Vizita e Pelosit në Tajvan pasqyron mbështetjen në rritje të ShBA-së për vendin
Udhëtimi i kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve të ShBA-së, Nancy Pelosi në Tajvan, shënon vizitën e profilit më të lartë në ishull nga një varg delegacionesh amerikane, një tregues ky i mbështetjes në rritje për territorin.
Në muajin prill, senatori i lartë republikan Lindsey Graham dhe senatori demokrat Bob Menendez, kryetar i Komisionit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë, bënë një vizitë të papritur në Tajvan, ku gjatë udhëtimit, Graham ka kritikuar ngrohjen e marrëdhënieve të Kinës me Rusinë.
"Mbështetja për Putinin duhet të ketë një çmim," i ka thënë Graham presidentit të Tajvanit Tsai Ing-wen gjatë vizitës në Taipei, duke shtuar se , “të braktisësh Tajvanin do të ishte si të braktisësh demokracinë dhe lirinë”.
Pas kthimit nga Tajvani, Graham dhe Menendez kanë prezantuar së bashku Aktin e Politikës së Tajvanit të vitit 2022. The Wall Street Journal shkruan se, projektligji dypartiak, i propozuar në qershor, do t'i sigurojë Tajvanit afërsisht 4.5 miliardë dollarë ndihmë për sigurinë gjatë katër viteve të ardhshme. Akti gjithashtu e përcakton ishullin si një aleat të madh jo-NATO, një titull që i jep përfitime shtesë mbrojtjes dhe sigurisë për Tajvanin.
Vizita e senatorëve u pasua nga dy delegacione të kongresit në nëntor 2021. Një nga ligjvënësit që kishte marrë pjesë në udhëtim në atë kohë, kujtoi se zyra e saj para udhëtimit kishte marrë një mesazh nga Ambasada Kineze në Uashington, duke i kërkuar të anulojë udhëtimin.
Megjithatë, asnjë nga këto udhëtime nuk ka sjellë më shumë diskutime se saa vizita e Nancy Pelosit.
Vizita e saj në vend, e ka shtyrë Pekinin të paralajmërojë ShBA-në për pasoja katastrofike, ndërkohë që forcat e armatosura kanë treguar fuqinë e tyre duke realizuar një sërë stërvitjesh ushtarake ditët e fundit.
Statusi i Pelosit si kryetare e Dhomës së Përfaqësuesve, dhe e dyta në radhë pas presidencës, është një arsye e madhe për reagimin veçanërisht të ashpër të Kinës. Ajo u bë kryetarja e parë e Dhomës së Përfaqësuesve dhe politikania më e lartë amerikane që viziton Tajvanin, që nga vizita e republikanit Newt Gingrich në vitin 1997.
Analistët thonë se fakti që ajo është nga e njëjta parti politike me presidentin Biden – ndryshe nga vizita e Gingrich gjatë presidencës së Bill Clinton – bënë që t’i duket Kinës se vizita e saj në Tajvan vjen me një miratim të heshtur nga administrata. Edhe pse Shtëpia e Bardhë ka thënë se Pelosi merr vendimet si një degë e veçantë e qeverisë.
Kujtojmë se, Partia Komuniste e Kinës e konsideron Tajvanin një pjesë të territorit të saj sovran. E ndërsa ishulli nuk njihet si një vend nga ShBA-të dhe shumica e qeverive të tjera, ai funksionon si një demokraci e pavarur nga Kina kontinentale, me një ekonomi mjaftë të fortë.
Interesi në rritje i Kongresit për Tajvanin vjen pas asaj që zyrtarët amerikanë e kanë përshkruar si “provokime ushtarake në rritje nga Kina kontinentale kundër ishullit”, si dhe pas një rekordi përkeqësues të të drejtave të njeriut gjatë dekadës së fundit nën udhëheqjen e Xi Jinping.
Sipas Aktit të Marrëdhënieve me Tajvanin, i miratuar gjatë administrimit të Carter, ShBA-së i kërkohet të sigurojë Tajvanin me armë dhe mjete të tjera të përshtatshme për t'u mbrojtur në rast se sulmohet.

