë”.
Por, pas arritjes së Pelosit në Taipei, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë John Kirby tha për CNN se kjo vizitë ishte e ngjashme me udhëtimet e mëparshme të zyrtarëve të tjerë.
"Nuk ka asnjë arsye që kjo të çojë në konflikt. Nuk ka asnjë ndryshim në politikën tonë. Kjo është absolutisht në përputhje me të." E duke iu drejtuar reagimit të fortë nga Kina, ai tha se: "Shtetet e Bashkuara nuk do të tremben nga kërcënimet".
Kina ushtron vazhdimisht presion ndërkombëtar mbi kombet e tjera për të pranuar parimin e saj "Një Kinë" - se ka vetëm një komb kinez, me bazë në Pekin. Ndërsa, vetëm 15 vende në botë kanë marrëdhënie zyrtare diplomatike me Tajvanin.
Sa i përket ShBA-së, politika e gjatë e saj ka qenë njohja e qeverisë së Pekinit, por edhe ruajtja e marrëdhënieve "të forta jozyrtare" me Tajvanin. Përfshirë shitjen e armëve në ishull, si mënyrë që të mund të mbrohet.
Si kryetare e Dhomës së Përfaqësuesve të ShBA-së, Pelosi është e dyta në radhë për presidencën amerikane pas zëvendëspresidentes. Megjithatë, ajo është gjithashtu një kritike e gjatë e Pekinit.
Si kongresiste në vitin 1991, dy vjet pasi qeveria kineze goditi ashpër protestuesit në sheshin Tiananmen, ajo vizitoi vendin e demonstratave dhe shpalosi një pankartë në kujtim të atyre që vdiqën - duke shkaktuar një përgjigje të zemëruar nga qeveria atje.
Mediat tajvaneze tani kanë raportuar se Pelosi pritet të qëndrojë gjatë natës në vend, ndërsa të mërkurën do të takohet me anëtarët e Juanit legjislativ, si dhe presidenten e Tajvanit Tsai Ing-Wen.




